Nëse dëshiron të mposhtësh epshin, ndiq këshillat e këtij të krishteri

I gjatë dhe i pashëm, Shën Moisiu tërhoqi vëmendjen e një veje të pasur polake, që digjej nga pasion i flaktë për të ...

Shën Moisi hungarezi i Shpellave, ishte vëllai i Shën Efremit të Novy Torgut dhe i Shën Gjergjit. Së bashku me ta ai hyri në shërbesën e princit të shenjtë Boris.

Pas vrasjes së Shën Borisit në 1015 në lumin Alta (Shën Gjergji u vra bashkë me të), Shën Moisiu u arratis dhe u fsheh në Kiev me Predislavën, motrën e princ Jaroslavit. Në 1018, kur mbreti polak Boleslav pushtoi Kievin, Shën Moisiu dhe shokët e tij u kapën robër në Poloni.

I gjatë dhe i pashëm, Shën Moisiu tërhoqi vëmendjen e një veje të pasur polake, që digjej nga pasion i flaktë për të dhe donte ta çlironte nga robëria dhe ta bënte bashkëshortin e vet. Shën Moisiu refuzoi prerazi për ta shkëmbyer robërinë me skllavërinë e një gruaje. Pavarësisht nga refuzimi i tij, gruaja polake e bleu robin.

Ajo bëri çmos që ta joshte të riun por ai parapëlqeu urinë përkundrejt ushqimeve të shijshme. Pastaj kjo grua u përpoq ta bindte Shën Moisiun nëpërmjet pronave, duke pandehur se do ta joshte me anë të pasurive dhe pushtetit por shenjtori i tha se nuk do t’i shkëmbente pasuritë shpirtërore me gjërat e prishshme të kësaj bote dhe se dëshironte të bëhej murg.

Ndërsa kalonte në atë vend, një hieromonak athonit e qethi Shën Moisiun murg. Gruaja polake urdhëroi që ta shtrinin në tokë dhe ta rrihnin me shkopinj hekuri, duke skuqur tokën me gjakun e tij. Ajo mori lejen e Boleslavit për të bërë çfarë të donte me robin. Gruaja e pacipë urdhëroi që Shën Moisiu të binte në shtrat me të. Edhe pse e puthi dhe e përqafoi, nuk arriti asgjë.

Shën Moisiu tha: “Për shkak të frikës së Perëndisë të neveris si e papastër”. Sapo dëgjoi këtë gruaja polake urdhëroi që ta fshikullonin çdo ditë me njëqind fshikullime dhe pastaj ta tredhnin. Boleslavi filloi edhe përndjekjen e të gjithë murgjërve të atij vendi por shpejt vdekja e zuri papritur. Një kryengritje shpërtheu në Poloni, gjatë të cilës edhe vejusha gjeti vdekjen.

Pasi e mori veten nga plagët e tij, Shën Moisiu arriti në manastirin e Kievit, duke mbartur në vetvete plagët e martirit dhe kurorën e një pohuesi e luftëtari të guximshëm të Krishtit. Zoti i dha fuqi në vuajtjet e tij. Një prej murgjërve, nën presionin e pasioneve të papastra, shkoi te Shën Moisiu dhe i kërkoi ndihmën e tij duke thënë “unë premtoj që do ta mbaj deri në vdekje çdo gjë që do të më thuash të bëj”. Shën Moisiu tha: “për aq sa do të jetosh, mos fol fare me asnjë grua”. Vëllai premtoi se do t’i binde këshillës së murgut.

Shën Moisiu kishte në dorë një shkop, pa të cilin nuk mund të ecte për shkak të plagëve që kishte marrë. Me këtë shkop ai e goditi kraharorin e vëllait ë tij që i ishte drejtuar për ndihmë dhe menjëherë ai u çlirua nga tundimet.

Shën Moisiu e ndoqi për 10 vjet asketicizmin dhe vdiq rreth vitit  1043 dhe u varros në Shpellat e Afërme. Pasi nderonin lipsanet e shenjta të shenjtorit dhe i luteshin me zjarr, murgjërit shëroheshin nga tundimet mishore.