Burri Dhe Gruaja Të Bashkuar Në Parajsë — Për Çfarë Është Dashuria E Vërtetë (Shën Joani Gojarti)

"nuk do të banosh me të për pesë vite, si këtu, as për 20, 100, njëmijë apo dyfishin e këtyre viteve, por në pafundësi . . ."

A i sjell vdekja fund marrëdhënies mes burrit dhe gruas, nëse ata e kanë dashur me të vërtetë njëri-tjetrin? Po në parajsë, a nuk do të ketë një bashkim të lumtur?

Sipas Shën Joan Gojarti — një nga shenjtorët më të respektuar në Kishën Orthodhokse — nuk ka asgjë për të pasur frikë. Kur dashuria midis burrit dhe gruas është e vërtetë dhe e durueshme, as vdekja nuk e ndalon dot. 

Jisui tha se në ringjalljen e njerëzve, ata "nuk do të martohen, as nuk jepen në martesë", dhe disa e interpretojnë këtë se martesa tokësore do të prishet kur hyjmë në parajsë. Përsëri, në këtë pasazh, Jisui thotë se marrëdhëniet e njerëzve do të jenë "si engjëj të Perëndisë". 

Cilat janë nënkuptimet e transformimit të martesës në një marrëdhënie si engjëjt?  John Clark është një shkrimtar që ofron një këndvështrim ndihmues:

Ndërsa qëllimi parësor i martesës është një shtim i frytshëm dhe nuk ka më vlerë në parajsë, përgjigjja e Zotit tonë nuk e pengon në asnjë mënyrë miqësinë e martesës së qëndrueshme. Dhe nëse kjo është çështja, nuk vazhdon më në formën e rënë; është tashmë si ajo e engjëjve. Engjëjt në parajsë kanë një miqësi—një intimitet dhe dashuri shpirtërore për njëri-tjetrin mbartur në prezencën e Perëndisë—që ne njerëzit këtu në Tokë nuk e kuptojmë. Dhe është e pafund. “Mirupafshim” është fjalë që nuk përmendet kurrë në parajsë.

Shën Joan Gojarti vetë përshkruan se si mund të ngjajë një marrëdhënie e tillë qiellore. Në  Letrën e tij drejtuar një Vejushe të Re, ai ofron shpresë dhe inkurajim për një grua që vajton burrin e saj të dashur të ndarë nga jeta:

Sepse e tillë është forca e dashurisë, pranon dhe bashkon, dhe lidh fort së bashku jo vetëm ata që janë të pranishëm, afër dhe të dukshëm, por edhe ata që janë larg; dhe asnjë gjatësi kohore, asnjë ndarje në hapësirë, asnjë gjë e tillë nuk mund të thyejë dhe të ndajë dashurinë e shpirtit.

Por nëse do ta kesh ballë përballë (sepse këtë di se ti dëshiron më shumë) mbaje shtratin të shenjtë nga çdo burrë tjetër për nder të tij, dhe bëj çmos që të bësh një jetë të tillë, dhe atëherë me siguri do të ndahesh nga jeta një ditë për ta takuar përsëri, jo për të banuar me të për pesë vite, si jetuat këtu, as për 20, 100, ose njëmijë vjet, apo edhe dyfishin e këtyre viteve, por në pafundësi.

Shën Joani thotë se në ringjallje bashkëshorti i saj do të jetë më i lavdishëm nga sa ajo imagjinon:

nëse do të provosh të jetosh të njëjtën jetë si e tija, do ta marrësh atë përsëri jo më në bukurinë mishore që kishte kur u nda nga jeta, por në një shkëlqim tjetër, në një ndriçim që është më i fortë se i diellit. Sepse ky trup, edhe nëse arrin një standard të lartë bukurie është megjithatë i vdekshëm; por trupat e atyre të cilët i kanë pëlqyer Perëndisë do të mbushen me një lavdi të tillë sa sytë tanë nuk do të munden ta shohin.

Dhe Perëndia na ka pajisur me dhurata të tilla, dhe shenja të turbullta të këtyre gjërave edhe tek Dhiata e Vjetër edhe tek Dhiata e Re. Më parë, fytyra e Moisiut shkëlqente me aq shumë lavdi sa ishte e patolerueshme në sytë e izraelitëve, dhe tek Dhiata e Re fytyra e Krishtit shkëlqente akoma dhe më shumë se e tija.

Shën Joani vazhdon bisedën, duke e nxitur atë të presë me durim bashkimin qiellor:

Më thuaj nëse ndokush ka premtuar se do ta bëjë burrin tënd mbretin e gjithë Tokës, dhe pastaj të ka urdhëruar të tërhiqesh për njëzetë vjet prej tij, dhe të ka premtuar se do të ta  sjellë sërish me kurorë dhe ngjyrë të purpurt, dhe të të vendosë në të njëjtin radhë me të, a nuk do të kishe duruar butësisht ndarjen me vetëkontroll? A nuk do të ishe e kënaqur me dhuratën, dhe ta quaje diçka të dobishme për tu lutur?

Atëherë nënshtroju kësaj tani, jo për të fituar një mbretëri në tokë, por një mbretëri në parajsë; jo për ta rimarrë atë të veshur me ar por me pavdekësi dhe lavdi ashtu si është e mirë për ata që banojnë në parajsë. 

Dhe nëse sfida është tepër e padurueshme për shkak të zgjatjes së madhe, mund të ndodhë që ai të të vizitojë me anë të vizioneve dhe të flasë me ty ashtu si më parë, dhe të të tregojë fytyrën për të cilën ti ke mall: le të jetë ky ngushëllimi yt  në vend të letrave, sepse vërtetë është shumë më i qartë se letrat. Sepse në rastin e letrave, ato nuk janë gjë tjetër veçse rreshta të shkruara me penë që ti shikon, por në atë të mëparshmen ti mund të shohësh pamjen, buzëqeshjen e tij të ëmbël, figurën e tij dhe gjestet, dëgjon të folurën dhe dallon zërin që ti e doje kaq shumë.

Nëse ajo do të priste me durim të bashkohej me bashkëshortin e saj pas udhëtimit të gjatë në tokë, atëherë sa shumë do të donte të priste për bashkimin e lavdishëm në parajsë!

Fjalët e Shën Joan Gojartit janë me të vërtetë ngushëllim për çiftet e martuara që jetojnë jetët e tyre në besnikëri dhe dashuri të përbashkët.