Një Tjetër Shenjtore Nga Familja e Romanovëve. Shën Anastasia e Kievit.

Originally appeared at: The Catalogue of Good Deeds

“Dhimbjet janë mëshirat e fshehura të Perëndisë” – shkruante Shën Tihoni i Zadonskut. Duke lexuar jetën e Shën Anastasisë ne mund ta shohim këtë shumë qartë. E tradhtuar nga bashkëshorti i saj, e dëbuar për shkak të një akuzimi të rremë, dhe kufizuar nga një sëmundje e keqe, Dukesha e Madhe Aleksandra Petrovna e Rusisë pati mundësi të fillonte një jetë të re të dëshiruar, të ndiqte Krishtin dhe të bëhej shenjtore. Shërbimi i Shën Anastasias në ndihmë të nevojtarëve dhe në Manastirin e Ndërmjetimit,  që ajo themeloi, na kujton Shën Elisabeta Fedorovnën. Të dyja shenjtoret ndanin të njëjtin ideal të shërbimit ndaj shoqërinë dhe murgërisë, por Manastiri i Ndërmjetimit u themelua 20 vite para themelimit të Manastirit Marta dhe Maria.

Në “Kafazin e Artë”                                                             

Dukeshë Aleksandra Frederika Vilhelmia e Oldenburgut (emri laik i Shën Anastasias përpara martesës) u lind në 1838 në shën Peterburg dhe u pagëzua si Protestante. Babai i saj, Princ Petro Gjergjoviç i Oldenburgut, ishte një ushtarak i njohur, shërbëtor civil dhe nip i Nikollës I. Duke ndihmuar babain e saj filantropist, Aleksandra u përfshi qysh në moshë të re në bamirësi. 

Në 1856 ajo u konvertua në Orthodhoksi dhe u martua me Dukën e Madh Nikolla Nikollaieviç të Rusisë, vëllain e perandorit Aleksandri II. Çifti pati dy djem, Nikollën dhe Petron. Martesa e tyre e volitshme nuk ishte shumë e lumtur. Pas 10 vitesh martese, princ Nikolla filloi një lidhje dashurie me një balerinë dhe krijoi një familje të dytë me pesë fëmijë, ndërkohë që princeshë Aleksandra u përqendrua plotësisht në bamirësi. Ajo themeloi në Peterburg Komunitetin e Ndërmjetimit me motra infermiere, një spital, një klinikë pacientësh të jashtëm, një jetimore për vajza, një shkollë mjekësore dhe institucione të tjera. “Ajo shfaqet në gjyq si një e marrë për Krishtin... Por vetëm të favorizuarit nga ajo e dinë sa të mira ka bërë. E gjitha kjo më duket aq e jashtëzakonshme sa jam gati të shoh ndonjë ogur të eksentricitetit”, — shkroi princ Dhimitër  Aleksandroviç Obolenski në 1877 në ditarin e tij, dhe kishte të drejtë; Aleksandra po i afrohej një kthese të fortë të jetës.

Një Udhë e Vështirë Për Tek një Jetë e Re

Në një përpjekje për të justifikuar sjelljen e padenjë të tij në sytë e popullit dhe perandorit, princ Nikolla e akuzoi publikisht Aleksandrën për pabesi. Aleksandri II nuk kishte dëshirë të hynte në këtë problem dhe urdhëroi që dukesha e madhe të shkonte jashtë shtetit për trajtim. Sëmundja e saj ishte vërtetë e rëndë. Sipas disa raportimeve, ajo humbi aftësinë për të ecur për shkak të një lëndimi të shtyllës kurrizore, ndërsa disa të tjerë thoshin se vuante edhe nga kanceri i gjoksit. Në 1897 Aleksandra u largua nga shën Peterburgu përgjithmonë. Trajtimi i shtuar që kaloi në Europë nuk e ndihmoi të ngrihej sërish në këmbë. Një vit e gjysmë më vonë, perandori i ri rus e ftoi princeshën përsëri në shën Peterburg, por ajo zgjodhi Kievin si shtëpinë e saj të re. Gjatë rrugës për në Kiev e, shenjtorja e ardhshme ndaloi në brigjet e malit Athos ku u vizitua dhe u forcua shpirtërisht nga jerondë të Malit të Shenjtë.

