Si i ndihmon besimtaret e krishtere Shën Ksenja e Petërburgut?

Si i ndihmon njerëzit kjo shenjtore? Mund të mësojmë për të duke lexuar mbi Jetën e saj, dhe duke lexuar dëshmitë për mrekullitë e shumta që kreu pas fjetjes. Ne kemi mbledhur disa prej tyre këtu . . .

Originally appeared at: Orthodox Christianity

E bekuara Ksenja e Petërburgut është një nga shenjtoret më të njohura dhe më të nderuara të Rusisë. Një shumicë e madhe njerëzish kërkojnë dhe kanë kërkuar ndihmë, dhe shumë prej tyre kanë marrë përgjigje shumë të qarta. U ngrit një kishë mbi varrin e shenjtores në  1902 dhe u bë një nga vendet më të vizituara të Shën Petërburgut Orthodhoks. Sot, shumë njerëz vijnë këtu ditë për ditë, duke kërkuar lutjet dhe ndihmën e shën Ksenjës. Kanë kaluar më shumë se dy shekuj që nga vdekja e shenjtores, por mrekullitë përmes lutjeve të saj ndodhin akoma.

Kur saktësisht, kë dhe si ndihmon shenjtorja? Mund të mësojmë për këtë nga Jeta e saj si dhe dëshmitë e mrekullive që ajo kreu pas fjetjes. Kemi mbledhur disa prej tyre.

                                                        Ajo qetëson zemrat      

Ksenja Alferova, aktore, prezantuese televizive, ngritësja e fondacionit për bamirësi “Unë Jam!”:

E bekuara Ksenja është shenjtorja ime mbrojtëse. Unë e di mirë dhe e ndjej që ajo më ndihmon mua kurdo që unë kërkoj ndërmjetimin e saj. Ajo është absolutisht e gjallë dhe e dashur për mua. Është si të ndash përvoja me dikë të afërt me ty, që edhe të mbron edhe të ndihmon. Kjo është saktësisht marrëdhënia që kam me të. Ka aq shumë situata sa është e vështirë të japësh një shembull.. Të kthehem te ajo dhe të kërkoj ndërhyrjen e saj është gjëja e parë që më shkon në mendje kur jam në një mosmarrëveshje familjare ose e mbingarkuar me probleme. Mrekullitë e vogla ndodhin çdo ditë.

Mund të kesh një konflikt, dhe nuk ka asnjë fuqi që të realizojë pajtimin. Por shën Ksenja ndihmon, qetëson zemrën, dhe pas një çasti ndihesh  e zbutur, fyerja zhduket dhe ti gjen forcën të kërkosh të falur – ose personi tjetër vjen më parë për të ta kërkuar.

Mund të duket qesharake, por kur unë isha vajzë e vogël, ne nuk dinim asgjë për shenjtorët dhe modeli që unë ndiqja ishte heroina sovjetike Zoe Kosmodemianskaja. Nëse shkoja tek dentisti ose më duhej të duroja diçka, unë mendoja për të: “Si e duronte këtë Zoe? Ajo e arrinte, dhe unë gjithashtu duhet ta arrija.” Tani unë kam heronj të tjerë, por imazhi i parë që ngrihet kur më duhet të duroj diçka është E Bekuara Ksenja. Ajo nuk u bë shenjtore brenda një nate: ajo duroi vuajtje të papara si një njeri i zakonshëm. Meqenëse ka jetuar para pak kohësh, ne mund ta imagjinojmë jetën e saj më konkretisht.

Shën Ksenja është aq e ndritshme midis grave të shenjta që shumë ta njohin Jetën e saj të paktën në përvijimin e ashpër. Dhe edhe pse duket e çuditshme, kur merr emrin e saj duhet ta mbash atë në përputhje, sepse përafërsia me një shenjtore si Shën Ksenja shton përgjegjësinë. Mendon për mënyrën sesi jeton më së shumti.  Për mua fuqia e dashurisë së saj dhe e besimit të saj është e padepërtueshme. Ajo kishte një dashuri aq të madhe për bashkëshortin e saj, që për shpëtimin e shpirtit të tij1  e mori mbi vete podvigun e madh! Sa i madh duhet të ketë qenë besimi i saj te Perëndia meqë arriti të jetojë në një mënyrë aq radikale, duke hequr dorë nga gjithçka! E kupoj se kurrë nuk do ta kem forcën e dashurisë që ajo kishte, por unë duhet të përpiqem për këtë dhe t’i afrohem sado pak që të mundem.

Ndihmëse në lindjet e fëmijëve

Aliona, dyzetë e pesë, mësuese nga Moska:

E dua Ksenjushkën [një formë zvogëluese dashurie dhe afeksioni e emrit Ksenja.—Përkth.] shumë dhe sa herë që jam në Petërburg shkoj tek lipsanet e saj. Pastaj, ajo çka e bën atë të afërt me mua është se ishte e ve.

