Kirurgu i padukshëm: Një mrekulli e thjeshtë e Shën Llukait

Originally appeared at: Orthodox Christianity

Thuhet me të drejtë për shenjtorët: veprat e tyre i ndjekin pas, bashkë me ata” (Zbul. 14:13). Disa herë do të kryhet një shërbesë kremtuese për një shenjtor dhe më pas do të zbulosh për ndihmën e mrekullueshme që shenjtori i ka dhënë dikujt që është afër jush.  Kjo është një histori që ma ka treguar At Sergej, të cilin e kam njohur për një kohë të gjatë. Ka diçka për të qeshur dhe njëkohësisht tragjike në këtë histori. Por gjëja më e rëndësishme është domethënia shpirtërore, që do të përpiqemi të nxjerrim nga ngjarja.

 Një herë kur ishte adoleshent At Sergej po luante futboll dhe pësoi një lëndim të vogël këmbe e iu formua një xhungë në shputën e këmbës. Nuk i shkaktonte dhimbje. Ai pati mundësi të shërbente në ushtri, të studionte në seminar, dhe të shërbejë tashmë si prift pa probleme fare. Por pas një farë kohe, ai ndjeu se xhunga po i acarohej kur prekte  këpucën. Nuk iu duk shqetësuese, por meqenëse po e bezdiste atë, dhe për hir të rehatisë, ai donte ta hiqte xhungën.

At Sergej kishte shumë të njohur dhe një kirurg që e njihte ekzaminoi shputën e këmbës dhe tha se nuk kishte problem. Thanë se do të kryenin një operacion të lehtë kozmetik, nuk do të kishte më xhungë, dhe bezdisja do të mbaronte. Duke parë thjeshtësinë e operimit, kirurgu vendosi që ta bënte ndihmësi. Ai e kreu operacionin por doli që kishte shkëputur një tendinë të rëndësishme. Ata gjithashtu nuk e dinin se në plagë ishte futur një infeksion.

At Sergej dhe miku i tij kirurg mbetën shumë të habitur. Nëse përpara dukej se kishte vetëm një problem me shputën, tani problemi ishte më i madh. Ishte e dhimbshme të shkelte me atë këmbë. Infeksioni po e shfaqte veten. I dhanë pacientit antibiotikë të fortë. Tani do të zbuloj një sekret tjetër—At Sergej nuk i mori antibiotikët. Ai nuk ishte shumë i shqetësuar për infeksionin, pasi mendonte se do të kalonte vetë me kalimin e kohës. Ai e la pas dore kujdesin për shëndetin e tij për pak kohë, për t’u marrë me çështje të tjera që i konsideronte më të rëndësishme.

Si rrjedhojë, ai humbi kohë. Infeksioni u përhap në pjesë të reja, i preku indet dhe u përhap në gjithë këmbën. Një ditë At Sergej e kuptoi se nuk ishte thjesht një problem por një problem mjaft serioz. U kthye në klinikë dhe i bënë një grafi dhe disa teste të tjera.  ekzaminimi. Ajo që dëgjoi At Sergej e tronditi në palcë:

“Fatkeqësisht, është shumë vonë që të pastrohet infeksioni. Je në rrezik gangrene. Do të duhet të presim shputën dhe një pjesë të këmbës. Dhe nuk ka kohë për të humbur.”

Si ishte e mundur? Është me siguri një gabim, mendoi ai. Nuk mund të më fusin në thikë. Ai shkoi me nxitim në klinika të tjera. Por kudo, edhe tek klinikat më të shtrenjta i thanë të njëjtën gjë: u duhej të prisnin menjëherë shputën, ose do t’u duhej të prisnin këmbën më vonë, ose përndryshe ai do të vdiste. E kështu bezdisja me një xhungë të vogël u përkeqësua në një kërcënim të vërtetë vdekjeprurës. Ai nuk mund ta besonte dhe vazhdonte të shkonte në mjekët që njihte.