Në Kiev, doktorët e kishin të pamundur për të shëruar sëmundjen e Aleksandra Petrovnës. Ajo gjente shumë e më shumë ngushëllim tek lutjet dhe leximi i psaltirit, gjë që e quante “burim gëzimi i përjetshëm”. Në të njëjtën kohë ajo u mbush me idenë e kombinimit të jetës murgjërore me ndihmën aktive të nevojtarëve. Në 1889, me shpenzimet e saj, dukesha e madhe bleu një pronë të madhe në Lukianovka dhe atje themeloi Manastirin e Ndërmjetimit të Shenjtë. Ajo nuk e dinte se lindja e një “manastiri princëror” në këtë vend ishte parashikuar nga i bekuari Theofilusi i Kievit. (+1853). 

Në vitet e hershme, manastiri u rrethua nga shumë institucione bamirëse, një spital falas, një klinikë për pacientë të jashtëm së bashku me një farmaci, strehë për jetimët dhe për të sëmurët kronikë, si dhe një shkollë famullie me konvikt. Spitali falas kishte mjekët më të mirë dhe pajisjet profesionale. Makina e parë e rrezeve X e Kievit u shfaq për herë të parë atje. Aleksandra ndërtoi të gjitha godinat me shpenzimet e veta. Një herë i tha nuses së saj, që po vizitonte manastirin, “Këto ndërtesa janë vathët e mi, këtu është varësja ime, dhe të gjitha unazat e mia janë këtu”.  

Edhe pse manastiri jetoi sipas rregullit të rreptë të Shën Theodhor Studitit, numri i motrave që donin t’i bashkoheshin komunitetit arriti në 400 në vitin e parë të ekzistencës. Megjithatë kishte vend vetëm për 150 murgesha. Princesha vetë ndiqte rregullin më të rreptë nga të gjitha. Manastiri akoma po ndërtohej kur Aleksandra, pasi dha të gjitha fondacionet për themelimin dhe ndërtimin e tij, u vendos në një qeli të thjeshtë dhe veshi rrobat murgërore.

Shërimi për shërbimin e vetësakrifikimit  

Në 1891, pas vdekjes së bashkëshortit të saj, princesha u tonsurua në fshehtësi në Rasofor me emrin Anastasia. Kjo u bë e ditur pas vdekjes së saj, ku u zbulua testamenti i saj shpirtëror.

 Shenjtorja u shërua në manastirin që themeloi vetë. Ajo lutej për këtë çdo ditë përpara ikonës së Hyjëlindëses mrekullibërëse, të Poçaevit, që iu dhurua nga babai, deri sa një ditë mundi të ecte sërish. 

Pas kësaj, princesha mirënjohëse shumëfishoi punët. Filloi të kujdesej për pacientët në shtrat, ndihmonte kirurgët në operim, kujdesej për ushqimet dhe për jetën shpirtërore të të sëmurëve dhe motrave të tjera. Ajo shkonte në të gjitha shërbesat e shenjta, lexonte vetë Orët, Psalmet dhe Kanonet. Ajo gjithashtu vëzhgonte të gjitha ditët e kreshmës deri sa shëndeti iu dobësua shumë në 1894. “Murgesha mbretërore” vdiq pasi vuajti dhimbje të mëdha. Ndodhi gjatë Javës së Ndritshme, të enjten, në 13 prill 1900. 

Manastiri i Ndërmjetimit dhe varri i shenjtores mbijetuan sfidat që mbuluan Rusinë në shekullin e njëzetë. Në 2009, motër Anastasia u kanonizua dhe u nderua si shenjtore e Kishës Orthodhokse Ukrainase. Kujtimi i saj festohet në 2 Nëntor (dita kur u zbuluan lipsaneve të saj).

  • Shqip
  • العربية
  • English
  • Français
  • Deutsch
  • Bahasa Indonesia
  • Italiano
  • Português
  • Русский
  • Español