Ia vumë vajzës së vogël emrin Ksenja për një arsye. Kur isha shtatzënë, në fillim ishte  rreziku i dështimit si rezultat i gjakrrjedhjes dhe prishjes së placentës. Ishte shumë shqetësuese. Në atë kohë motra ime ishte në një tur pelegrinazhi, duke vizituar vende të ndryshme të shenjta, përfshirë edhe Shën Petërburgun, dhe lutej për mua. Më vonë ajo më telefonoi dhe tha se kur qëndronte përpara lipsaneve të Shën Ksenjës ishte ndierë shumë e qetë në zemër për mua dhe e dinte me siguri se çdo gjë do të shkonte mirë! Dhe ashtu ndodhi. Falë Zotit lindi Ksenja jonë.

Ksenjushka u bë edhe më e afërt me mua!

Ajo organizon muajin e mjaltit

Maria, dyzetë e tre vjeçe, mësuese nga Moska:

Ne u martuam në kishë në 6 Shkurt – dita e festës së Ksenjës së Bekuar. Nuk ishim të pregatitur fare për dasmën – nuk dinim ku do të jetonim dhe gjithë gjërat i kishim në apartamente të ndryshme. Pasigura na priste pas ceremonisë. Vetëm tani e kuptoj se ishim tepër të pakujdesshëm. Filluam të mendonim në duhet të shkonim diku apo jo. Ishte shkurt dhe ne kishim aq para sa na duheshin për dasmën. Me këto mendime unë hyra në librarinë e famullisë dhe pyeta librashitësen, “A di ndonjë vend ku mund të kalojmë muajin e mjaltit dhe të mos harxhojmë shumë?” Ajo u përgjigj, “Unë di një vend afër Sergejev Posad. Do të jetë shumë i mirë dhe me çmim jo të shtrenjtë.” Mori një copë letre, një nga ato që ishin prerë për listat e ndërmjetësimit, dhe shkroi një numër telefoni me emrin e qendrës rikrijuese. Unë mora letrën, e falënderova dhe fillova ta palosja kur papritur pashë këto fjalë të printuara në të mbrapmen e letrës: “E Bekuara Ksenja e Petërbrurgut.” Me sa duket, shenjtorja e dinte që ne ishim në gjendje absolutisht të paqëndrueshme dhe u sigurua që fillimi i familjes sonë të ishte të paktën për t’u mbajtur mend. Ne kaluam një kohë të bukur tek qendra e rikrijimit së bashku – ne rrëshkitëm tatëpjetë kodrës, shkuam për ski dhe patinazh në akull, dhe shëtitëm në pyll. Gjatë rrugës së kthimit u informuam se gjyshja me të cilën unë jetija kishte thyer krahun. Shumë shpejt nëna e burrit tim pësoi tronditje. Në fillim lëviznim sa para pas, duke u kujdesur për të dyja. Por dhurata e Shën Ksenjës mbeti në zemrën tonë përgjithmonë. Nëse shenjtorët kujdesen për ne në këto xhingërima, thjesht imagjino çfarë ndodh me gjërat e mëdha!

Ajo i forcoi besimin njerëzve gjatë komunizmit

Natalia, pesëdhjetë e nëntë vjeçe, inxhiniere nga Shën Petërburgu:

Në ditët tona, në 6 Shkurt njerëzit rreshtohen jashtë Kishës së  Shën Ksenjës që në mëngjes herët dhe direkt nga hyrja për tek Varrezat Smolenskoje. Kur unë arrita atje për herë të parë në kohën e komunizmit, gjithçka ishte në gjendje të neglizhuar; ishte e pamundur të hyje brenda në katedrale, hyrja ishte bllokuar, por mund të shikoje brenda copëra dhe mbetje skulpturash sovjetike si punë hedhësi disqesh. Gjithçka ishte e rrënuar – ishte një pamje e trishtë.

Unë nuk dija asgjë rreth Ksenjës së Bekuar më parë dhe isha edhe e papagëzuar. Studioja në një institut dhe isha sekretare e organizatës Komsomol. Ishte një shprehje që dëgjoja rrotull nëpër institut gjatë fundit të semestrit, drejtuar dikujt që kalonte një provim të vështirë: “Duket se të ka ndihmuar Ksenjushka!” Unë nuk e merrja fare me mend kush ishte kjo Ksenjushka, ku punonte dhe ku jetonte, ose çfarë lidhje kishte me institutin. Por duhet të merret parasysh se ato kohë ishin me rrezik—kurdo që shkoja në kishë, shikoja një burrë me pallto të zezë që më ndiqte, që vëzhgonte çfarë bëja unë. Unë doja të pagëzohesha prej një kohe të gjatë, por nuk mundja, sepse priftërinjtë e Leningradit pagëzonin vetëm njerëzit të cilëve do t’u prodhonin pasaporta, dhe menjëherë informonin “autoritetet e duhura”. Njerëz humbnin punët dhe nuk e vazhdonin dot më shkollimin.

