Pas 30 vjetësh të dëgjimit të rrëfimeve, prononcohet prifti i preferuar i rusëve

Kur njerëzit zbulojnë gjithçka, duke rrëfyer mëkate të tilla si vrasje, kurorëshkelje, ose pornografi, si duhet të përgjigjet një prift? Si është të dëgjosh mëkatet më të thella e më të errëta të çdo personi në kishën tuaj?

Atë Artemi dëgjon me qindra rrëfime çdo javë dhe ka më shumë se 30 vjet që e bën këtë. Në këtë intervistë të fuqishme, ai flet për llojet e mëkateve që njerëzit rrëfejnë, sesi u përgjigjet atyre dhe çfarë është më e rëndësishme, për fuqinë shëruese të rrëfyestores.

Nga të gjitha përballjet mbresëlënëse që kanë ndodhur në Moskë, një nga më të jashtëzakonshmet është një takim (ose më mirë akoma një rrëfim) me Atë Artemi Vladimirov. Thellësia dhe intensiteti i tij shpirtëror, ndjenja e tij e veçantë e humorit, sjellja e tij e butë dhe lozonjare dhe aftësia e tij për të sjellë ngrohtësinë e dashurisë në zemrat e atyre që takonte e kanë bërë atë një magnet jo vetëm për moskovitët e devotshëm por edhe për shumë emigrantë dhe vizitorë.

Në këtë intervistë të gjerë me Nënë Nektaria McLees, tema e rrëfimit bëhet një lente përmes së cilës një spektër i gjerë çështjesh në krishterimin orthodhoks dhe jetët e besimtarëve dhe priftërinjve ndriçohet fuqishëm, duke u luhatur nga stilet e priftërinjve dhe përqasjet e priftërinjve ndaj rrëfimit dhe duke vijuar përmes shpeshtësisë së pjesëmarrjes në kishë dhe rrëfimit; të çështjeve seksuale dhe të riprodhimit të tilla si pornografia, seksi paramartesor, aborti dhe homoseksualizmi; ashtu si dhe rëndësia e standardit të lutjes dhe çështjes së dëfrimit të botës.  

Gjatë intervistës, Atë Artemi nuk na ofron rregulla dhe formula por na zbulon personifikimin e një mendësie ndërsa diskuton për jetën e krishterë.


Ate Artemi Vladimirov

Atë Artemi Vladimirov

I dorëzuar prift në 1988 në agimin e restaurimit të Kishës Orthodhokse Ruse dhe i autorizuar nga priftërinjtë, hierarkët dhe murgjërit që kishin ruajtur një përshpirtmëri të thellë përgjatë viteve të trazuara të Bashkimit Sovjetik protopresviteri Artemi Vladimirov i Kishës së Gjithë Shenjtorëve në Manastirin e grave në Novo-Alekseevsky Stavropegial në Moskë është një nga rrëfyesit më me përvojë në Rusi.

Ashtu si të gjitha kishat sllave, rrëfimi para marrjes së Kungatës së Shenjtë është standardi i artë dhe qëndrimi në të turmën prej qindrash pendestarësh të Kishës së të Gjithë Shenjtorëve në fundjavë ose një shërbesë festive është një përvojë unike.

Punëtorë, nënat me fëmijë, pensionistë, studentë, biznesmenë e vizitorë nga qytete të tjera ruse dhe jashtë Rusisë, të gjithë presin disa herë për orë të tjera, për t’u rrëfyer ose për të folur për disa çaste me Atë Arteminë ose një nga priftërinjtë e tij asistentë.

Ndjenja në këtë turmë është e pazakontë. Ndërsa shumë prej radhëve të rrëfimit karakterizohen nga një trishtim i errët, kjo përcjell durim dhe një pritshmëri të gëzueshme. Shpesh, Atë Artemi i ndërpret rrëfimet për të përshëndetur e bekuar njerëzit në turmën që priste, duke shpërndarë ikona të vogla ose ëmbëlsira, duke dëgjuar rrëfime pëshpëritëse të fëmijëve, pleqve e të sëmurëve, duke pranuar rrëfime të shkruara nga besimtarë të rregullt të famullisë dhe duke bërë komente të përzemërta dhe humoristike që i lënë si besimtarët ashtu edhe vizitorët të kënaqur. Edhe nëse kanë ardhur të ngarkuar me barrë dhe ankth, asnjë nuk largohet pa ndier se shpirti i tyre është prekur nga hiri i Perëndisë dhe pa buzëqeshje.

Dëshmia e një rrëfyesi, konsiston më së shumti në shpirtra të shpëtuar, jetë të transformuara, lutje që marrin përgjigje dhe ne nuk mund të depërtojmë lehtësisht në këtë sferë shpirtërore. Por duke u rrëfyer te Atë Artemi, qoftë një herë ose për shumë vite, dikush vjen në një besim më të thellë te Perëndia dhe një perceptim më të mirë të të afërmit.

Ndërsa intervistat e Atë Artemisë janë shfaqur në faqe të shumta, kjo është unike për faktin që pyetjet e mëposhtme mbi praktikën e rrëfimeve janë dhënë nga priftërinj orthodhoksë amerikanoveriorë të juridiksioneve të ndryshme dhe me përvojë shumë vjeçare dhe nga laikë të krishterë orthodhoksë.

Rrëfimet e jetës dhe rrëfimet e para

Rruga për në Emaus (RTE): Të falënderoj që po bisedon përsëri me ne, Atë Artemi;si gjithnjë është kënaqësi që t’ju intervistoj. Le të fillojmë me disa pyetje mbi rrëfimin nga barinj me përvojë dhe të sapo dorëzuar. E para është : “Si mund të bëhet një rrëfim për gjithë jetën për dikë që do të pagëzohet ose miroset?”

Atë Artemi: Një rrëfim për jetën nuk bëhet vetëm për këto raste por sa herë që një person i ri vjen te unë si prift dhe e ndiej se nuk janë mësuar me rrëfimin. Ata mund të kenë qenë pagëzuar fëmijë por nuk kanë ardhur në kishë ose një person ka ardhur që të ndajë disa vështirësi të jetës së vet, si për shembull një nënë që dëshiron të më tregojë problemet e fëmijës së saj.  

Në shumicën e këtyre rasteve kur e ndiej se ky person ka pak përvojë nga rrëfimi, e ndihmoj për t’iu përgjigjur pyetjeve. Unë përpiqem ta ndihmoj këtë të krishterë të kujtojë gjithçka nga jeta e tij e mëparshme dhe 99% e kohës këta persona janë të zellshëm të rrëfejnë dhe ata u përgjigjen me dëshirë pyetjeve të mia. Kjo është mënyra më e mirë për të ndihmuar dikë të hyjë në Kishë dhe të nisë një jetë të krishterë. Koincidon me fjalët e Zotit: “Pendohuni, sepse mbretëria e qiellit është afër”. Ky është guri i themelit i jetës shpirtërore dhe nëse një prift përpiqet të jetë i vëmendshëm dhe i zellshëm, rrëfimi është zgjidhja kryesore me anë të së cilës njeriu bashkëkohor  mund të heqë nga zemra e tij barrën e rëndë dhe të vijë te Krishti. Një rrëfim i jetës e ndihmon atë që të çlirohet nga ndikimi i demonëve, i skllavërisë prej pasioneve dhe kjo është mënyra më e mirë që të ndihet një luftëtar shpirtëror i krishterë.

RTE: Në Rusi ku njerëzit rrëfehen shumë më shpesh por më shkurt sesa në traditën orthodhokse greke, ju do të keni gjithnjë një turmë të madhe njerëzish që prisnin të rrëfeheshin në vigjiljen e të shtunës apo të dielën në mëngjes, disa që vijnë çdo javë dhe të tjerë që vijnë për herë të parë. Ndonëse zakonisht supozohet se rrëfimi i jetës duhet të kërkojë shumë kohë, ju mund ta bëni shpejt dhe rrënjësisht, apo jo?

Atë Artemi: sigurisht që nëse kam një projekt shpirtëror po ta themi kështu, është që ia jap zemrën time kësaj procedure.  Unë përpiqem t’i bëj pyetjet jo ftohtë, sikur të isha gjykatës në sallën e gjyqit por me butësinë e një ati. Prandaj unë i vendos njëra pas tjetrës pyetjet e mia, duke filluar nga fëmijëria dhe do të kërkojë vetëm rreth pesë minuta për të përmendur mëkatet kryesore.

Unë ua përshtat pyetjet e mia fazave të jetës së një personi: mëkatet e fëmijërisë e më pas mëkatet më të rënda të viteve të adoleshencës dhe pas këtyre, mëkatet më serioze deri në momentin e rrëfimit. Nëse dikush nuk ka bërë asnjëherë rrëfim, është më mirë të fillohet me pyetje mbi mëkate të lehta dhe fëmijërore, të tilla si ato në lidhje me mosbindjen, vjedhjet si fëmijë, ose kokëfortësinë; pastaj mëkatet e gjuhës, si mallkimet dhe mashtrimet. Më pas, ju arrini periudhën e rinisë, që sigurisht fillon të përfshijë mëkatet mishore. Ju duhet të shtoni pyetje rreth mëkateve të jashtme të tilla si rrahjet ose mashtrimi i dikujt dhe mëkate më të brendshme si krenaria, dëshpërimi apo zemërimi. Më pas është mosha e pjekurisë, që ka të bëjë me martesën dhe tradhtitë bashkëshortore e të tjera të ngjashme.  Ata mund të thonë disa fjalë për situatën, ose thjesht të përgjigjen me “po” ose “jo”. Nëse janë të shqetësuar ose në siklet, ata mund të tundin kokën e mjafton.

Ate Artemi Vladimirov

Me mënyrën time të rrëfimit, gjallërisht por jo me nxitim  – ne mund të hapim thellësitë e jetës së dikujt në pesë minuta. Ndonëse disa njerëz duan të flasin në detaje të imta, nuk ka nevojë të marrësh në pyetje një person të ndrojtur ose të shqetësuar.  

Ky është si operacion sepse e ndihmoni personin për të ekspozuar plagët e thella të zemrës së tij, shpesh për herë të parë në jetën e tij. Secili prej nesh ka një imazh të asaj se kush është me të vërtetë një person dhe shpesh i fshehim fajet dhe të metat tona. Ne kemi një prirje për të mos ekzistuar por për t’u dukur se ekzistojnë. Ne kemi një imazh i asaj sesi duhet të jemi por ne e fshehim fytyrën tonë reale dhe largohemi prej Perëndisë. Prandaj, ky operacion, një rrëfim i parë është një nga ngjarjet më të rëndësishme në jetën e një personi. Ёshtë e vështirë të mbivlerësosh rëndësinë e kësaj bisede pesëminutëshe me një prift, sidomos nëse vetë prifti e kupton se ky takim ndodh në emrin e Trinisë së Shenjtë.

RTE: Po sikur ky person të jetë dikush që është i mësuar me rrëfimin?

Atë Artemi: nëse shikoj një person për herë të parë dhe kuptoj se shkon në kishë rregullisht, sigurisht që nuk kam qëllim të depërtoj në zemrën e tij por e lejoj që të rrëfej atë që dëshiron. Detyra ime nuk është të hetoj ndonjë gjë por që të zbus zemrën e tij, që ta ndiejë prekjen e hirit të shenjtë. Sesi e bëj këtë varet nga psikologjia ime priftërore, qëndrimi dhe mënyra ime e rrëfimit.

Nëse përpiqem që të jem si një atë që shfaq thellësitë e dashurisë shpirtërore, ky i sapokonvertuar do ta ndiejë menjëherë qëllimin tim si prift. Ne e dimë se veprimi i hirit nuk varet nga gjendja ime e brendshme dhe rezultati i këtij ose atij misteri nuk varet nga cilësitë e mia morale. Megjithatë, gjendja ime psikologjike dhe e shpirtit tim është e rëndësishme sepse njerëzit ose e kuptojnë qëllimin tim për t’i ndihmuar ata ose e kuptojnë se nuk marr pjesë me të vërtetë në jetën e tyre.

