Kryefamiljari shqiptar që sakrifikon për t’iu bashkuar Kishës Orthodhokse

I rritur pa Krishtin në një komb brutal ateist, kur ishte fëmijë dëgjoi fshehtazi  stacionet radiofonike të krishtera të vendeve fqinje. Më vonë pas viteve 90 iu bashkua ungjillorëve ose protestantëve, u martua e krijoi një familje.

Nëse do të bëhej orthodhoks, e dinte se do të humbte të ardhurat e vetme për familjen e tij nga protestantët. Por e donte më shumë Jisuin dhe se duke ndjekur Krishtin ishte gjëja më e rëndësishme dhe më në fund, e ndërmori hapin gjigant të besimit dhe iu bashkua i vetëm Kishës  . . .

MORE:Njerëzit

Djegia e librave të shenjtë, burgosja e të krishterëve, ekzekutimi i priftërinjve – ky komb brutal komunist ishte i vendosur për të shfarosur çdo copëz të besimit brenda kufijve të vendit. Jo shumë kohë para shembjes së kishave një djalosh me emrin Vangjel u pagëzua në Kishën Orthodhokse Shqiptare.

Në Evropën qendrore, në kufi me Greqinë dhe rreth 50 milje detare nga Italia, Shqipëria ishte shpallur si një vend ateist. Pas lëngimit nën zgjedhën osmane për 500 vjet, i tërë vendi vuajti rreth gjysmë shekulli prej komunizmit. Të gjitha kishat e manastiret u shembën ose u kthyen në magazina e qendra të ndryshme. Klerikët u zhveshën, shumë prej tyre u burgosën ose internuan dhe disa u martirizuan. Çdo shprehje fetare u ndalua. Ç’shpresë mund të ketë vallë një fëmijë shqiptar teksa rritet në një botë të tillë?


Pavarësisht nga angazhimi i shtetit shqiptar për të shkatërruar Kishën, disa familje shqiptare e vazhduan praktikën e besimit të tyre fshehurazi, ndonëse familje të tilla etiketoheshin mizorisht si “armiq të popullit”. Por familje të tjera duke iu druajtur përndjekjes humbën çdo shpresë dhe besimin te Krishti.

Të frikësuar se i biri mund të tërhiqte vëmendjen e të tjerëve duke thënë diçka, prindërit e tij nuk e rritën si të krishterë dhe vetëm ndonjëherë merrte ndonjë shenjtë të besimit të kryer prej prindërve fshehurazi.

Ashtu si ky djalosh, Shqipëria ka pasur një të shkuar të fshehur të Besimit Orthodhoks. Foto e mëposhtme na tregon mozaikë të krishtera orthodhokse në gërmadhat e Amfiteatrit të Durrësit, që janë ndërtuar rreth një mijë vjet më parë.

Mozaikë të lashtë të krishterë në amfiteatrin e Durrësit

Por në zemrën e tij zjarri i ndezur nga Perëndia digjej në natën e gjatë të komunizmit ateist. Që i ri ai kishte një interesim të veçantë ndaj besimit dhe kishte një etje të pashuajtshme në kërkimin e të vërtetës.

Megjithë ndalimin e programeve radiofonike fetare, gjatë viteve 80 Vangjeli dëgjonte fshehurazi programet e krishtera në radio e për shumë vite kjo ishte mundësia e tij e vetme për të mësuar për Krishtin. Më vonë ai gjeti në bregdet një broshurë me Ungjillin e Joanit.

Në 1991, ndryshimet politike në Shqipëri i dhanë fund përndjekjeve të hapura të të krishterëve dhe dalëngadalë Kisha Orthodhokse Shqiptare nisi të ngrihet nga rrënojat.

Një nga shumë kishat e rrënuara orthodhokse nga autoritetet ateiste shqiptare

Si një i ri që ishte i zellshëm për të mësuar anglishten, Vangjeli u takua me disa misionarë ungjillorë protestantë dhe iu bashkua takimeve të tyre, duke filluar me grupe studimi në shtëpi. Dhe këta misionarë hapën një bashkësi në qytetin e vendlindjes së tij, Durrës. Më vonë ai pandehu se e zbuloi të vërtetën duke lexuar libra kalvinistë dhe iu bashkua së bashku me familjen kishës së Reformuar Protestante, që quhet më ndryshe edhe Presbiteriane në të cilën qëndruan për disa vite.


Vangjeli punonte si përkthyes për të mbajtur familjen, i punësuar si përkthyes i shkrimeve teologjike kalviniste nga anglishtja në shqip. Të ardhurat që merrte ishin bekim por përbënin në të njëjtën kohë edhe një pengesë për të zbuluar lirisht të vërtetën e krishterimit orthodhoks. Siç shprehet Upton Sinclair:

“Ёshtë e vështirë që dikush të kuptojë diçka kur futet në mes rroga e tij”.