Por një ditë unë vendosa ta gjeja Ksenjushkën tek Varrezat Smolensk dhe shkova atje, duke ditur fare pak gjëra për të. Ai takim i mrekullueshëm vërtetë më ndryshoi jetën. Duke u endur vetëm përmes rrënojave, unë mora rrugën për tek katedralja e rrënuar, dhe një grua e moshuar doli për të më takuar: “ Ke ardhuar te Ksenjushka? Do të të tregoj çdo gjë për të.” Folëm për rreth dy orë. Ajo e tregoi shkurtimisht Jetën e Të Bekuarës Ksenja dhe foli për besimin dhe dashurinë që kurrë nuk kishte pushuar në këtë vend megjithë ndalimet, shkatërrimet dhe luftërat. Më tepër nga të gjitha më mahniti një lutje në varg që ishte krijuar gjatë Rrethimit të Leningradit. E moshuara përmendi se kishte gjithnjë njerëz që megjithë urinë dhe mungesën e fuqisë, vinin aty dhe i luteshin të marrës për Krishtin, duke besuar se ajo nuk do ta braktiste qytetin. Ajo u shpreh për veten shkurtimisht, “ Të gjithë ata për të cilët unë iu luta Nënë Ksenjës u kthyen gjallë nga lufta.” Pstaj unë kisha vetëm një kërkesë për lutje  – të pagëzohesha. Pas pak kohësh, falë një garantimi për udhëtim nga instituti, unë përfundova në Jaltë, në Krime, ku gjatë një shëtitje të dielën e Palmave unë zbulova Kishën e Shën Aleksandër Nevskit që qe ngritur në përkujtim të Perandor Alemksandrit II, i cili ishte vrarë (kjo ishte lidhja me Shën Petërburgun!). Priftërinjtë e kësaj kishe nuk kërkonin askënd të prodhonte pasaportë, kështuqë unë u pagëzova atje. Dhe jeta ime ndryshoi. E ndjeva menjëherë.

Që nga ajo kohë, unë gjithmonë kam këshilluar gjithkënd të kthehet te Zoti dhe mbrojtëses qiellore të qytetit tonë në situata të vështira të jetës, dhe të shkojnë në Varrezën Smolensk. Shpejt, shumë kisha u rihapën, numri i besimtarëve u rrit, dhe mrekullitë zienin në atë kohë – ndihma vinte gati menjëherë për të gjithë ata që vinin në kishë dhe ktheheshin te Perëndia.

Unë mund të dëshmoj për një mrekulli tjetër. Pak vite më vonë një mike erdhi të më vizitonte. Ajo ishte martuar që prej tetë vitesh por vuante sepse nuk kishte fëmijë. Ajo vetëm qante me dëshpërim atë ditë, duke thënë se nuk kishte shpresë dhe se ishte e lodhur duke shkuar nëpër doktorë. I sugjerova që të shkonte drejt e te Varrezat Smolensk. Por siç ndodh shpesh, rruga e një personi tek Perëndia nuk është përherë aq e lehtë. Një tramvajë që ishte pranë shtëpisë sime dhe zakonisht rruga deri në Varrezat Smolensk ishte vetëm njëzetë minuta, por atë ditë zgjati dy orë. Moti gjithashtu ishte kundër nesh, dhe shoqja ime u ndie keq gjatë rrugës kështuqë u ul në stol për pak kohë. Kur më në fund arritëm, shoqja hyri në kishëz për t’u lutur, ndërkohë unë e prita pak më tutje, dhe mendova gjatë kohës se do të ishte mirë që Perëndia të më dërgonte një djalë. Atëherë unë kisha dy vajza. Dy javë më pas zbulova se isha shtatzënë dhe nuk kishte dyshim se ishte djalë. Shoqja ime lindi një djalë gjashtë muaj pas meje. Jemi të dyja të bindura se ishte ndihma e Të Bekuarës Ksenja të Petërburgut.

Ajo rregullon jetët tona

Aleksandri, pesëdhjetë e shtatë vjeç, Ramenskoje (rajon i Moskës):

Unë dëshiroj të ndaj eksperiencën time të kërkimit për ndihmë nga Shën Ksenja e Shën Petërburgut – një nga shenjtoret e preferuara të familjes tonë.

Unë u njoha me këtë shenjtore nga gruaja ime Irina në 2005. Ajo shkoi në një ekskursion në fshatin e Sizmës në rajonin Vologda. Sipas numrit të pelegrinëve, kishëza vendase e Shën Ksenjës është një nga më të vizituarat në rajon. E gjithë kishëza është plot me kërkesa për lutje dhe ndërmjetime.

