“Më thuaj motër ... kush është më i mirë Perëndia apo Djalli?” Një episod i jashtëzakonshëm me një pijanec në një stacion autobusi

MORE:Njerëzit
Originally appeared at: The Catalogue of Good Deeds

Kjo ka ndodhur në mesin e viteve 90, gjatë vizitës sime në Kiev nga Jerusalemi, ku jetoj. Vizituam me një mik manastirin Kitaevski dhe pastaj u drejtuam në qytet. Në stacion kishte shumë njerëz dhe autobusët e rrallë niseshin të mbushur plot. Ne pritëm që të pakësoheshin njerëzit që të hipnim në autobus.

Papritmas dy persona iu afruan stacionit, një burrë e një grua, që të dy dukeshin të rinj. Të dy ishin të dehur. Burri me zor qëndronte në këmbë. Unë kisha veshur rrobat murgërore dhe kur pijaneci më shquajti në mes të turmës, filloi të drejtohet mengadalë nga unë, duke shtyrë njerëzit e tjerë që ndodheshin aty.

Shoqja e tij e ndoqi atë, duke u përpjekur që t’i mbante ekuilibrin. Askush nuk u përpoq që ta ndalonte. Për mua ishte e qartë se nuk duhet të prisja ndonjë gjë të mirë nga një situatë e tillë. Por vendosa që të mos vrapoja.

Pijaneci m’u afrua dhe më tha:

“E shoh që je murgeshë. Më thuaj kush është më i mirë, Perëndia apo djalli? Sepse ajo më thotë”, duke u drejtuar nga gruaja që e shoqëronte “që djalli është më i mirë. Ҫfarë thua?”

Pyetje e frikshme. E tërë turma që qëndronte në atë çast në stacionin e autobusit po na shikonte me kujdes, por për njëfarë arsye më dukej mua se në rastin e sjelljes së pahijshme të burrit, mundësitë e marrjes së ndihmës nga ndonjë ishin shumë të pakta. Ishte befasuese që pavarësisht se ishte ora 11 e mëngjesit, ata kishin pirë aq shumë. Ҫ’njerëz ishin ata? Ndoshta ishin të përfshirë në ndonjë magji ose okultizëm? Shpirti im ishte i rënduar.

Në ato çaste stresuese, papritur m’u kujtua një kartolinë që më kishte dërguar një herë një mikeshë para se të futesha në manastir. Në të shkruhej: “Kujto o i krishterë se jeta juaj mund të jetë e vetmja Bibël që mund të lexojë dikush në tërë jetën e tij”.

Atë çast, këto fjalë shpëtuese më pickuan.

Përgjigjja ime ndaj pijanecit ishte e shkurtër por e prerë:

“Perëndia është më i mirë!”

“Po pse është më i mirë Ai?” pyeti ai.

Duke e kuptuar nevojën për të folur sa më thjeshtë, unë shqiptova përsëri i sigurtë këtë fjali:

“Perëndia është më i mirë sepse krijoi tërë botën dhe vdiq në kryq për ne. Kurse djalli nuk mund të bëjë asgjë, përveçse të ketë smirë Perëndinë dhe t’u bëjë keq njerëzve”.

Për habinë time, pasi dëgjoi këto fjalë, pijaneci papritur pyeti

“Po si duhet t’i lutem Atij?”

Në atë çast, ai shtriu dorën e tij sikur të donte t’i paloste gishtërinjtë e tij për të bërë shenjën e kryqit. Ishte e qartë për mua se po e bënte këtë për herë të parë. Unë fillova ta shtyj atë, ndërsa po mundohej me duart e tij të pakoordinuara për të përfunduar detyrën. Nga jashtë dukej sikur po luhej një lloj komedie. Por unë pashë se ndonëse ishte i dehur, i bënte pyetjet seriozisht. Kur i palosi mirë të gjitha gishtat, pyeti përsëri

“Po tani ku ta bëj në ballë?”

“Po, në ballë”, e nxita unë, “dhe tani duhet të thuash: në emrin e Atit ... “

Ai e vuri dorën në ballë dhe përsëriti pas meje.

“Po tani ku ta vë?”

“Tani vëre poshtë te stomaku…”

Në një mënyrë të ngjashme që të dy kaluam nga një lëvizje në një tjetër, duke bërë shenjën e kryqit. Ai po ngatërronte supin e majtë me të djathtë por lëvizi dorën për të korrigjuar ndonjë gjë që e kishte thënë të pasaktë. Më në fund e tërë fjalia : “Në emrin e Atit, të Birit dhe Shpirtit të Shenjtë ...” u shqiptua saktë por sigurisht që midis këtyre fjalëve të mrekullueshme e të shenjta dolën pyetje e sqarime të shumta: “Më lart?”, “Më ulët?”, “Po ose jo?”, “Këtu?” etj. Në fund, pasi ai tha pas meje fjalën “Amin!”, diçka e pabesueshme ndodhi.

Ai u drodh dhe tundi kokën e menjëherë sytë e tij m’u ngulën me habi. Ky njeri që më parë ishte i dehur u kthye esëll menjëherë dhe të gjitha shenjat e mëparshme të alkoolizimit ishin zhdukur! Ai qëndroi pak në heshtje, krejt i mahnitur nga ajo që i kishte ndodhur.

“Shko në kishë”, i thashë dhe “pagëzohu e do të bëhesh njeri tjetër”.

Papritur një tjetër autobus ishte gati për t’u nisur. Gruaja që e shoqëronte ish pijanecin nisi ta shtynte shokun e saj duke i thënë “është koha që të ikim!”. Gjatë rrugës drejt autobusit ai më vështroi disa herë dhe kur hipi në autobus, qëndroi për një çast te shkallët, duke mos e lejuar derën të mbyllej. Kur autobusi lëvizi ai më vështroi sërish teksa po e ndiqja me sy autobusin. Ai ishte kthyer tashmë në një person krejt tjetër.

Unë nuk di asgjë për jetën e tij në vijim por besoj se Zoti nuk është ndarë prej tij.

MORE:Njerëzit