Por fatmirësisht dashuria e tij për Krishtin i kapërcente pengesat dhe kështu ai nisi të interesohej për të njohur Besimin Orthodhoks, teksa ishte pagëzuar fëmijë në Kishën Orthodhokse.  

Një kala e lashtë në vendlindjen e Vangjelit, Durrës

Fatkeqësisht ky udhëtim i ri shpirtëror do të krijonte probleme në familje sidomos për shkak të punësimit të tij. Dhe ishte e qartë për të se ndryshimi i statusit të besimit do të përbënte një humbje të të ardhurave.   

Pas disa vitesh kërkimi e shqyrtimi të Besimit Orthodhoks, duke lexuar mbi Mësimet e Kishës, apo nga jetët e shenjtorëve dhe nga shkrimet e Etërve të Shenjtë të Kishës, duke marrë pjesë ndërkohë sidomos gjatë javës në shërbesat e Liturgjisë Hyjnore, ai u bind për vartësinë e këtij Besimi, duke u bindur që duhet të ishte pjesë e Kishës Orthodhokse, si Kisha e themeluar nga Krishti, për të qenë në gjendje për të marrë pjesë në Misteret e vendosura nga Krishti në Kishë si mjete për të arritur shpëtimin, por për shkak të problemeve me familjen i duhej të priste kohën e duhur. Ai ishte i vetëdijshëm që duhet të ndërmerrte një vendim por të ndërmarrësh një hap kaq të madh i vetëm, pa pasur përkrahjen ose ndjekjen e familjes është diçka shumë e vështirë, duke u përballë edhe më një jetë shpirtërore të dyfishtë.  

Dhe ja siç shprehet vetë ai:

Unë arrita në një pikë të rrugëtimit tim ku isha plotësisht i bindur për Besimin e Krishterë Orthodhoks. E ndieja orthodhoksinë në zemrën time dhe e ndieja barrën e të shkuarit me familjen menjëherë pas Liturgjisë Hyjnore në shërbesën protestante, në të cilën zemra ime nuk ishte më. Edhe doja që t’i bashkohesha së bashku me familjen Orthodhoksisë por po prisja për momentin e duhur.

Një prift orthodhoks e më ftoi që të shkoja me familjen në Berat dhe të merrja bekimin dhe këshillat shpirtërore të një episkopi, mitropoliti i Beratit e Vlorës, një jerond i veçantë që spikaste për jetën e tij asketike dhe jetën e jashtëzakonshme të lutjes, Hirësi Ignatit, një dishepull shpirtëror i dy njerëzve të shenjtë që janë shpallur tashmë shenjtorë — Shën  Amfiloku i Patmos dhe Jerond Simon Arvanitit. Takimi ishte shumë i veçantë, frymëzues për besimin tim dhe përshpejtimin e vendimit tim për të hedhur hapin e madh por edhe nxitës për vajzën, duke e futur edhe atë në rrugën e katekumenatit por edhe për bashkëshorten, duke shkaktuar si konfuzion ashtu edhe një provokim pozitiv ndaj Besimit Orthodhoks. Ai i nxiti ata që të shkonim së bashku dhe ndërsa unë do të rikthehesha në Kishë, ata do të pagëzoheshin dhe do të futeshim të gjithë së bashku në Kishë.

Fillimisht mendova që duhet të prisja për ca kohë derisa edhe gruaja të fillonte interesimin ndaj Besimit të shenjtë. Por koha po kalonte dhe shikoja se ata nuk ishin ende gati për t’iu bashkuar Kishës. Prandaj më duhet të merrja një vendim për veten time.

A do të hynte ai në Kishë dhe të ndiqte thirrjen e Krishtit? Apo do të vazhdonte të priste, duke shpresuar për momentin kur do të binte dakord me familjen?

Dalëngadalë ai e ndiente se cila ishte rruga që duhet të ndiqte. Edhe me këshillën e episkopit që tani është ati i tij shpirtëror që e nxiti ta ndërmerrte hapin i vetëm dhe gjithashtu të Atë Josif Gleason, priftit me origjinë amerikane që është shpërngulur prej disa vitesh në Rusi, administratorit të Russian Faith i cili i sugjeroi që në këtë mënyrë do të udhëhiqte familjen e tij duke krijuar një shembull nxitës dhe duke treguar sesa i rëndësishëm është Besimi dhe të qenit pjesëtar i Kishës së Krishtit.