Prandaj nëse një prift është i vëmendshëm dhe përpiqet të ishte një mjet në dorën e Perëndisë, ndikimi i hirit të shenjtë është i dukshëm. Nëse nuk jam i vëmendshëm, nëse jam thjesht një funksionar i Kishës institucionale me një qëndrim formal dhe nuk jam fare i interesuar në gjërat që kanë të bëjnë me shpirtin tuaj, unë mund të duket sikur jam afër teje por realisht nuk jam.  Kjo është diçka e tillë si mjekësia perëndimore ku shumë mjekë buzëqeshin por nuk kanë interesim personal, asnjë bisedë rrëfimore, por thjesht një shfaqje kompjuterike, disa kurime dhe fasha. “Këto janë problemet tuaja dhe ju duhet ta merrni këtë apo atë ilaç”, por shpesh nuk ka një marrëdhënie reale këtu. Marrëdhëniet janë të ndaluara, sikur të jem njëfarë automati apo roboti.

Sigurisht një prift mund të jetë kështu por nëse një person është i sinqertë dhe beson se është në praninë e Krishtit, ai do të ndiejë prekjen e hirit të shenjtë, edhe nëse prifti është i shkëputur plotësisht prej tij. Shpesh në Rusi, kur orthodhoksët vijnë nga vendet e tjera ne dëgjojmë “Oh, ne kemi priftërinj të shkëlqyeshëm në Poloni ose Francë, mjaft kompetentë dhe profesionalë, por janë të ndryshëm. Këtu në Rusi është një tjetër botë”. Sigurisht ne e dimë se ka priftërinj orthodhoksë të sinqertë në shumë vende por unë mendoj se çfarë vënë re këta të krishterë është kjo përqasje personale, kur një prift rus kujdeset për ty dhe për të qenë pjesë e jetës tënde.

Përqasje priftërore ndaj rrëfimit

RTE: Priftërinj të ndryshëm duket se kanë mënyra të ndryshme të të dëgjuarit e rrëfimit. Atë Artemi: Në Moskë gjithashtu shikoj se priftërinjtë kanë përqasje shumë të ndryshme ndaj rrëfimit të famullitarëve të tyre. Disa janë të hapur dhe mikpritës ndërsa të tjerët kanë grupin e tyre specifik të famullitarëve dhe kufijtë e këtij grupi  janë të përkufizuar mirë. Më kujtohet një prift i mirë nga kisha ime – ai ishte i dashur, buzëqeshës, i mençur, por ai kishte një numër famullitarësh që ishin fëmijët e tij të veçantë. Ai i dëgjoi rrëfimet e tyre me shumë vëmendje, pa i nxitur ata kurrë që të nxitojnë dhe pa kushtuar vëmendje ndaj numrit të madh të njerëzve që gjithashtu donin të rrëfeheshin dhe që mund të prisnin me orë të tëra pa qenë aq me fat që t’i afroheshin këtij prifti.

Kjo ishte për mua shumë e çuditshme, por që atëherë kam mësuar që në një famulli tjetër të Moskës, një prift i mirënjohur nuk i bekon kurrë famullitarët për të rrëfyer Kungimin e Shenjtë nga ndonjë njeri përveç tij. Ndoshta kjo vetëm ka të bëjë me një rreth të brendshëm të bijve të tij shpirtërorë, sepse nuk është një rregull e jashtme, nuk printohet publikisht por unë konkludoj se kjo ka të bëjë me njëfarë bashkimi shpirtëror dhe se ky prift është qendra esenciale e kësaj familjeje shpirtërore.

Unë praktikoj qëndrimin e kundërt: unë nuk kam “bijtë e mi shpirtërorë”, që janë dele, ndërsa çdo njeri tjetër është nuk pjesë e grigjës sime. Në perceptimin tim, një prift orthodhoks duhet të jetë i hapur me të gjithë, si Krishti që i shtrin krahët në kryq. Meqë unë jam protopresviter në kishën time, unë nuk dal nga altari me kupën. Ua lë priftërinjve të tjerë që të shërbejnë Kungatën e Shenjtë, që të mos ketë radhë sipas personaliteve.

RTE: Ky pastor pyet: “Disa priftërinj priren që ta barazojnë besnikërinë ndaj Orthodhoksisë me rreptësinë. Si të konvertuar perëndimorë ne e dimë se dështojmë në praktikat orthodhokse tradicionale, por shpesh duken të vështira për t’u aplikuar. Si e shikoni ju këtë?”

Atë ARTEMi: Unë njoh një murg mjaft të devotshëm që është shumë i përpiktë në këtë mënyrë rreth përgatitjes për Kungatën e Shenjtë. Kur njerëzit i afrohen kupës së shenjtë, ai ndalon shërbesën që t’i pyesë ata në një mënyrë të fortë dhe depërtuese sesi janë përgatitur. Nëse dikush ka lexuar vetëm gjysmën e kanonit ndaj engjëllit të tij mbrojtës ai do të thotë “Oh, jo! Ju duhet ta lexoni atë deri në fund”. Sipas mendimit tim, ky qëndrim formal është i pasaktë.

Ka dhe priftërinj që janë juristë në zemër dhe që kanë disa kritere të jashtme në të rrëfyerit e njerëzve. Ata nuk e ndiejnë shpirtin e një personi dhe nuk janë në gjendje që të çmojnë dëshirën e tyre për t’u penduar dhe për të pasur Kungimin e Shenjtë. Ata nuk mund ta kuptojnë se ka shumë mënyra që të çojnë te Perëndia dhe lloje të ndryshme përgatitje për këtë takim me Zotin tonë.

Disa njerëz nuk janë të mësuar ta marrin në dorë librin e lutjeve por e ndiejnë megjithatë ngrohtësinë e nënës së tyre, Kishës. Ata janë si foshnje që nuk mund të lexojnë ende, por e ndiejnë aromën e qumështit të nënës, e u ngjiten gjirit të saj dhe nuk duhet t’i largosh.

Kriteri kryesor për një prift është dashuria e Krishtit, që ju ndihmon të dalloni prirjen e zemrës njerëzore, edhe në përpjekjet e tyre më të ndrojtura për të shikuar drejt Perëndisë. Ju duhet ta shartoni këtë person në pemën e gjallë të Zotit tonë Jisu Krisht. Siç thotë Shën Joan Gojëarti: “Detyra ime është t’i bashkohesh degës së egër të Hardhisë së lulëzuar”, prandaj është absurditet kur një prift vepron si polic: “Nuk lejohet! Nuk lejohet kalimi! Pronë private! Largohuni!” ((të qeshura)). Ose sikur ai të ishte një oficer sigurimi në aeroport. “Jo! Viza juaj nuk është në rregull! Jo, jo, duhet të internohesh se është ligji i Lartmadhërisë, nuk ka asnjë përjashtim!”

RTE: Tani ne kemi një shënim nga një prift i ri që do të fillojë të dëgjojë rrëfime. Ai kërkon këshillën tënde sesi të jesh rrëfyestar i mirë.

Atë Artemi: Oh, sa e thjeshtë dhe e vështirë në të njëjtën koha. Nuk duhet të jesh i padurueshëm, si ai që është i ulur në një karrige elektrike. Por kjo mund të jetë e vështirë: “Batiushka, unë kam tri pika urgjente”. “E para është më e rëndësishmja, por nuk mund ta shpreh dot. Unë nuk di as nga t’ia nis”. Ky është një mundim, sidomos nëse ky person nuk mund t’ju japë ide (e qeshur)). Ndonëse ai është milioner, nuk do të jetë e vështirë që të dëgjosh me vëmendje: “Vetëm përpiqu t’i shprehësh mendimet me më shumë hollësi...” “Le të lutemi, le të vazhdojmë, të lutem …” “Jo, nuk po më bezdis aspak” (më shumë të qeshura).

Por nëse është thjesht një gjyshe me syzet e saj si gjyshja e Tom Sojerit: “Vetëm imagjinoni, atë i shenjtë, hyra në dhomë dhe thirra: “Tom, ku je?” Asnjë përgjigje. E përsërita: “Ku je Tom?”. Asnjë përgjigje. Unë madje u përkula për të shikuar nën shtrat por nuk ndodhej aty. A mund ta imagjinoni?! Pra është e vështirë të gjesh kënaqësi në shoqëri të tilla, të ndiesh që imazhi i Perëndisë është i fshehur atje, të veprosh sikur të ishte një perlë e çmuar dhe të komunikosh me mikpritje, interesim dhe vëmendje.  

Unë mendoj se ndoshta tridhjetë vjet pas rrëfimit tënd të parë, unë nëse jeni përpjekur që të jeni të vëmendshëm dhe të jepni pak nga zemra juaj për çdo person ju do të filloni të zbuloni se çdo rrëfim do t’ju japë hir. Të gjitha përpjekjet tuaja për të ndihmuar një person do të shpërblehet menjëherë sepse është Krishti që është i pranishëm dhe është Ai e jo ju që i fal mëkatet. Ju jeni dëshmitarët e kësaj ringjalljeje të një shpirti të pavdekshëm, çlirimi i tij nga energjitë demoniake dhe do të ndieni ndikimin e kësaj mrekullie. Ju nuk do të ndiheni më të rraskapitur nga këto rrëfime por do të gjeni ngushëllim të papritur.

Kur kam qenë një prift i ri në Kishën tonë të të Gjithë Shenjtorëve në Krasnoselskaya, në vigjiljen e të dielave dhe ditëve festive kam dëgjuar rrëfimin nga mbrëmja deri në orën 1 apo 2 të mëngjesit. Në fund, kishin mbetur vetëm pesë ose gjashtë famullitarë, më së shumti studentë dhe kur u afruan më në fund për rrëfimin, koka të është fryrë si tullumbac dhe pyet veten “për çfarë është duke folur? Për çfarë është duke folur?”

Ose mund të jetë një grua e famullisë që është shumë e mësuar me rrëfimin por ndoshta sot ka shumë emocione ose një perceptim të çuditshëm të gjërave. Ajo nuk është e dehur por esëll, flet një rusishte të rrjedhshme, ti je i zgjuar dhe e vetëdijshme si një ushtar i mirë por nuk mund ta kuptosh atë që ajo po thotë! Mënyra e saj e perceptimit të gjërave – shkaqeve dhe pasojave, vëzhgimet mbi këtë apo atë fakt – ti thjesht nuk kupton ndonjë gjë. Veçmas, të gjitha fjalitë janë të qarta por nuk kanë kuptim. Kur unë kam qenë një prift i ri, unë do të dëgjoja këtë lloj gjëje për një çast dhe pastaj do të merrja petrahilin dhe do t’ia hidhja mbi krye. Ajo do të kundërshtonte: “Jo, kjo s’ishte gjithçka për të cilën duhet të flisja. Thjesht dëgjoni, unë nuk kam arritur të them gjënë më të rëndësishme!” “Unë kuptoj gjithçka”. “Jo! Jo!” Ose edhe më keq, kur e shfaq irritimin: “Qepe se nuk kam kohë! Jo një botë tjetër!” ((e qeshur))

Një prift i mirë nuk e bën këtë. Prandaj është një akt heroik i vërtetë që të gjesh mënyra me njerëzit.  Unë mendoj që këmba e fundit e shkallares së përvojave të priftit është të jesh në gjendje të ndiesh aspektet e ndryshme të një shpirti njerëzor dhe t’u përhashtatesh atyre. Jo që t’u dorëzohesh mënyrave të çuditshme të ndërveprimit, por që të drejtosh procesin. Në një hotel provincial, unë pashë një shënim të vendosur në  sportel: “një mysafir mund të mos ketë të drejtë por ai duhet të kënaqet”. Prandaj është shumë e rëndësishme që një person të ndihet i kënaqur që zemra e tij është e lehtësuar, qetësuar dhe e pajtuar. Ju duhet ta ndihmoni atë që të gjejë mënyra për ta kryer rrëfimin dhe ta përfundojë atë.