Pas kësaj blemë disa libra mbi jetën e shenjtores dhe nisëm t’i luteshim për nipin dhe mbesat, që ata të gjenin bashkëshortë për vete.

Fillimisht u lutëm për mbesën time Natalia  në 2007, pas vdekjes së vëllait tim të madh (babait të saj). Ajo ishte njëzetë e një vjeçe në atë kohë. Në 2013, Natalia u martua.

Më vonë, rreth vitit 2010, fillova të lutesha për mbesën time Tatiana pas vdekjes së motrës sime ( nënës së saj ). Ajo ishte njëzetë vjeçe. Në 2017 Tatiana u martua

Në 2020 unë fillova të lutesha për nipin tim Leonidin që ishte tashmë njëzetë e pesë vjeç. Leonidi u martua në 2018. Ai në fillim takoi gruan e ardhshme Ksenjën, gjatë dasmës së motrës së tij Tatianës. Ksenja, siç doli më vonë e kishte parë që përpara se Leonidi të shkonte për vizitë tek fqinjët e saj. Por Leonidi për një kohë të gjatë nuk e mori seriozisht Ksenjën sepse kishin diferencë të madhe moshe (rreth 10 vjet).

Kërkesat tona për nipin dhe mbesat ishin të ndryshme. Kurdo që vizitoja ndonjë kishë dhe shihja ikonën e Të Bekuarës Ksenja atje, lutesha për ta. I lexoja edhe himnin e saj akathist ndonjëherë.

Nga 2008, kur gruaja ime dhe unë u shpërngulëm në periferi të Shën Petërburgut, ne udhëtonim në Varrezat Smolensk çdo muaj dhe nderonim gurin e varrit të Shën Ksenjës.

Pas pak kohësh u rivendosëm në periferi të Moskës, por çdo vit udhëtojmë në Shën Petërburg për të vizituar kishën e Shën Ksenjës në Varrezat Smolensk si dhe manastirin e Shën Joanit [për nder të Shën Joanit të Rilës; themeluar nga Shën Joani i Kronshtadit në 1900.—Trans.] në brigjet e lumit Karpovka për të nderuar varrin e Shën Joan Kronshtadit.

Kërkesat tona për këta shenjtorë gjithmonë janë përmbushur shumë shpejt dhe shumë qartë.

Ajo kujdeset për ata që marrin emrin e saj

Fotinia, dyzetë vjeçe, punonjëse sociale e shërbesës bamirëse orthodhokse “ Miloserdie” (“Mëshira”) në Moskë:

Nga të gjitha shenjtoret gra, Ksenja e Bekuar menjëherë m’u duk më e afërt me mua. Podvigu i saj i dashurisë më mahniti dhe u bë një shembull për t’u ndjekur. Nga një qytet romantik Shën Petërburgu u bë vendi i prezencës së veçantë të Nënë Ksenjës, dhe dëshiroja shumë të shkoja të vizitoja kishën e saj.

Në fakt unë u konvertova te Perëndia në gjimnaz dhe menjëherë nisa të ëndërroja për një familje Orthodhokse. Falë atit tim shpirtëror unë kuptova se duhej të lutesha dhe t’ia besoja Zotit këtë çështje.

Burri im dhe unë u martuam në kishë në verën e 2003, dhe në vjeshtë, pas udhëtimit të parë për tek miqtë tanë që jetonin pranë Varrezave Smolensk, ne zbuluam se unë isha shtatzënë. Unë menjëherë gjeta një emër për vajzën; nuk kishte dyshim se shenjtorja më e afërt dhe më e dashur me mua, me një emër që më pëlqen, ishte Nënë Ksenja. Dhe mrekullitë filluan në këtë fazë. Bashkëshorti im, me të cilin unë kam patur shpesh debate të nxehta, pranoi një kërkesë qesharake. Unë thashë, “Ajo do të ketë mbiemrin dhe patronimin tënd, kështuqë të paktën një gjë më lër ta zgjedh unë!” Filluam ta vizitonim Shën Petërburgun thuajse vit për vit, dhe gjëja e parë që bënim ishte të shkonim te Nënë Ksenja.  

Tani kemi katër fëmijë. Kjo u arrit për shkak të bijës sonë më të madhe, që ishte  paqësore, pa probleme, punëtore, Ksenjës, të cilën shenjtorja e saj mbrojtëse kurrë nuk e braktisi edhe në sëmundjen më serioze. Shumë nga miqtë tanë shkuan në Varrezat Smolensk dhe na sollën vaj të shenjtë dhe ujë të bekuar nga atje gjatë muajve të gjatë që kaluam në spital.

  • Shqip
  • العربية
  • English
  • Français
  • Deutsch
  • Bahasa Indonesia
  • Italiano
  • Português
  • Русский
  • Español