Rusi: eshtrat e gjetura në pyll u konfirmuan se i përkisnin Carit të fundit të Rusisë e familjes së Romanonëve

Pas dekadash misteri, komiteti investigativ rus ka arritur në përfundimin se kanë gjetur eshtrat e Nikollës së II-të dhe familjes së tij. Familja mbretërore u ekzekutua gjatë revolucionit rus.

Originally appeared at: DW

Eshtrat njerëzore që u zbuluan në një pyll pranë Yekateriburgut i përkisnin carit të fundit rus Nikollës së Dytë dhe pjesëtarëve të familjes së tij, kumtoi të premten në një deklaratë Komiteti Investigativ Rus. Që nga rifillimi i hetimeve, Komiteti ka kryer rreth 37 analiza të ndryshme mjekoligjore.

"Bazuar në zbulimet e shumta të ekspertëve, hetimet kanë arritur në përfundimin se eshtrat i përkasin Nikollës së Dytë, familjes së tij dhe personave që i shoqëronin” konstaton komiteti.

Investigatorja e vjetër Marina Molodtsova i thotë gazetës ruse Izvestia se “në bazë të zbulimeve molekulare gjenetike, eshtrat e dy personave, të zbuluara në verën e 2007 pranë truallit të varrimit të nëntë viktimave të tjera i përkasin vajzës e djalit të Nikollës dhe Aleksandra Romanov. Afërsia biologjike me të dy prindërit është provuar për Aleksein dhe Marinë”.

Kërkimet ende vazhdojnë, duke përfshirë edhe hetime mbi rrethanat e vrasjes së familjes perandorake.  

Familja Romanov e mbuluar në mister

Nikolla II-të, bashkëshortja e tij e lindur në Gjermani, Aleksandra Feodorovna, dhe pesë fëmijët e tyre, Anastasia, Maria, Tatiana, Ollga dhe Aleksei, ishin ekzekutuar nga bolshevikët në 1918 në mes të revolucionit rus.

Kisha Orthodhokse Ruse e ka njohur ish-carin si një shenjtor të martirizuar në 1981.

Trupat e pjesëtarëve të fundit të dinastisë së Romanovëve fillimisht thuheshin se ishin hedhur në një dragaminë, para se të digjeshin dhe të varroseshin me ngut nga vrasësit.

Aleksandra Romanova, një zëdhënëse për hetimet, i tha Izvestias se "eksperimentet tona mohuan versionin se trupat e viktimave ishin asgjësuar me acid sulfurik dhe ishin djegur”.

Eshtrat ishin gjurmuar së pari nga historianë amatorë në 1979, ndonëse zbulimi u bë i ditur vetëm në 1991 kur investigatorët shpallën zbuluan eshtrat e nëntë personave në një truall varrimi në një pyll pranë Yekaterinburgut.

U tha se i përkisnin familjes perandorake duke përfshirë Nikollës së dytë, gruas së tij dhe bijave të tij, Anastasias, Tatianës, Ollgës si dhe mjekut të tyre e shërbëtorëve të tyre.

Në 2007, disa hulumtues që po kryenin një gërmim arkeologjik në jug të vend varrimit fillestar, gjetën eshtrat e atyre që besonin se ishin dy fëmijët e mbetur, Alekseit dhe Marisë. Ky zbulim çoi në rihapjen e hetimeve dhe zhvarrimin e eshtrave të pjesëtarëve të familjes.