Përgatitja për kungatën e shenjtë

RTE: Kjo është një çështje që filluat ta preknit para disa çastesh: “Si sugjeroni që njerëzit të përgatiten për Kungatën e Shenjtë?”

Atë Artemi: Sigurisht që rusët janë zakonisht mjaft të skrupullt dhe të devotshëm dhe disa prej tyre janë të bindur se duhet të agjërojnë rreptësisht për tri ditë para se të marrin Kungatën e Shenjtë, por sot ne kemi  udhëzime nga Sinodi nuk është e domosdoshme një kreshmë tri ditëshe, është mjaft që të kesh kreshmën eukaristike. Pra, nëse dëshironi të merrni Kungatën e Shenjtë të mërkurën, ose të martën ju duhet të abstenoni nga mishi dhe ndoshta edhe nga produktet e djathit, duke filluar nga ora 6 e pasdites. Në Rusi, besimtarët e devotshëm përpiqen që ta marrin sa më shpesh Kungatën e Shenjtë dhe nuk pritet që të kreshmojnë gjatë gjithë ditës së mëparshme. Në fakt edhe kjo nuk është një kërkesë absolute, sepse shumë priftërinj kanë kohë vetëm për darkë pas vigjiljes dhe ata e dinë se mesnata është afati absolut. Sigurisht që nuk duhet të hani gjatë natës.

Unë do të thosha që një prift që dëgjon rrëfimet e njerëzve duhet t’ia japë vëmendjen një tjetër aspekti të përgatitjes: ne duhet të jemi mjaft striktë që t’u kërkojmë atyre që të jenë në paqe me të afërmit dhe komshinjtë. Të mos jenë indinjues, të irrituar, të ftohtë por duhet të jenë të butë dhe paçebërës. Nëse një person ka një zemër të tillë dhe nuk është i shpejtë të gjykojë atëherë kjo mjafton. Sigurisht ata duhet të njohin gjithashtu disiplinën e kishës për përgatitjen, por për mua gjëja më e rëndësishme është gjendja e zemrës së tyre.

Sigurisht, të përpiqesh të ruash zemrën të pastër, të kundërshtosh pushtimin e mendimeve të papastra, të jesh në një gjendje lutjeje dhe të kundërshtosh të gjitha shigjetat e ndezura të demonëve, do të thotë që të ecni në praninë e Atit tuaj qiellor dhe të kesh një lloj lutjeje. Moto ime është shumë e shkurtër: “Si duhet të jetojmë që të kemi Kungatën e Shenjtë? Ne duhet të jetojmë me një lutje të drejtuar Perëndisë dhe me dashuri ndaj njerëzve”. Lutu Atit tonë në mendjen tuaj, në fjalët tuaja dhe në zemrën tuaj dhe ki dhembshuri të sinqertë për të afërmit e tu.

RTE: Ёshtë e zakonshme t’i shohësh famullitarët të nxitojnë të përfundojnë tri kanonet dhe lutjet para Kungatës para se të futen në rreshtat e Kungatës.

Atë Artemi: Sigurisht, përmbushja e kanoneve dhe lutjet është diçka e mirë por nuk është një synim në vetvete. Nuk është një fjalëkalim elektronik që e lejon makinën tuaj që ta hapë vetiu vendkalimin. Do të ishte naive të kishim idenë: “Oh, unë i kam kryer të gjitha lutjet e mia. Unë jam i denjë për qytetarinë e Jerusalemit qiellor”.

Cilat janë këto lutje? Ata ndezin zjarrin e lutjes tënde dhe ne duhet ta mbushim këtë vatër zjarri me degë që të bëhet një flakë e ngrohtë. Kjo s’do të thotë që duke e përfunduar komboskinin e lutjeve dhe kanonet, çdo gjë është në rregull sepse nuk ka asnjë kuptim nëse i lexon kanonet mekanikisht, ndërkohë që mendja e zemra nuk përjeton asgjë.

Më kujtohet një prift shumë i mirë i cili kur erdhi për të shërbyer në mbrëmje, i bëri kanonet e lutjet përmendësh. Por mënyra e lutjes së tij ishte e habitshme...si zjarr i vrullshëm, si një kallashnikov (e qeshur). Ne nuk duhet të harrojmë se lutja jonë është një kërkesë ndaj Atit tonë dhe kanonet na ndihmojnë që të ngrohim zemrat dhe na frymëzojnë që të vazhdojmë lutjen. Ёshtë interesante që në librin e shërbesave të priftit ne kemi një shënim për përgatitjen për të marrë Misteret e Shenjta ku mësojmë se paraardhësit tanë nxiteshin të dëgjonin Orën e Parë, të Tretë, të Gjashtë dhe të Nëntë. Ata duhet të mendonin për Zotin tonë Jisu Krisht, mundimin dhe kryqëzimin e Tij dhe të reflektonin mbi këtë temë. Ata nuk duhet t’i bënin këta gjëra në një mënyrë mekanike ose formale dhe nëse nuk mund të lexonin, do të përdornin Lutjen e Jisuit. .

Kjo vetëm sa do të thotë që përgatitja për Kungatën e Shenjtë nuk është e vetvetishme e një seri udhëzimesh si bëj këtë apo atë, siç na tregon navigatori ynë elektronik (as zëri i një burri apo një gruaje por një pakicë ... ) “Rruga është gati, qëndro nga e djathta...pas tri metrash kthehu majtas” (e qeshur). Prandaj përgatitja për këto dhurata qiellore nuk është diçka mekanike por krijuese. Duhet të përgatisni zemrën tuaj dhe jo të jini si një ushtar i ngurtë prej druri.

RTE: Sa shpesh rekomandoni që njerëzit të marrin Kungatën e Shenjtë?

Atë Artemi: Varet. Një grua beqare ose një student jeta e të cilit është plot me detyrime familjare, janë si mështeknat e njoma në pranverë. Ata mund të shkojnë në kishë dhe për ta Liturgjia e Shenjtë është jeta e tyre. Nëse janë të qetë, jo egoistë, të irrituar ose të shqetësuar, nëse janë mirënjohës dhe të butë dhe kisha është bërë një shtëpi e vërtetë, le të kenë Kungimin e Shenjtë nëse e dëshirojnë fort. Unë nuk ndiej ndonjë nxitje për t’i kufizuar ata ndaj disa periudhave të caktuara kohore. Nga ana tjetër, mund të ketë disa kufizime për të martuarit sepse ata kanë jetën e tyre martesore dhe nuk është diçka e lehtë që ata të shkojnë në kishë gjatë javës. Sigurisht që ata që kanë familje përpiqen të jenë të pranishëm të dielën dhe ditët e kremteve të mëdha.

RTE: Ky pastor pyet: “Kur u kërkoni njerëzve që të rrëfejnë mëkatet e tyre në hollësi dhe kur është i mjaftueshëm  një tregim i thjeshtë i mëkatit?”

Atë ARTEMI: Një prift nuk duhet të jetë shumë i përpiktë sidomos kur dikush rrëfehet për herë të parë dhe biseda gjatë rrëfimit ka të bëjë me mëkatet e mishit. Gjëja më e rëndësishme sidomos me një shpirt të sapokthyer është ta ndihmosh këtë person të dallojë midis mëkatit dhe virtytit, dritës e errësirës, të mirës e të keqes; t’i ndihmosh të mohojnë ndotjet e kaluara dhe ta kthejnë zemrën e tyre ndaj virtytit të krishterë. Në Rusi, një prift shpesh e sheh veten duke folur me shpirtra të zellshëm të cilët nuk janë të kënaqur me një rrëfim të thjeshtë: “Atë, të lutem më ndihmo, unë jam aq i turpëruar për disa mëkate mishore saqë nuk mund t’i them dot me zë të lartë”. Nëse një prift e sheh se ky person është i zellshëm për të pastruar zemrën e tij, ai duhet ta ndihmojë që t’i përmendë këto faje butësisht dhe të kënaqet me një tundje të kokës së pendestarit ose një pohim me kapakët e syrit. Shumë njerëz i shkruajnë rrëfimet e tyre që i kanë të vështira për t’i thënë me zë.

Sigurisht që ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm, sidomos nëse është një vajzë ose grua dhe të mos shfaqim shenja habie, tmerri, neveritjeje ose diçka tjetër. Ne duhet të jemi si mjekët që janë të mësuar me çdo gjë. Ka rëndësi rezultati, falja e mëkateve dhe shkëputja nga abuzimet e jetës së kaluar dhe një prift i aftë dhe i zellshëm mund t’ju ndihmojë që të rrëmoni thellë, për të përmendur mëkatet e gjuhës, më pas mëkatet e lidhura me krenarinë dhe gjëra të tjera. Ёshtë krejt e natyrshme që një person të ndihet i turpëruar ose në ankth dhe shpesh ata nuk ndihen rehat nëse të tjerë po presin radhën e tyre. Prandaj një prift duhet të jetë sa mirë mirëkuptues, i shpejtë në të dëgjuar dhe i shpejtë të ndihmojë. Ka rëndësi që të bëhet sa më lehtë e si një elefant që shtyp zemrën e një pendestari të gjorë. 

RTE: Kjo është pyetja e një prifti të ri. Ҫfarë bën për çiftet që jetojnë së bashku por tani duan të martohen në Kishë? A duhet të shkëputen nga marrëdhëniet deri për dasmë?

Atë Artemi: nëse të dy e kuptojnë nevojën për të shenjtëruar dashurinë e tyre, po ta themi kështu, nëse e kuptojnë se marrëdhëniet e tyre nuk janë pa mëkat sepse kanë shmangur bekimin e Perëndisë, nëse e ndiejnë se nuk është çdo gjë e pastër ose e shëndetshme në bashkimin e tyre, ata do të vijnë në rrëfim dhe do të shprehin gatishmërinë e tyre për shenjtërimin e martesës.

Për shembull, dje gjatë vigjiljes së Ungjillëzimit, kisha tre çifte njëri pas tjetrit, që më erdhën në rrëfim me qëllimin për të pasur një martesë në kishë. Unë ua dëgjova rrëfimet dhe u rekomandova që të përgatiten për këtë ngjarje madhore. Nëse ndiej se është një qëllim i dyanshëm dhe jo vetëm ai i një gruaje të devotshme, rekomandoj që ta trajtojnë njëri-tjetrin si vëlla e motër deri në martesë por nuk i detyroj ta bëjnë këtë: “kjo është fjala ime! Mos guxoni që të vini dorë ndaj njëri-tjetrit! Mos e prek të afërmin tënd as me gishtin e vogël! Në çastin që do ta puthësh dhëndrin në sup do të të godasë rrufeja! Kjo lloj dashurie është gjithnjë e çuditshme.

Siç thotë thënia e mençur: “duhet ta japësh një lajm të pakëndshëm me buzëqeshje”. Çdo gjë varet nga antonimi i zërit e mënyra e të folurit. Nëse sipas rrethanave mundësia e martesës në kishë është gjashtë muaj ose një vit dhe bashkëshortët nuk janë aq vendimtarë sa mund të jenë në këtë situatë, unë mund të them :  “E shikoni, nëse do të donit që gjithçka të ishte siç ka qenë në shekullin e 19-të midis Natalia Rostovës dhe Pierre Bezukhovit ose Masha Mironovës dhe Pyotr Grinyov-it,1 nëse do të donit që gjithçka të ishte e përshtatshme, sigurisht që do të abstenonit, por gjithashtu duhet të dërgoni mesazhe dashurie dhe me siguri duhet ta ushqeni atë. Sa më të vetëpërmbajtur  që të jeni, aq më shumë lumturi do të ndieni dhe aq më shumë prej hirit të Perëndisë do t’ju vizitojë”.