Më në fund në një institut kërkimor në Moskë, pasi dëgjuan për të gjitha peripecitë e tij në qendra të ndryshme mjekësore, i dhanë lajmin e mirë: “Bëhu gati se kemi një mënyrë kurimi pa amputim”.  Ai pranoi menjëherë dhe u shtri, duke menduar se do të bëjnë njëfarë operacioni për të pastruar indet. Por nga mbrëmja përpara ditës së operacionit, erdhi mjeku dhe tha: “Meqë je një prift, unë nuk mund të të gënjej. Nesër do të të presin shputën e këmbës”. Doli që këtë kishin vendosur të bënin, pa e paralajmëruar, në mënyrë që ta shpëtonin nga gangrenizimi. Mjekët nuk kishin asnjë zgjidhje tjetër. Nuk donin që ai të bëhej më keq dhe ta linin që të shqetësohej pafund e të kalonte sa në një qendër mjekësore në tjetrën. Kur ai mori vesh çfarë e priste, At Sergej nuk mund të mos mendonte për ndonjë gjë tjetër më të mirë përveç se të arratisej.

Ҫfarë po ndodhte me të në këtë moment? Kjo është një pyetje retorike.Le të themi se ne priftërinjtë jemi njerëz si gjithë të tjerët, me po ato frikëra, dyshime, dhe shqetësime. Ndonjëherë ne nuk e dimë cila është gjëja e duhur që duhet bërë. Ne besojmë se Perëndia  nuk do të na lerë, por cili duhet të jetë hapi ynë i parë pa mëkatuar — këtë nuk e dimë. Nganjëherë ne nuk mundemi të lutemi me zjarr apo të të kërkojmë me guxim diçka. Por edhe me telashet e tij me këmbën e sëmurë, At Sergej vazhdoi të merrte pjesë në shërbesa. Ai vazhdoi të dëgjonte rrëfime, të kungonte njerëz, të predikonte. Edhe pse me njërën këmbë ai çalonte, akoma vazhdonte të ecte në rrugën baritore së cilës i qe përkushtuar me gjithë zemër.

Por gjithashtu, dhe kjo është më afër pikës kryesore, pa pasur lidhje me historinë e spitalit, ai kishte porositur një ikonë të Shën Llukait (Voino-Yasenetski) për famullinë e tij dhe kishte kërkuar për një copëz të lipsaneve të shëruesit të shenjtë. Ai nuk bëri asnjë betim ose lutje për mrekulli. Por thjesht donte të varte një ikonë të mrekullibërësit tonë të mirënjohur në kishë, me rastin e të kremtes së tij së 11 qershorit.

Pra, ikona u pikturua, dhe u dha një pjesë e lipsanit të shenjtorit. Mbajtësja e lipsanit ishte vënë në ikonë dhe ikona ishte varur në kishë. Ditën e festës, më 11 qershor, At Sergej  kremtoi Liturgjinë dhe një shërbesë falënderuese për shenjtorin; lexoi një lutje, këndoi Madhërimin së bashku me të gjithë, dhe shkoi tek ikona për të nderuar lipsanin e shenjtë. Ҫdo gjë ishte si në shërbesat e zakonshme kremtuese. Ai nuk donte të mendonte rreth gjendjes së vet shëndetësore. Ai thjesht u lut, pa asnjë ankth apo shtrëngim duarsh, sipas librit të lutjeve të librit të shërbesave, librit të lutjeve dhe Librit të Nevojave. Dhe në mëngjesin vijues, 12 qershor, ai u zgjua për të zbuluar diçka të mahnitshme.

Nuk kishte fare infeksion as në shputën e këmbëve e as në këmbë. Ishte sikur asgjë nuk kishte ndodhur. Por në të njëjtën kohë, kishte qepje të vogla në vendin e infeksionit, sikur një kirurg i padukshëm e kishte operuar ndërkohë që ai flinte dhe e kishte shpëtuar nga gangrenizimi dhe nga prerja e pashmangshme. Një ekzaminim e konfirmoi se këmba së bashku me shputën ishin të shëndetshme, dhe dëmtimi i pejzës qe zhdukur gjithashtu.

Pra, kjo ishte çfarë i ndodhi mikut tim At Sergejit. Të mrekullueshme janë veprat e tua, O Zot!

Konkluzioni duhet të jetë ky: Nëse nuk ke një problem serioz, mos i krijo një të tillë vetes. Por nëse e ke punën pisk, mos u dëshpëro. Kujto se kemi shenjtorët që qëndrojnë para Perëndisë në Parajsë që na shohin dhe që me hirin e Perëndisë mund të na nxjerrin nga çdo situatë pa asnjë rrugëdalje.

  • Shqip
  • العربية
  • English
  • Français
  • Deutsch
  • Bahasa Indonesia
  • Italiano
  • Português
  • Русский
  • Español