Dhe kështu në fillim të këtij viti, më në fund u futa në gjirin e Kishës, aty ku isha pagëzuar fëmijë. Ndihem i lumtur që e kam ndërmarrë hapin e duhur në kohën e duhur, por jam duke u lutur fort për familjen sepse dua që edhe ata të jenë pjesë e Kishës Katholike dhe Apostolike.

Ai e ndërmori këtë hap kritik dhe iu bashkua i vetëm Kishës. Dhe ky vendim i dha disa fryte, pasi vajza e tij e cila tashmë kishte filluar seriozisht të mësonte për Besimin Orthodhoks, e përforcoi dëshirën e saj për t’u pagëzuar, edhe pse donte të priste të ëmën për t’u pagëzuar së bashku.

Lutjet e mia po fillojnë të marrin përgjigje. Vajza më tha së fundmi se dëshiron të bëhet orthodhokse duke u pagëzuar. Bashkëshortja ime nuk është ende gati por e mbështet vendimin e vajzës.

Kjo mbështetje është një bekim i madh sepse hapi i parë i përqafimit të orthodhoksisë është thjesht të mos dalësh kundër asaj.

Me hirin e Perëndisë, unë lutem që të vijë sa më shpejt dita kur e tërë familja jonë do të jetë në unitet, duke adhuruar së bashku në Kishën Orthodhokse.

Si fëmijë i vogël Vangjeli e kishte marrë hirin e pagëzimit të shenjtë, të cilin edhe vitet e ateizmit dhe komunizmit nuk qenë në gjendje ta shuanin. Udha ishte e gjatë dhe e vështirë por më në fund e gjeti rrugën e tij drejt Kishës Orthodhokse, duke e gjetur atë që zemra e tij kishte kërkuar që në fillim, duke korrigjuar gabimin e ndalimit në besimin e tjetërsuar nga skizma, atë të katolicizmit.

Vajza e tij po pret me padurim që të pagëzohet, duke shpresuar edhe që e ëma sa më shpejt të vendosë për të njëjtën gjë. Lavdi Perëndisë!

Kthimi i tij në gjirin e Kishës së vërtetë apostolike por edhe atë të origjinës së të parëve të tij, ishte sigurisht një ngjarje e gëzueshme, por njëkohësisht ishte e shoqëruar me një kosto të madhe, për humbjen e të ardhurave, e tani atij i duhet të gjejë mënyrë tjetër për të suportuar familjen.

Së fundi diçka rreth kontaktit të tij me faqen Russian Faith: në verën e 2019, rashë në kontakt me faqen dhe vendosa t’i shkruaja një mesazh Atë Josifit, redaktorit de botuesit të faqes, duke i bërë të ditur pëlqimin e artikujve të saj, disa prej te cilave ia lexoja vajzës e cila ishte e interesuar ndaj Rusisë, duke u shtyrë fillimisht nga leximet shkollore të njërit prej autorëve të saj të preferuar rusë, përveç Dostojevskit, Gogolit.  

Inkurajuese ishte historia e një ish-kalvinisti brazilian, tashmë i pagëzuar orthodhoks, i cili jeton tani në Rusi, kthimi i tij në Orthodhoksi, që ka krijuar faqen portugeze të Besimit Rus. Ai quhet Geraldo, tani Ambrosio pas pagëzimit, historia e të cilit ishte interesante edhe për shkak të përvojës së përbashkët të kalvinizmit në të kaluarën.  

Ndër artikujt e përkthyer nxitës ka qenë ai me titullin “Preaching Without a Bible”, sepse e përforcoi rikonsiderimin e njohjes e konceptimit të Shkrimit e Kishës, duke i parë në një dritë më të qartë, e duke u bërë më i vetëdijshëm sesa shumë i çmojnë të krishterët orthodhoksë Shkrimet e Shenjta dhe për faktin se pa Kishën ne nuk do ta kishin Biblën ashtu siç e njohim dhe e kemi sot.

Unë i propozova të përkthej vullnetarisht disa prej shkrimeve të faqes në shqip. Dhe ramë  dakord që nëse do të përktheheshin mjaftueshëm artikuj do të krijohej faqja shqipe e Russian Faith. Ndihesha mirë që të ndaja Besimin Orthodhoks me të tjerë, edhe pa qenë ende pjesë e Kishës, duke hedhur së paku disa hapa në drejtimin e duhur.

Vangjeli iu përkushtua si vullnetar përkthimit të shumë shkrimeve të faqes nga anglishtja në shqip. Dhe siç thamë këto shkrime ndikuan pozitivisht në procesin e njohjes së Besimit Orthodhoks.

Dhe pak më vonë versioni në shqip i faqes së përgjithshme u publikua. Çdo artikull që gjendet në këtë faqe është përkthyer prej tij.


Faqja e Besimit Rus ne gjuhen shqipe 


____________

MORE:Njerëzit