Por si prift nuk duhet t’i shtysh sidomos nëse iniciativa ka qenë e njërit prej bashkëshortëve dhe tjetri thjesht e ndjek. Për shembull, burri mund të mos jetë i zellshëm por ai nuk është një gomar që gërmon me thundër për ta shmangur këtë ngjarje. Ndoshta ai nuk është aq i përshpirtshëm por nëse nuk mohon një martesë kishe, kjo është tashmë një arritje.  Prandaj mos u bëni të bezdisshëm. Bëjeni të qartë qëllimin por le të vendosin se çfarë mase do të marrë ky podvig (betejë shpirtërore). Në jemi më të interesuar në rezultatin.  

Sigurisht që është më mirë që ata të jenë “pionerë,” një imazh i fëmijëve të mirë në kohërat sovjetike por nëse jap informacionin e nevojshëm dhe ata buzëqeshin në mirëkuptim, mjafton. Si prift, mos ji i marrë si një mushkë dhe të përpiqesh të përgjigjesh sikur te ishe një torturues. Nëse po, do të shkaktosh një krizë midis tyre. Nëse po, do të shkaktoni një krizë midis tyre. Do të jetë faji juaj nëse ke këmbëngulur dhe ai për shembull nuk është gati të jetë plotësisht i pastër. Ka rëndësi që të mos ta detyrojë atë të largohet dhe të gjejë një surrogat. Ky subjekt është si një pëlhurë e brishtë që nuk duhet grisur. Ne duhet të jemi delikatë. Ndonjëherë mjafton që të japësh një mesazh, të flasësh për diçka serioze me pak humor, që të mos jetë shumë e vështirë që të dëgjojnë.

Atë Artemi Vladimirov

RTE: Si i ndihmoni gratë që kanë pasur aborte?

Atë Artemi: Shumë gra që i rrëfejnë abortet po rrëfejnë për herë të parë dhe sigurisht ata pendohen thellësisht për abortet e tyre, që zakonisht kanë ndodhu disa vite më parë. Unë sugjeroj që të bëjnë tri, katër ose pesë metani, në vartësi të numrit të aborteve për dyzetë ditë me një lutje: “Oh Perëndi, ki mëshirë për mua mëkatarin dhe dëshira jote u bëftë në këta fëmijë”. Në shumë raste këta gra i kujtojnë këto vepra, kanë një ndërgjegje të munduar dhe kanë një pendesë të brendshme në zemrat e tyre. Unë nuk e quaj të arsyeshme që t’ua ndaloj Potirin e Shenjtë, sepse shpesh ata nuk kanë pasur përvojë me Eukaristinë. Krejt e kundërta! Le ta marrin Kungatën e Shenjtë dhe Perëndia i Gjithpushtetshëm i ndriçoftë zemrat e tyre me ndjenjën e dashurisë së Tij. Ndërsa afrohet hiri i Perëndisë, ata do të ndryshojnë këndvështrimin e tyre dhe do të pendohen për tërë jetën. Nga ana tjetër nëse një grua që është një besimtare e rregullt e famullisë të thotë se ka bërë një abort, kjo është një çështje tjetër. Nuk është një mëkat i përditshëm dhe sigurisht që është një katastrofë, një rënie e madhe. Ёshtë një tradhti e dashurisë dhe mirësisë së Perëndisë. Në këtë rast, sigurisht që duhet të jemi të ashpër dhe nuk duhet të nxitojmë që t’ua japim faljen e mëkateve apo të kungojmë këtë person.

RTE: Një prift tjetër kërkon: “pornografia është një dallgë destruktive që ka vërshuar mbi shoqërinë tonë, sidomos në internet. Si mund ta ndihmoni dikë që do të zihet në grackën e saj?

Ate Artemi: Sigurisht ne duhet t’u kujtojmë besimtarëve të famullisë sonë se Kisha jonë Orthodhokse nuk është indiferente ndaj konsumuesve të pornografisë ose njerëzve që e prodhojnë atë. Kam pasur një student nga një prej universiteteve tona orthodhokse, një djalosh shumë inteligjent nga provincat dhe për mua ka qenë e papritur të dëgjosh se ishte mjaft i përfshirë në këtë baltë virtuale. Sigurisht si prift, kur i dëgjoni këto zbulesa, e kuptoni sesa e tmerrshme është. Në çastin kur dikush fillon udhëtimin e tij të dyshimtë nëpërmjet “dritareve” të internetit, duke shikuar pamjet e ndaluara, e tërë natyra dridhet nga sjellja e tij absurde. Në çastin që pushtoheni nga këto pamje të pista, demonët brofin që t’ju shtyjnë të bëni gjëra që janë të padëgjuara, vetëabuzim dhe nëse përpiqeni t’i rezistoni, ata do të hakmerren, duke ju nxitur që ta pranoni hakmarrjen e tyre. Ata përbuzin Zotin tonë duke ju dëmtuar ju, që jeni ikonë e Perëndisë.

Ёshtë shumë e padëshirueshme që një prift të dëgjojë ose të lexojë këto zbulesa, por ti je një dëshmitar përpara Perëndisë dhe duhet ta ndihmosh një besimtar të çlirohet. Duhet ta falni në çast atë, sepse të pohosh gjëra të tilla është diçka mjaft e vështirë dhe si mëkatar që je vetë e kupton se ky person duhet ta tejkalonte cakun e turpit natyror që t’ju fliste për këtë. Ёshtë një përpjekje e madhe për një shpirt që t’i shqiptojë fjalë të tilla dhe nëse rrëfimi është i sinqertë, nëse nuk i bën të bardha gjërat kur janë në fakt të zeza por ia këput kokën gjarprit duke përfunduar me fjalët “O Perëndi, më fal të lutem”, si prift duhet ta falësh menjëherë sepse ai është shkëputur nga mëkati. Duhet ta inkurajosh me siguri personin: “Mos harro që je një bir ose bijë e Shpëtimtarit. Mos harro që Zoti dhe Virgjëresha e Shenjtë ju ruajnë në çdo çast, ditë e natë. Përpiquni t’i drejtoni mendimet e ndjenjat tuaja te Zoti duke i thirrur emrit të tij. Mos i lini demonët që t’jua errësojnë mendjen ose t’ua shpërqendrojnë vëmendjen nga zemra juaj”. Por javën vijuese thjesht përsërisni të njëjtin rrëfim: “Mos u dëshpëro. Ti e kupton se është i je dorëzuar poshtërimit demoniak”. Prandaj  ne duhet të jemi si kirurgët që operojnë, qepin plagën dhe pastaj përdorin vaj shërues. “Ne do të fitojmë! Le të bëjmë dhjetë metani çdo ditë, ju e unë, për këtë”.

Kur e ofroj këtë, dua të them që bëj dhjetë metanitë së bashku me lutjet e mia në mëngjes dhe mbrëmje dhe i ndaj njëqind të tilla me besimtarët e famullisë. Kur u them besimtarëve të mi se do ta bëj këtë me ta, ata shpesh thonë: “Oh, Batiushka, si mund të guxoj të  pres që do t’i bëni këto metani mua! Ju jeni i moshuar, do të lodheni, jeni shumë i dashur” (e qeshur). “Jo! i përgjigjem: “do ta bëj dhe dijeni në zemrën tuaj se këtë mbrëmje se rrëfyestari juaj njëqind vjeçar, pas rënkimeve të metanisë së parë, nuk do të jetë në gjendje që të ngrihet më (e qeshur). Por unë do ta zgjas atë metani të vetme që ta dini se nuk jeni të vetëm në këtë botë mizore dhe unë jam me ju. Por mos e lini syrin tuaj të depërtojë në thellësitë e fëlliqësirës së pornografisë, mos u zhytni në këtë llumë, sepse edhe dy metani të tjera dhe do të më shihni në spital.

Prandaj ne duhet të jemi tolerues, të durueshëm dhe nuk duhet të habitemi me këto gabime e të meta njerëzore. Sigurisht ne nuk mund të jemi shumë të rreptë në të tilla raste  dhe nuk duhet të aplikojmë në mënyrë mekanike udhëzimet e komentarëve bizantinë që deklarojnë se “vetëabuzimi duhet ndëshkuar me kreshmë dyzetëditëshe me bukë, e njëqind metani çdo mbrëmje”. Të mos ta zbatojmë këtë udhëzim siç i interpretojnë rabinët e sofistikuar komentarët e lashtë. Le të dëshmojmë këtë pendim të shpirtit. Ne jemi të interesuar për rezultatin.

RTE: Ky pastor pyet: “Ҫfarë këshille mund të na ofrosh për problemin në rritje të konfuzionit të gjinisë? Ҫfarë bëni nëse dikush vjen tek ju me një bindje të tillë – sidomos njerëz që besojnë se një zgjedhje e tillë është një e drejtë bazë e njeriut”.

Atë Artemi: Sigurisht që situata është shumë e ndryshme këtu në Rusi dhe prandaj rekomandimet tona nuk mund të jenë absolute për priftërinjtë në vendet perëndimore, por për aq sa kuptoj, një prift orthodhoks duhet të jetë mjaft i matur. Ai duhet të jetë i vetëdijshëm për të gjitha motivet në lidhje me “tolerimin” dhe “krimet” kundër tolerancës”. Ai nuk duhet të bëhet lehtësisht pre e ligjeve që bien ndesh me Frymën e Shenjtë dhe ai duhet të jetë i kujdesshëm për të shmangur ata që përpiqen me vetëdije të zënë në kurth një prift, ose për ta përndjekur atë si udhëheqës i kishës. Ne duhet të jemi të ngjashëm me Jisu Krishtin, i Cili provokohej shpesh nga farisenjtë dhe saducenjtë që përpiqeshin të gjenin kontradikta midis fjalëve të tij dhe ligjeve të Moisiut. Ishte dituria hyjnore e Zotit tonë që i bëri këto intriga të pafuqishme, sepse Ai nuk përgjigjej drejtpërdrejt por përdorte shëmbëlltyra që të mos jepte material për akuza. Unë besoj se një prift orthodhoks bashkëkohor në perëndim duhet ta ketë parasysh.

Së dyti, ne nuk mund ta shtrembërojmë mësimin e Ungjillit të Shenjtë që gjëra të tilla si kurvëria ose sodomia ndalohen nga ligji moral i përjetshëm. Ne nuk mund ta quajmë një mëkat të bardhë nëse është i zi ose të pohojmë se është i ëmbël kur është në fakt i hidhur.

Ne duhet të jemi të mençur si gjarpërinjtë dhe të butë si pëllumbat. Sigurisht që kur njerëz të tillë vinin për të rrëfyer, kjo ndodh sepse ata ndiejnë një mundim në zemrat e tyre dhe kur ata i zbulojnë këto mëkate, si një prift e ndien betejën e tyre me errësirën që i ka pushtuar ata.

Këtu në Rusi, unë kam ndeshur shumë herë me njerëz që përpiqen të shfajësohen “unë jam përfaqësues i një orientimi tjetër. Unë nuk jam krijuar si qeniet e zakonshme”. Sigurisht që qëllimi im nuk është ta përqesh atë ose ta ul personalitetin e tij por që ta ndihmoj që të qartësohet në mendjen e tij nëpërmjet pyetjeve dhe meditimit tonë mbi pika të tilla si “Perëndia i krijoi mashkull e femër qeniet njerëzore dhe fati ynë në dashuri nuk është vetëm që të kemi “kënaqësi seksuale” por që të sjellë fryte nga kjo dashuri njerëzore; pra fëmijë. Pra si e kuptoni këtë nëse keni këtë lloj tjetër “marrëdhënie”? Ju nuk mund të keni fëmijë dhe këto kontakte jo të natyrshme janë destruktive ndaj shpirtit e trupit tuaj; ata e errësojnë zemrën tuaj dhe kanë pasoja të rënda të përjetshme”.

Ju nuk duhet të jeni shumë gjykues dhe duhet t’i thoni këto gjëra në një mënyrë që ky person të mund t’i dëgjojë ato, që do ta ndriçojë mendjen e do ta tërheqë zemrën e vullnetin e tij drejt pendimit. Më kujtohet një i ri që rrëfeu se nga fëmijëria i tij kishte pasur shumë përballje, së pari me djem më të rritur dhe më pas me të rritur, por që donte të ndryshonte jetën e tij. Sigurisht që ai nuk ishte gati ende për një jetë reale martesore të krishterë. Hapi i tij i parë ishte thjesht që të përpiqej të vetëpërmbahej që në të ardhmen ta shenjtëronte shpirtin dhe trupin e tij me Dhuratat e Shenjta. Një prift i kohës sonë duhet të jetë njëkohësisht edhe një baba dhe nënë e vërtetë. 

Ne nuk duhet ta përbuzim këtë person ose të ndihemi të veçuar prej tij. Por duhet ta perceptojmë atë si një bir apo bijë plëngprishëse si të ishte fëmija ynë. E vetmja gjë që mund ta prekë këtë person është nëse do ta ndiejnë se unë e kam një dashuri të tillë prindërore.

Rregullat e lutjes, pendesat dhe marrja e Kungimit të Shenjtë

RTE: Ky prift vëren: “Shumë njerëz që rrëfehen te unë ose luten pak ose nuk luten fare. Ёshtë e vështirë t’i bindësh ata se u duhet një rregull lutjeje sepse shpesh laikët mendojnë se lutjet e përditshme janë vetëm për priftërinjtë dhe murgjërit. Cili është qëndrimi juaj ndaj kësaj?”

Atë Artemi: Nëse ke një rregull lutjeje mund të jetë si një shkreptimë që e ndez procesin e lutjes së vazhdueshme. Kjo është një çështje disipline e brendshme, e perceptimit që në fillimin e jetës sonë të krishterë ne nuk kemi burime të brendshme tonat për të vënë në lëvizje motorin e zemrës sonë. Pra sigurisht ju mund ta ndizni zemrën tuaj me këtë rregull lutjeje por është vetëm një mjet shtesë për të ndihmuar jetën tuaj të brendshme dhe një prift nuk duhet të jetë shumë këmbëngulës për këtë. Ai nuk duhet të jetë i ashpër me personat që janë si fëmijët në naivitetin e tyre dhe nuk janë mësuar me këtë lloj lutjeje. Shpesh një rregull lutjeje nuk është ende për ta.

Një prift duhet t’u kujtojë besimtarëve të tij se dëshira më e fortë e shpirtit njerëzor, nevoja e brendshme e zemrës sonë, është për të pasur marrëdhënie me Atin qiellor. Nëse nuk je i vdekur në zemrën tënde, nëse akoma jeta gëlon në shpirtin tënd, ju do të frymëzoheni nga hiri i Perëndisë për t’u lutur nga mëngjesi në mbrëmje : O Zot, ndihmomë! O Zot ki mëshirë për mua! Bekomë o Zoti im! O Zoti Jisu Krisht, mëshiromë! Lavdi më Ty! Lavdi më Ty!

Kjo lutje e vazhdueshme është mësimi i Shën Theofan Oshënarit dhe prandaj të mbajturit e një rregulle lutjeje nuk është një qëllim në vetvete, diçka që e përmbush dhe pastaj gjithçka bëhet (siç thonë rusët: “detyra juaj në një kapele”). Një standard lutjeje është vetëm një përkujtues për ju. Ungjilli na tregon se Jisu Krishti na thotë që “duhet të lutemi gjithnjë dhe të mos heqim dorë”, pra të mos na lëshojë zemra. Nëse lutemi vazhdimisht ndërsa jetojmë çdo ditë, është një temjan shpirtëror që ngrihet nga zemra juaj si pendimi, nevoja dhe mirënjohja: “O Zot ki mëshirë për mua!” “Të lutem ndihmomë!” Lavdi më Ty o Zot, lavdi më Ty!”

Zemra juaj duhet të jetë temjanica e një dhjaku që e përhap këtë aromë, jo një vatër e zbrazët e mbushur me hi të ftohtë, rrjeta merimange dhe lëvizje të mauzit të kompjuterit. Nëse doni t’ia dilni mbanë që t’ua shpjegoni këtë besimtarëve ju nuk duhet t’i qortoni ata se nuk kanë vendosur një rregull lutjeje. Bëhet edhe më e rrezikshme kur njerëzit fillojnë të besojnë se leximi i tri kanoneve për Shpëtimtarin tonë, Nënën e Perëndisë dhe Engjëllin Mbrojtës dhe lutjet përpara Kungatës janë kërkesat më të nevojshme dhe të përshtatshme për t’iu afruar Kungatës së Shenjtë. Ata pohojnë: “Oh, Atë, më vjen shumë keq që nuk i kam lexuar dy vargjet më të fundit të kanonit, por do të bëj çmos dhe do të përpiqem t’i lexoj këto tani”. Ose “Oh, kam borxh një lutje e gjysmë, por premtoj solemnisht se pas kungimit do t’i përmbush detyrimin tim për t’i përfunduar këto lutje”. Një rregull lutjeje është gjë e mirë, dhe këto lutje janë sigurisht të dobishme por kam njohur edhe njerëz që kanë qenë mjaft të vetëdijshëm për ndjekjen e një rregulle lutjeje  por pas nëntë vjetësh skrupoliziteti të jashtëm ata u ftohën dhe nuk kënaqeshin më prej mundësisë për të marrë Kungatën e Shenjtë. Sikur të kishin humbur shumë gjak. Kjo lutje ishte bërë krejt diçka formale për ta sepse nuk e kishin mbushur zemrën me lutje fëminore spontane ndaj Perëndisë së gjithëpushtetshëm.

Ata kënaqeshin me ndjenjën e brendshme dhe thoshin se ishin gati por Shën Serafimi i Sarovit thotë “edhe sikur të përgatiteshit për 100 vjet nuk do të ishit kurrë gati”. Kurse Shën Theofani oshënar shton: “Rrëfejini mëkatet tuaja dhe do ta shihni menjëherë sa të pagatshëm jeni dhe sa të padenjë jeni e atëherë do të jeni vërtet gati”. Me fjalë të tjera “Unë nuk jam gati por më bëj gati o Perëndia im, që të prek cepin e rrobës Sate”.  

RTE: Pyetjet vijuese janë të priftërinjve të sapo dorëzuar të cilët pyesin: “nëse kam një ide për t’i sugjeruar një lutje, një praktikë shpirtërore ose madje edhe një artikull ose libër një personi që po rrëfen, si mund ta dalloj nëse ky është një frymëzim i vërtetë ose thjesht një ide e imagjinatës sime?” dhe së dyti “kur do ta propozonit një pendesë dhe sa do të zgjaste?”

Atë Artemi: unë mendoj se një prift orthodhoks duhet të mbështetet në përvojën e tij baritore dhe frymëzimin e Perëndisë, që do t’ju ndihmojë për të sugjeruar disa vepra të përshpirtshme si leximi i një libri ose një shkrimi, ose madje edhe vizita e një vendi të shenjtë në pelegrinazh.

Dhënia e një ndëshkimi ose siç themi në rusisht, një epitimia, më së shumti ka të bëjë me rastet kur një person rrëfen mëkatet e mishit, duke përfshirë kurorëshkeljen, marrëdhëniet seksuale jashtë martesës, ose ndonjë vetëzvetënim. Në të gjitha këto raste është e rëndësishme të dëgjojmë se personi premton të pendohet, se premton të luftojë ndaj këtyre veseve dhe nëse e ndiej se ka një nevojë për ta ndihmojë këtë person që të heqë dorë nga praktikat e këqija, ne së bashku, unë dhe ai, marrim një vendim për t’i bërë këto metani të përditshme, por jo shumë prej tyre – tre ose pesë, por jo më shumë se dhjetë. Siç thashë, unë jam mësuar të bëj dhjetë metani kur çohem në mëngjes dhe prapë në mbrëmje para se të shkoj në gjumë. Prandaj unë nuk i shumëfishoj këto por thjesht e përfshij këtë person në qëllimin e këtyre dhjetë metanive. Prandaj i propozoj këto metani me një lutje: “O Zoti ynë Jisu Krisht, Biri i Perëndisë, ki mëshirë për mua”. Ju mund të shtoni edhe emrin e Hyjëlindëses së Shenjtë dhe të Shën Nikollës, ose një fjali të shkurtër që pasqyron rrethanat aktuale të situatës.  Ёshtë mjaft e rëndësishme që i krishteri të ndiejë se nuk është vetëm, që nuk është braktisur nga rrëfyesi. Sa herë që e ofroj këtë, unë shoh që njerëzit preken butësisht nga kjo ide sepse është një simbol i lidhjes sonë vëllazërore dhe lidhjes shpirtërore.

Nëse kjo është hera e parë që e kam dëgjuar rrëfimin e këtij personi, unë zakonisht nuk jap epitimia sepse nuk e njoh këtë person – unë thjesht e pranoj atë dhe pendimin e tij si djalë plëngprishës. Unë i jap atij një mundësi për të ndryshuar jetën, për t’u kapur fort pas Zotit tonë dhe për të hyrë përmes portës së pendimit pa vështruar pas. Nëse pendimi i tij është i sinqertë dhe është takimi ynë i parë, unë duhet të jem shumë i dashur dhe në disa rrethana unë madje mund të ndihem se është e drejtë që ta lejoj atë të marr Kungatën e Shenjtë.  

Ne priftërinjtë bashkekohore nuk e ndiejmë zakonisht domosdoshmërinë e dhënies së një pendese por nëse ky person është i mirënjohur për mua, i udhëzuar mirë dhe ka pasur papritur një rënie serioze të tillë si kurorëshkelje ose kurvëri, ose edhe më keq, abort, ne shpesh e këshillojmë atë që të mos marrë Kungatën për ca kohë. Nëse papritmas, besimtari prej një kohe të gjatë i famullisë suaj e zbulon këtë plagë të freskët që u bie si një vetëtimë, ky nuk është rasti kur pas leximit të lutjes së faljes së mëkateve, do t’i ftoni që të marrin Kungatën e Shenjtë.

Ky i krishterë duhet të pendohet për këtë mëkat, të më shpjegojë mua dhe vetes arsyen e rënies dhe të përpiqet të bëjë përpjekje për ta ndrequr atë. Nuk është vetëm e rëndësishme për të mos mëkatuar por edhe për t’u pastruar nga mendimet e ndjenjat, e synimet e brendshme. Prandaj unë zakonisht sugjeroj që ky person së pari të shkëpusë çdo kontakt të rrezikshëm dhe pastaj të bëjë metani me mua në mëngjes e mbrëmje. Ai ose ajo mund të zgjedhë disa kanone ose lutje dhe t’i përsërisë ato çdo ditë, që të forcohet nga hiri i Perëndisë dhe të mbrohet nga një rënie tjetër.

Dhe sigurisht që unë propozoj që për rastin e kurorëshkeljes ose të ndonjë përvoje tjetër seksuale jashtë martese, sidomos nga një besimtar të njohur, që të  mos i afrohej Kupës së Shenjtë për disa javë pas bisedës sonë. Unë i kërkoj gjithashtu këtij personi për të vizituar kishën dhe të ketë një rrëfim tjetër me mua pas kësaj periudhe, që të vështroj gjendjen e tij të brendshme, dëshirën e tij për të penduar, dëshirën e tij për t’u përmirësuar dhe për të kuptuar nëse është i zellshëm për të pasur Kungatën e Shenjtë.

Ne jemi të vetëdijshëm se disa prej kanoneve të hershme caktojnë gjashtë, shtatë ose dhjetë vite pendimi, me një mori hapash për t’iu bashkuar plotësisht Kishës. Hapi i pare në këto kanone nuk ishte të hynte në kishë gjatë shërbesave por të qëndronte jashtë dhe të duronte erërat, shirat dhe stuhitë. Hapi i ardhshëm ishte të futej në pragun e derës së kishës dhe t’i lutej secilit që hynte e dilte për t’u lutur për ty, duke zbuluar publikisht fajin. I treti ishte të futej serish në kishë por që të qëndronte me katekumenët. Ёshtë gjë e mirë të informosh një person për këto rregulla të krishtera strikte, që të kuptojnë pasojat e rënda të mëkatit, sepse nuk është diçka e lehtë që të çlirohej nga fryma e ligë që e mundon zemrën tënde dhe ndikon mendimet e tua. Ёshtë mundim i vërtetë të bëhesh një bir ose bijë e pastër e Atit qiellor.

Por sigurisht që një prift bashkekohor nuk duhet t’i praktikojë këto gjëra mekanikisht. Siç thashë, për një mëkat të rëndë periudha e abstenimit mund të jetë një muaj, gjatë Kreshmës së Madhe ose edhe më gjatë për diçka shumë serioze si aborti. Por ne duhet të kuptojmë gjithashtu thellësinë e pendimit, sepse unë e di se në disa raste kur dikush ka pasur një rënie serioze, pendimi i tij mund të jetë aq i thellë dhe i plotë, saqë e kuptoj se ky mëkat nuk është karakteristik për këtë person, që është diçka e lejuar nga Perëndia që ta kuptojmë dobësinë tonë.

Kjo është sidomos e vërtetë nëse personi është i sapopagëzuar ose sapo ka filluar të vijë në kishë dhe kjo është pjesë e një trashëgimie mëkatare. I çliruar nga hiri i Perëndisë prej kësaj skllavërie pas pagëzimit të shenjtë, në çastin kur ky anëtar i ri i Kishës imagjinon se është tani jashtë rrezikut, ai mund të ngatërrohet prapë. Nëse ai do ta kuptojë menjëherë sesa e tmerrshme është të robërohet përsëri ai mund të kthehet menjëherë si djali plëngprishës drejt mbretërisë qiellore.

Ose nëse ky është një person që ka ardhur te unë për herë të parë (dhe ndoshta ai ka ardhur te unë që të rrëfejë këtë plagë të freskët), nëse e shoh se ai është serioz, se qëllimet e tij janë të fuqishme dhe nëse jam i sigurt se me podvig-un e dyanshëm të lutjes ndaj Zotit tonë ne do t’ia dalim mbanë, si rrëfyes i përulur unë mund të ndiej nxitjen për të shpallur pasurinë e dashurisë së Perëndisë dhe ta lejojë që ta marrë, që të mos shikojë pas dhe që do ta shfajësojë këtë dashuri duke mos e bërë kurrë më atë mëkat.  Do të jetë si një Pashkë për të, duke u futur në dyert e parajsës.

RTE: Ky prift shtron pyetjen: “shumë njerëz në perëndim kanë një ndjenjë të fuqishme të të drejtës për ta marrë Kungimin dhe përgatitja për të nuk është diçka ndaj së cilës të konvertuarit amerikanë përshtaten lehtë. Si mund të përulemi ndaj dobësisë pa iu dorëzuar dembelizmit?”

Atë Artemi: Kjo varet nga mënyra e priftërisë suaj dhe përqasja juaj pedagogjike si një prift. Varet nga marrëdhëniet midis jush dhe deleve shpirtërore. Sigurisht që nëse është dikush që vjen te unë rregullisht për rrëfim, e cila është mjaft e vëmendshme ndaj rekomandimeve të mia dhe unë shoh që ajo është në një gjendje të pazakontë (ndoshta ajo është e zemëruar me kryemurgeshën ose nuk është e pajtuar me bashkëshortin e saj dhe është e mbushur me indinjatë të drejtë), unë mund të them: “po të isha në vendin tuaj, unë nuk do t’i afrohesha kupës në këtë çast. Unë do të dilja nga kisha në ajër të pastër dhe do të shikoja lulet e kopshtit. Unë po pres që të kthehesh pas pesë minutave dhe të më tregoni sesi ndiheni”.

Nëse ky person nuk është i njohur për mua dhe nëse për shembull, ata po jetojnë me një të dashur pa pasur ndër mend martesën, sigurisht që do të thosha “Ёshtë diçka e mirë që e ke zbuluar dhe hapur zemrën tënde. Nëpërmjet hirit të Perëndisë do të ndihesh më i lehtësuar dhe do të çlirohesh pak nga barra juaj, por sipas mendimit tim është shumë herët që t’i afrohesh Kupës së Shenjtë. A ju kujtohet çfarë i tha Zoti gruas samaritane: ‘ti e the të vërtetën, ke pasur pesë burra dhe ky tani nuk është burri juaj”. Thjesht le të vijë burri juaj e të takohet me mua”.

Prandaj në disa raste unë duhet të jem i qartë. “Oh, nuk është ende koha që të kungohesh”. Në raste të tjera ka disa lëkundje morale por asnjë pengesë reale për të marrë Kungatën e Shenjtë, unë do të përpiqem të zbus zemrën e tyre. Për shembull, “unë kam një mëri, më kanë fyer dhe nuk mund ta fal burrin tim ...nënën time … kryemurgeshën time”. Në këtë rast, unë përdor disa përqasje të veçanta.

Një shembull tjetër, një grua e moshuar më thotë se nuk mund ta falë nënën e saj të ndjerë dhe mundohet prej kësaj: “unë e kuptoj çdo gjë, por zemra ime nuk më lë ta fal”.  Si prift, ndonjëherë më duhet të përdor jo ndihmë verbale por veprim. Për shembull unë mund të them: “Oh, unë mund të të ndihmojë. A do të më lejoni që të të operoj pa narkozë?” “Bëj ashtu si do,” do të thotë ajo, pak kureshtare. “Pastaj më shiko mua (unë bëj sikur hap kraharorin dhe vë dorën time brenda dhe nxjerr diçka të padukshme). Tani merr frymë thellë. Këtu është kjo mëri. Tani unë duhet ta qep plagën dhe t’ju lyej pak me vaj”. “Oh, të falënderoj shumë”. Ose unë mund të them: “Ti ke falur gjithçka, zemra jote  është aq e lehtë sa një lule. Ti mund ta marrësh Kungatën e Shenjtë, nëna jote po të buzëqesh nga parajsa”. Të falënderoj shumë!” Prandaj është një aftësi e veçantë, që ta bësh dikë të pajtohet me idetë e tua të çuditshme dhe paksa humoristike por shpirtërisht ky person i është nënshtruar një “operacioni” të efektshëm”.

RTE: Ndonëse kjo duket e shkujdesur, besimtarët e famullisë suaj më kanë thënë se gjëra të tilla janë shumë të efektshme, sidomos kur bëhen në kontekstin e rrëfimit. Gjithashtu më kujtohet njëherë kur një vajzë e re erdhi tek ty për të rrëfyer përfshirjen e saj të thellë me kultin, e ti i lexove lutjet kundër veprimtarive demoniake. Kur erdhe te pjesa ku duhet t’i pështynte simbolikisht djalli, ajo tha se nuk mund ta bënte këtë sepse kishte frikë nga hakmarrja e demonëve, e ti e pyete nëse do të të lejonte ta bëje ti këtë në vend të saj. Ajo pranoi dhe më pas u qetësua. Kjo ishte një zgjidhje shumë e mirë.

Atë Artemi: Po, kur vullneti i një personi është i paralizuar ne duhet të gjejmë një mënyrë për t’i ndihmuar të shprehin vendimin e tyre nëpërmjet bindjes sonë të brendshme. Ne nuk i ngarkojmë ata më tepër se duhet e as nuk e cenojmë personalitetin e tyre, por ua mbushim zemrat e tyre me kurajë për të afirmuar vullnetin e tyre.

Në lidhje me marrjen e Kungatës së Shenjtë, më kanë treguar për këshillën që Atë Vsevolod Shpiller i dha një prifti të ri, një prift i famshëm në vitet 50 që njihej për predikimet e ligjëratat e tij ndaj inteligjencien ruse: “Ruhuni që të mos ta lejoni dikë të marrë Kungatën e Shenjtë!”

Unë nuk mendoj se kjo do të thotë se Atë Vsevolod ka qenë shumë liberal dhe nuk kujdesej si duhet për besimtarët e tij, por priftërinj të rinj e jo të rinj mendojnë të kundërtën – si kryeengjëlli me një shpatë flakëronjëse që ruante portën e parajsës. Nëse njëri prej pasardhësve të Adamit dhe Evës guxon të afrohet, ai menjëherë e ngre shpatën për t’i asgjësuar ata.

Ose shoh ndonjë prift të ri që qëndron afër kryqit dhe ungjillit si një qen mbrojtës: “kush guxon të marrë Kungatën e Shenjtë? Kush? Vetëm më trego mëkatet e tua: Kurrë!” ((e qeshura)) Prandaj për të qëllimi është të mos lejohet, sikur të ishte një gjykatës në novelat e Dikensit, ose një oficer i KGB-së: “ne ju kemi thirrur që të vini, që do të thotë se jemi në dijeni për gjithçka, dhe nëse mendon se jeni të pafajshëm, mos jini aq të sigurtë! Ne do të gjejmë ndonjë pretekst mbi të cilin do t’ju arrestojmë!” Shumë shpesh priftërinjtë sillen në këtë mënyrë dhe në indinjatën e tij të drejtë ai beson se e ka bërë punën e tij në mënyrën më të mirë të mundshme : tridhjetë persona rrëfyen dhe vetëm tre prej tyre e morën Kungatën.

Një tendencë më e mirëpritur është : “Këtu, më lini të gjej një arsye për t’ju shfajësuar. Ndoshta pitë një gllënjkë ujë, ndoshta nuk erdhët në kohë?  Ah, kështu? Po do të donit të merrnit Kungimin e Shenjtë?” Oh, kjo është diçka e mirë. Meqë nuk ke lexuar asnjë gjë akoma, lexo vetëm tri lutje dhe pas marrjes së Kungimit do të lexoni një Akathist për Hyjëlindësen. Siç thotë Shën Joan Gojëarti: ‘Gëzohu sot, si ju që keni kreshmuar ashtu edhe që nuk e shpërfillët Kreshmën. Tryeza është plot, askush nuk duhet të ikë i uritur. Askush nuk duhet të qajë për mëkatet e tij, sepse ferri është plaçkitur. Kënaquni me gostinë e besimit...se Krishti është ngjallur dhe demonët kanë rënë! O Vdekje, ku është gjemba jote? O ferr, ku është fitorja jote?”

Rrëfimi dhe konfidencialiteti RTE: Këtu është një prift që është i shqetësuar për fshehtësinë e rrëfimit : “gjatë viteve të fundit, si Australia ashtu edhe shteti i Luisianës është përpjekur që të marrë masat për të detyruar priftërinjtë të zbulojnë rrëfimet, sidomos ata që kanë të bëjnë me abuzimin e fëmijëve. Kisha Katolikoromane është më strikte për këtë sesa janë orthodhoksët dhe një prift katolik që zbulon një rrëfim jo vetëm që shkarkohet por edhe shkishërohet. Vërtet kryepiskopi katolik i Melburnit ka thënë se do të shkonte më mirë në burg sesa të cenonte vulën e rrëfimit. Kanonet orthodhokse nuk janë aq strikte por janë mjaft të qarta”

Atë Artemi: Ne kemi dy burime të besimit tonë – shkrimin dhe traditen. Ёshtë e qartë se një prift duhet të heshtë dhe të mbrojë misterin e Rrëfimit. Në qytetin e Pragës, ndodhet ura e famshme e mbretit Karlit të IV-ërt, një sundimtar i Mesjetës. Në mesin e urës mund të shikoni një statujë e një prifti që vinte nga tradita katolike, Shën Joani i Nepomukut ka qenë rrëfyesi i mbesës së Mbret Karlit. I shoqi, biri i mbretit kërkoi që prifti t’i zbulonte rrëfimin e gruas së tij dhe kur ai refuzoi, princi e hodhi nga ura. Ky është një nga shenjtorët e preferuar të Evropës katolike.

Por nëse ekziston një ligj i tillë shekullar, pse një person që ka kryer krime të tilla si abuzimi i fëmijëve të mund të rrëfehet nëse nuk është i sigurt se rrëfimi i tij do të ruhet? Ne e njohim diçka të tillë nga historia e Rusisë, kur Pjetri i Madh dekretoi një ligj prej të cilit priftërinjtë do t’u zbulonin autoriteteve shtetërore rrëfime që kishin të bënin me komplote kundër qeverisë. Sigurisht që ky ligj nuk kishte asgjë të përbashkët me kanonet e kishës.  

Në Rusi, ekziston një ligj federal sipas të cilit një prift nuk ka të drejtë që të mos dëshmojë në gjyq nëse ka informacione nga një rrëfim dhe unë e kam përdorur këtë ligj për të mos pranuar të dëshmoj disa herë. Një herë u bë gjyqi mjaft i njohur i një gruaje moderne që e kishte çuar në gjykatë burrin e saj, një kirurg të famshëm. Ai ishte bërë orthodhoks në Rusi dhe më rrëfeu pasi kishte filluar gjyqi. Rrëfimi i tij ishte thellësisht i sinqertë dhe kur më vizituan gjykatësit, unë u thashë atyre se nuk do të thosha ndonjë gjë pro ose kundër akuzës. Kjo respektohej.

RTE: Disa klerikë duket se pajtohen se ky ligj nevojitet për të mbrojtur fëmijët.

Atë Artemi: Nëse është çështje serioze, mendoj se një prift duhet të informojë prindërit. Më kujtohet çasti kur një vajzë adoleshente rrëfeu se kishte përdorur drogën. Kjo ndodhi në vitet 90 kur përdorimi i drogës ishte i rrallë dhe unë isha në gjendje që ta bindja që të mos ta bënte më. Ajo premtoi se nuk do ta bënte këtë por pas një viti nëna e saj erdhi te unë dhe më tha se si kisha guxuar që të mos i tregoja gjë asaj. Unë e ndieja se ajo kishte të drejtë dhe mendoj se prindi duhet t’u japë një ide prindërve të fëmijës, pa treguar diçka specifike por duke i nxitur ata që të jenë të vetëdijshëm për kontaktet e rrezikshme të fëmijës së tyre.

RTE: Një prift i ri shkruan: “unë kam mik një prift që më ka treguar se pa u menduar ai ka përdorur diçka në një predikim që i ishte treguar atij në mënyrë konfidenciale, pa përmendur emra ose vende. A është në rregull ta bësh këtë nëse i ndryshon detajet?”

Atë Artemi: Ёshtë në rregull, sepse përmbajtja e predikimeve tona përbëhen nga fakte dhe histori tokësore por ne duhet të jemi tepër të kujdesshëm që të mos japim asnjë ide për personin ose vendndodhjen.

Unë gjithashtu duhet të theksoj se të gjithë orthodhoksët kanë një tipar të përbashkët psikologjik. Çastin kur ata lexojnë diçka në lidhje me mëkatin ose pendimin, ose dëgjojnë një predikim në të cilin prifti përpiqet të frymëzojë besimtarët e tij për t’u përulur, ata e aplikojnë direkt materialin ndaj vetvetes dhe mendojnë se janë ata për të cilët flitet. Kjo është thuajse universale dhe prandaj një predikim i mirë mund të pasohet nga një miratim i befasuar: “I dashur Batiushka, si mund të dish aq shumë rreth meje? Ju i jeni përgjigjur një pyetjeje ngulmuese që nuk kam pasur kohë ta bëj”. Ose një variant tjetër: “Si ke guxuar që të zbulosh rrethanat e jetës sime? Ti ke tradhtuar ndërgjegjen tënde pastorale. Ky është një skandal! Unë do t’i shkruaj një letër mitropolitit Hilarion dhe sinodit në Nju Jork. Ti e ke shkatërruar personalitetin tim dhe ke shkelur sovranitetin e personit tim. Nëse nuk do të ishe prift, do të të sfidoja për një duel!”

E unë përgjigjem: “më vjen keq, të kërkoj falje. Për të qenë i sinqertë e kisha fjalën për veten. Këto ishin shembujt e mi, material i zemrës sime të korruptuar”. Por ata përgjigjen: “unë nuk kam nevojë për shpjegimin tënd. Ashtu si Lermontovi, unë refuzoj ta pranoj këtë ‘murmuritje të dhimbshme vetëshfajësimi’” ((e qeshur))

Unë duhet të rrëfej se çdo prift mund të bëjë një gabim të pavullnetshëm por le të kemi parasysh se janë famullitarë, sidomos gra me shpirtra të ndërlikuar, që janë dyshues të çdo fjale dhe që do të të vlerësojnë në bazë të gjendjes së tyre të brendshme. Kur një situatë e tillë ndodh, ne duhet të përdorim një humor të lehtë për të shmangur këto kënde të mprehta dhe ta zbusim situatën.

Shën Theofan Oshënar u thotë priftërinjve: “Kur shoqëroheni me famullitarët tuaj, vendosni një shpatë shpirtërore në këmbët e tua”. Kjo shpatë është detyrimi i fshehtësisë së rrëfimit. Herë pas here duhet të shikoni këtë shpatë, duke kuptuar se nëse zbuloni diçka pa kujdes, shpata do të ngrihet dhe do të ta presë kokën.

Logjistika e kishës : pjesëmarrja dhe koha

RTE: “Shumë priftërinj që i njoh shkurajohen me mungesën e pjesëmarrjes në kishë gjatë ditëve të shenjta. Disa famulli madje duhet t’i kalojnë ditë të shenjta në të dielën më të afërt sepse nuk kanë kor, lexues ose shërbenjës”.

Atë Artemi: Sigurisht që priftërinjtë amerikanë bashkëkohorë duhet të kujtojnë se janë bij shpirtërorë të Shën Andonit të Madh, Shën Pavlit të Thebës dhe Shën Pakhomit që është lutur në veçim të plotë për tridhjetë ose dyzetë vjet derisa Shpirti i Shenjtë mblodhi dishepuj në shkretëtirën e pamëshirshme ku nuk kishte hije, bar, ose ujë por vetëm një rërë përvëluese, diell dhe huta (buzëqeshje).  

Unë dua t’ju kujtoj edhe për një situatë në Moskë jo shumë kohë para Zbulesës kur çdo rrugë kishte shumë kisha, të gjitha të hapura për kalimtarët sikur të ndodheshin në një ishull grek, por kishat ishin më së shumti të zbrazëta. Një nga këto kisha në qendër të Moskës, Shën Nikolla në Rrugën Maroseika, kishte një prift të ri të martuar, Atë Aleksis Mençev, në të cilën shkonin shumë pak besimtarë.

Atë Artemi Vladimirov

Pas vdekjes së bashkëshortes së tij Anës, Atë Aleksis vizitoi Shën Joanin e Kronstadit. Duke i vënë dorën mbi supe, Shën Joani tha: “Atë Aleksi, mos u dëshpëro. Tani është më mirë që të ndihmosh të tjerët që të mbajnë barrën dhe shqetësimet. Ju nuk keni kohë që të kridheni në pikëllimin tuaj privat”. I frymëzuar nga mënyra e të shërbyerit të liturgjisë së Shën Joanit, Atë Aleksi filloi të shërbejë çdo ditë, zakonisht  pa asnjë besimtar, vetëm me një lexues të thjeshtë. Nuk kishte sistem ngrohjeje në kishë dhe në mes të dimrit në Moskë gishtërinjtë e tij ngrinin pas potirit gjatë Hyrjes së Madhe. Edhe vera në potir kishte ngrirë. Ai shërbeu për gjashtë vjet liturgjinë e shenjtë, duke u lutur dhe duke marrë pjesë në Kungatën Hyjnore.

Shumë prej kolegëve të tij mendonin se ai ishte i marrë që shërbente çdo ditë në mesin e dimrit. Askush nuk e kërkonte këtë shërbesë dhe ai mund t’i kishte përmbushur detyrat e tij me një liturgji të vetme të dielave dhe të kremteve. Por këtu kemi një nga ligjet e filozofisë dialektike : “Në fizikë … çdo ndryshim është një kalim i sasisë në cilësi”. Kur e shumëfishon sasinë, kalon në cilësi, si për shembull një numër në rritje lutjesh rezulton në një cilësi në rritje.

Prandaj kjo vazhdoi deri para revolucionit dhe eventualisht kisha e Atë Aleksit ishte aq e mbushur me njerëz sikur çdo ditë ishte prestolny prasdnik, dita e kremtes së kishës. Sigurisht që shërbesa e tij ishte dhuratë e zemrës së tij. Ai kishte një ngrohtësi dhe një dhembshuri aq të madhe në shpirt saqë disa herë qante së bashku me besimtarët e bashkësisë së tij teksa dëgjonte rrëfimet e tyre.  

Në këtë kohë, Nikola Berdajev, një nga filozofët fetarë më të mirënjohur progresistë, kishte në mendjen e tij gjeniale një përzierje eklektike idesh.  Ai njihej se fliste kundër “aromës mortore të Etërve”, që nënkuptonte se ai nuk i donte Etërit e Shenjtë, por Atë Aleksi ishte një rrëfyes që ishte në gjendje të sillte një ndryshim në Berdajev dhe pak para se filozofi të dëbohej në Evropë, ai e solli te Atë Aleksi rrëfimin e tij dhe e la në gjunjët e tij. Më vonë në Paris, Berdajev u bë pjesëtar i famullisë së Kishës së vogël të tri hierarkëve të shenjtë dhe ai gjithnjë thoshte se ishte shtytja e marrë nga Atë Aleksi që e kishte bërë atë bir të Kishës Orthodhokse Ruse.

Prandaj jeta e Atë Aleksit është provë që tregon se një prift nuk do të harrohet kurrë nga Perëndia i gjallë. Nëse ai kremton Liturgjinë e Shenjtë së bashku me matushkën dhe dy ose tri besimtarë, ai do të shoqërohet nga një mori engjëjsh. Qielli do të hapet dhe rrezet e hirit do të vërshojnë duke ndriçuar kishën.

Ati i shenjtë Joani i Kronstadit thotë: “Liturgjia e shenjtë është ngjarja kryesore në procesin historik të botës. Ёshtë mjeti nëpërmjet të cilit Zoti ynë sundon të gjitha kombet e tokës dhe e drejton procesin historik drejt fundit”. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm për domethënien e të shërbyerit të Liturgjisë së Shenjtë për të besuar se qielli e toka janë bashkuar dhe se famullia jonë e vogël është hapi i parë drejt parajsës. Kur merrni pjesë në Kungatën Hyjnore, ti si prift bëhesh një nga kerubinët shumësysh dhe gjashtëkrahësh që lavdërojnë Perëndinë. Dhe bëhesh një llambë që shkëlqen dhe ngroh errësirën e botës, saqë edhe bishat e zogjtë, pemët, malet e oqeanet dridhen të mrekulluara kur shpall fjalët, “Gjërat e shenjta janë për të shenjtët”. Ju duhet të besoni se në këtë çast kisha juaj e vogël është kthyer në qendrën absolute të universit, jo vetëm të tokës por të galaksive të panumërta mbi ju dhe se Udha e Qumështit gëzohet kur i merrni Dhuratat e Shenjta në duart tuaja.

Kjo është një nga arsyet kryesore pse Zoti ynë e shtyn Ardhjen e Tij të Dytë. Ai e viziton këtë vend në misteret e Tij. Sapo të ndieni domethënien e pranisë së Perëndisë në kishën tuaj, ju do të çliroheni nga këto ide pikëlluese se jeni dështakë si prift, se askush nuk është i interesuar ose ka nevojë për ju, se jeni si një bastard që e kanë braktisur miqtë e tij, familja dhe episkopi i tij ((e qeshur)) Por përkundrazi do të bëheni si virgjëresha e urtë që u ftua për të hyrë në pallatin e Dhëndrit, një Simeon Teolog i Ri që flet me Zotin tuaj. Ju do të bisedoni me Trininë e Shenjtë dhe në mbretërinë e zemrës suaj, të gjitha misteret e kësaj jete dhe asaj të ardhshme do t’ju hapen.

RTE: Shpresoj që fjalët tuaja do të ngushëllojnë shumë priftërinj të sinqertë. Këtu është një dilemë tjetër: “Sekularizimi i shoqërisë ka depërtuar në disa prej familjeve tona më të devotshme dhe shumë besimtarë nuk janë duke shkuar aq shpesh në kishë. Ata që e frekuentojnë më pak nuk janë zakonisht armiqësorë ndaj besimit, por thjesht indiferentë”.

Atë Artemi: Unë mendoj se nuk mjafton që në pak minuta gjatë një rrëfimi të ndikosh te besimtarët e tui. Ka rëndësi që t’i ndihmosh ata që të depërtojnë në sferën e jetës shpirtërore, jo thjesht në shërbesa por edhe në mbledhjet publike të kishës suaj. Atë Serafim Roz i mblidhte së bashku pelegrinët gjatë verës për t’u shpjeguar elementet e jetës shpirtërore dhe për t’u bërë të njohura veprat patristike.

Edhe në kishën tonë ne kemi mbledhje publike çdo javë, ku pas një orë mësimore mbi Shkrimin e Shenjtë, pjesa e dytë e mbrëmjes u kushtohet pyetjeve mbi jetën e kishës ose rreth jetës së krishterë në përgjithësi. Këto pyetje kthehen në shkrim nga ata që janë të pranishëm, në mënyrë që edhe besimtarët më të ndrojtur mund të bëjnë çdo pyetje që dëshirojnë rreth çdo teme. Pastaj unë organizohem dhe u përgjigjem pyetjeve shumica e të cilave janë të dobishme dhe interesante për këdo. Gjëja më e rëndësishme është t’u shpjegoni besimtarëve tuaj, sidomos të sapoardhurve, se shërbesat e kishës do t’ju mësojnë të ecni në praninë e Perëndisë. Nëse largoheni nga Perëndia pa asnjë mbresë nga Perëndia, nëse e largoni fytyrën dhe e vetmja pjesë që shikon Zoti është kurrizi juaj, a nuk do të ishe më mirë që të mbillni lëndë në trungun e një lisi? (e qeshur). Nëse nuk ndien nevojën e brendshme për të qenë në shoqërinë e Perëndisë, nëse zemra juaj është e zbrazët nga lutja, kjo do të thotë që ju keni vetëm një dukje të jetës dhe në fakt jeni të errësuar nga bota. Ёshtë diçka jo normale. Zemra juaj është bërë një kosh mbeturinash mbushur me ushqime të shpejta, novela me detektivë dhe një telekomandë. Nuk je qenie njerëzore por një robot.

Prandaj detyra jote kryesore o prift i dashur është që të nxisni këtë apelim të vazhdueshëm ndaj Atit qiellor, për t’i rrëfyer atij, për ta lavdëruar atë, për t’u gëzuar, për të qenë mirënjohës, e për të kërkuar ndihmën e tij. Ti do t’i thuash këtyre të krishterëve: “kjo është detyra juaj e shtëpisë, e javën vijuese do të pres për raportin tuaj të shkurtër. A kujtoheshe për Perëndinë kur ecje në park ose kur po peshkoje apo flije?  A e shpallje emrin e tij?”. Ky është fillimi i jetës shpirtërore për njerëzit e pamësuar me të dhe sigurisht që ne mund t’u japim atyre libra të tillë si Tregimet e një pelegrini ose shkrime të tjera në mënyrë që njerëzit ta rrokin idenë se ç’është jeta shpirtërore.

RTE: Shumica e rrëfimeve tuaja kryhen në kontekstin e shërbesave të kishës, sidomos nëse keni një prift tjetër që shërben. A ndodh kjo sepse të rrëfyerit në kishë siguron një masë shtesë hiri dhe ndoshta e ndihmon pendestarin të fokusohet?

Atë Artemi: Një fjalë e urtë ruse thotë: “muret ndihmojnë”. Kisha është sfera e hirshme e pranisë së Perëndisë dhe në kishë një person është si lulja që kthehet nga dielli. Por sigurisht që jeta jonë ka shumë aspekte dhe nuk është gjë e keqe të kem një bisedë pastorale në një stol parku ose në zyrën time.  

RTE: Ky pastor bën pyetjen: “Meqenëse jam i vetmi në kishën time, më duhet të përgatis proskomedian dhe të marr kohë për besimtarët që vijnë para liturgjisë me shpresën e rrëfimit. Si mund ta trajtoj këtë presion për ta bërë rrëfimin një takim legjitim me Perëndinë për çdo person, duke kujtuar ndërkohë se kur ata po vazhdojnë rrëfimin edhe pas njëzetë minutash, një kishë e mbushur me besimtarë janë duke u tunduar në apostazi apo vrasje?” Sigurisht që ky është më shumë një problem për priftërinjtë e traditës sllave, ku rrëfimi kërkohet para marrjes së Kungatës Hyjnore.

Atë Artemi: Ne e dimë se ky problem ekziston dhe batiushka duhet ta fillojë proskomedian a pak më herët në mënyrë që kur shfaqen besimtarët, ai të jetë gati me aftësitë e tij prej rrëfyesi pranë analogionit. Ai duhet t’i takojë besimtarët si stërgjyshi ynë Abraham nën lisin e Mamres:  “Oh, pulat e mia të vogla, afrohuni te unë!” Ai duhet të buzëqeshë si ati i dashur që rendi për të përqafuar djalin plëngprishës, fjalët e tij plot keqardhje bënë që i ati ta përqafonte edhe më fort dhe t’i vishte rrobat më të mira: “merr unazën e birësisë dhe qengji është gati”. Mikpritja juaj duhet të jetë e qartë dhe duhet të jesh i gëzuar që ata kanë ardhur.

Sigurisht që ata nuk ishin të pranishëm një natë më parë gjatë mbrëmësores dhe nuk kanë ardhur në kishë një orë para liturgjisë. Megjithatë, fytyra juaj nuk duhet të ketë shprehjen e zymtë të një roboti apo të një Tarzani të xhunglës, por duhet të përshkohesh nga një gëzim i brendshëm shpirteror.   Siç thotë Shën Joan Gojëarti në predikimin e tij të famshëm natën e Pashkës: “Ju që erdhët në orën e njëmbëdhjetë, mirëserdhëtSiç thotë Shën Joan Gojëarti në predikimin e tij të famshëm natën e Pashkës: “Ju që erdhët në orën e njëmbëdhjetë, mirëserdhët! Merrni pjesë në darkën e besimit...Asnjë nuk duhet të qajë për mëkatet e tij! Ferri është bosh! Demonët janë arratisur! Krishti u ngjall!: Ata do të shohin se këtu është një burim i mbushur me hir, plot me ujë të gjallë që burojnë nga thellësitë e tij dhe ata do t’i përgjigjen priftit të tyre në një mënyrë të ndryshme.

Gjithashtu, nëse e njeh mirë këtë person, një ose dy minuta mjaftojnë për të prekur piikat më të thella, për të shquar disa mëkate të fshehura. Për shembull, ndërsa ai afrohet dhe e ndien erën e duhanit, mund të thuash: “Po beteja jonë kryesore? A ke qenë i suksesshëm në çrrënjosjen e pasionit? Si po shkojnë gjërat me duhanin?” “Oh, ati im, si e dini ju këtë?” “Ky është profesioni im” (e qeshur)).

Kur shërbej vetëm në një ditë të javës, shpesh kam pesëdhjetë ose shtatëdhjetë persona që presin për rrëfim para dhe gjatë liturgjisë. Këshilla ime për famullitarët e rregullt është që të vërejnë fajet e tyre të përditshme dhe në fund të javës të përpilojnë një listë. Shumë prej tyre ma japin listën ndërsa presin në radhë për rrëfim dhe të tjerë e çojnë në altar me  altarnik. Për mua kjo është mënyra më e mirë për të depërtuar në këto zemra. Famullitarët e mirë janë të mësuar me këtë dhe pas tridhjetë vitesh e njoh shkrimin e çdo personi në kishën time, edhe nëse nuk e kanë firmosur. Unë e lexoj me të shpejtë, si një  radiolog, i skanoj në çast dhe mund t’ua shlyej mëkatet me ndonjë këshillë të shpejtë si:  “Po, thjesht kushtoji vëmendje kësaj pike … Po, kjo është e mirë”. Nëse nuk janë famullitarë të rregullt ose kanë nevojë për një bisedë më të gjatë, unë i çoj ata te analogioni dhe nëse situata e tyre kërkon më shumë kohë sesa është e mundur tani, unë u flas pas liturgjisë dhe u jap kungimin.

Sigurisht që kjo praktikë nuk është mekanike. Këta famullitarë duhet të shqyrtojnë zemrën e tyre gjatë javës dhe të shkruajnë mëkatet e tyre. Disa mund të kenë një listë të mëkateve dhe dy ose tri pyetje; kurse ca të tjerë mund të kërkojnë një bekim për udhëtim ose për të nisur një përpjekje. Për mua, është shumë e lehtë për t’u kujdesur për këtë grup të rregullt duke rrethuar analogionin duke kaluar nga një person në tjetrin, duke lexuar listat e tyre dhe duke ua shlyer mëkatet. Edhe në liturgjinë e hershme të dielën ose një ditë kremteje, kur një nga priftërinjtë tanë shërben liturgjinë e parë unë kam më shumë se njëqind besimtarë që më presin për rrëfim, duke përfshirë edhe ata që vijnë më vonë.  Përkujdesi ndaj këtyre njerëzve nuk është një mrekulli, është thjesht një përvojë dhe besimi i atyre besimtarëve që përpiqen të zbulojnë zemrat e tyre. Nëse dyshoni se kjo është një novacion, njëfarë praktikë e panjohur, shikoni Shkallën e Ngjitjes Shpirtërore të Shën Joan Klimakut. Në mes të librit ai përshkruan një manastir asketik ku të gjithë vëllezërit kishin blloqe shënimesh në brez në të cilat shkruanin mendimet që i shqetësonin. Kjo është pra një praktikë asketike 2000 vjeçare.

RTE: Megjithatë, kur dëgjoni deri 250 rrëfime gjatë fundjavës, ju mund të shpenzoni vetëm disa çaste me ata që nuk kanë probleme serioze. Po për njerëzit që kërkojnë më shumë kohë?

Atë Artemi: Sigurisht që varet nga gjendja e brendshme e një personi. Nëse ky person ka nevojë për më shumë se një bisedë të shkurtër, unë do të veçoj njëfarë kohe pas liturgjie ose në mbrëmje kur nuk jemi aq të zënë. Në disa raste, është e qartë se një person thjesht duhet të shprehë mendimet dhe shqetësimet e tij  e është prifti që e ka kërkuar për këtë. Dhe kjo sepse priftëria e siguron mundësinë për të qëndruar në praninë e Vetë Krishtit, i Cili nuk është larg në qiejt, në shkretëtirë ose në ndonjë pallat të fshehtë por këtu në këtë jetë. Personaliteti ynë si një prift është i lidhur me Zotin tonë Jisu Krisht dhe prandaj, ne duhet ta bëjmë këtë sakrificë të vogël. Ne kemi vetëm një qëllim: ta ndihmojmë këtë person që të qëndrojë si fëmijë para Atit të tij qiellor.

1  Natalia Rostova dhe Pierre Bezukhov janë të fejuar në romanin e Tolstoit Lufta dhe Paqja. Ndërsa Masha Mironova dhe Pyotr Grinyov janë nga Bija e kapitenit e Aleksandër Pushkimit.

MORE:Njerëzit
  • Shqip
  • العربية
  • English
  • Français
  • Deutsch
  • Bahasa Indonesia
  • Português
  • Русский
  • Español