Ne u ofrojmë lexuesve një tregim të sinqertë të personave bashkëkohorë që kanë përjetuar vdekjen klinike dhe shkuan në ferr.
Mirëdita! Quhem Argjir Mici. Jam nga Megali Vrisi i distriktit të Kilkisit, Greqi. Unë dua të ndaj me ju çfarë ka ndodhur me mua pas vdekjes sime klinike. U konsultova me Jerond Kirilin, atin tim shpirtëror i cili më sugjeroi që ta ndaja këtë histori me persona të tjerë. Ka të ngjarë që disa prej jush të qeshin me mua. Por edhe sikur të më besojë së paku një në njëqind persona, do të jetë e mjaftueshme e ndoshta vetëm një shpirt do të shpëtohet. Ishte e vështirë që të vendosja për të folur publikisht por unë jam gati që të marr përgjegjësinë për fjalët e mia. Nëse ndonjëri prej jush do të dyshojë dhe do të këmbëngulë që po e “ekzagjeroj”, unë mund të tregoj letrat e daljes nga spitali për të provuar se e keni gabim.
Kam bërë një jetë jo të shenjtë. Kam punuar gjatë natës në një bar, duke mallkuar dhe blasfemuar pa pushim Zotin dhe Nënën e Perëndisë. Nuk kishte asgjë që e mbaja si të shenjtë.

Një ditë pësova pushim zemre dhe më shtruan në Spitalin e Papagjeorgjiut. Kisha një mik që punonte atje, Dr. Moskaros Lambros, që ishte Drejtori i Sektorit të Gjakut. Vendosëm që të bëja një angiografi koronare për të parë se çfarë po ndodhte.
Edhe atje në spital, vazhdoja të shaja dhe të mallkoja Zotin Jisu Krisht dhe të Tërëshenjtën. Ёshtë e tmerrshme edhe të mendoj për gjërat që thosha në atë kohë! Kur mjekët morën përgjigjet e testeve, vendosën që të bënin një ndërhyrje.
Bëra ndërhyrjen, me narkozë nga mesi e poshtë. Nga narkoza epidurale nuk ndieja fare dhimbje. Këmbët m’u mpinë dhe m’u errësua gjithçka dhe m’u morën mendtë. Mbylla sytë dhe ika.
Shkova në një vend krejtësisht të ndryshëm, të mbuluar në errësirë të plotë. Shpirtra të tjerë bërtisnin rreth meje për të marrë ndihmë e mëshirë. Vendi kutërbonte. Dikush më godiste dhe ndjeva një djegie të fortë në dorën e djathtë.
Do t’ju shpjegoj se çfarë po ndodhte. Ёshtë sikur jeton me dikë në një dhomë me dritë të fikur. Sikur dikush t’ju ketë mbyllur gojën dhe hundët, duke ju marrë frymën. Dhe zëra që ulërinin në veshët tuaj. Zëra që dëgjoja nisën të thërrisnin “mëshirë, ndihmë, shpëtona që këndej”. Aty kuptova se gjendesha në ferr. Isha unë por që nuk kisha as trup, duar, këmbë, asgjë.... Ula kokën dhe pashë që nuk kisha trup, asgjë. Në një moment, dy sy të kuq qëndruan përpara meje dhe më shikonin me ngulm. Atëherë dëgjova një zë të fuqishëm dhe të fortë: “Më në fund erdhe, po të prisja. Unë jam ... filani”. Më tregoi emrin e tij, emrin e djallit. Nuk dua ta përmend atë emër të mallkuar. Nisi pastaj të më godiste brutalisht duke ma djegur dorën e djathtë. Dhimbja ishte e padurueshme. Më kapnin nga fyti duke më shtrënguar fort që të më mbysnin. Vuajta aq shumë sa që nëse do kisha mundësi të tregoja gjithçka, besoj se do të qëndronit në gjunjë ditë e natë duke i kërkuar Zotit që të kishte mëshirë e t’ju ndihmonte. Nuk do të kaloj në shumë detaje se përndryshe do të ishte një histori e gjatë dhe do t’ju merrja shumë kohë. Po ashtu, vuajtjet e mia kishin të bënin më së shumti me mëkatet e mia të mëparshme të cilat mund t’i tregoj vetëm në një rrëfim.
Duke vuajtur tmerrësisht, rashë në dëshpërim dhe për herë të parë në 48 vjet, nisa t’i thërras Perëndisë në lutje: “Më ndihmo o Zot! Unë të besoj! Më merr që këndej!”
Dhe atëherë pashë një dritë që vinte nga lart drejt meje.
Shpresa u shfaq në shpirtin tim dhe mora forcë. Drita forcohej gjithnjë e më shumë ndërsa errësira largohej. Përballë meje qëndroi një djalosh flokëverdhë, me mjekër të butë dhe sy të gjelbër. Shtriu dorën e Tij mbi krye dhe tha: “Mos ki frikë, unë jam këtu”.
Më pas hapa sytë dhe u gjenda përsëri në sallën e operacionit. E kisha fytyrën të mbuluar me çarçaf. Tre minuta më parë zemra më ndali së rrahuri dhe dëgjova mjekët duke diskutonin sesi t’ia thoshin lajmin e vdekjes gruas sime. Ngrita çarçafin dhe u thashë : “Ku shkoni o njerëz? Unë jam gjallë. Jam këtu!” Mjeku im, Kosta, bashkë me Jorgon, rendën te unë dhe pa thënë asnjë fjalë, më bënë një gjilpërë dhe vazhduan operacionin. Ata nuk u besonin syve. Më vonë më dërguan te salla e reanimacionit. Kur erdhi mjeku për të më vizituar më tha: “A e di që ke pësuar vdekje klinike?” “Nuk e di nëse isha i vdekur por di vetëm që shkova diku” iu përgjigja.
Kur më doli narkoza, ndjeva një dhimbje të tmerrshme në krahun e djathtë dhe këmbën e djathtë. Një djegie e padurueshme. Erdhi një infermiere që të më jepte diçka për të ngrënë. Pasi më pa krahun, më pyeti: “Kur ka ndodhur kjo në dorën tënde?”
Kthej kokën dhe shikoj që kisha një djegie në dorë në formën e një kurore mbi të cilën ishin tre gjashta. Tre gjashta të cilat i kisha marrë atje në ferr.
Mjeku im më njihte prej një kohe të gjatë dhe e dinte mirë që kam bërë shumë të këqija në jetën time por që nuk kam qenë përfshirë kurrë në adhurimin e Satanait dhe gjëra të tilla. Ai tha se nuk kishte asnjë ide se ku mund ta kisha marrë këtë djegie. Ai ishte një ateist i flaktë, besonte vetëm te shkenca e tij.
Më nxorën nga spitali ditën e katërt. Nuk mund ta ngrija dot dorën dhe ajo lëshonte erë shumë të keqe. Djegia me numrin 666 më dhembte shumë. Nuk mendoja se mund ta kisha marrë në ndonjë vend tjetër përveçse në ferr.
Në atë kohë njihja një të Krishterë të devotshëm, që quhej Dhimitër. Zoti ta bekojë që më çoi në manastir! Fillimisht, nuk dëshiroja të shkoja: “Ç’janë këto budallallëqe!” Besimi im ishte mjaft i dobët në atë kohë.
Harrova të përmend diçka. Ndërsa isha ende i shtruar në spital, ishte një ikonë në mur afër shtratit dhe shenjtori m’i kishte ngulur sytë. Kisha përshtypjen se më shikonte drejt e në sy. Thirra infermieren që të ma sillte ikonën. Ajo e hoqi nga muri dhe ma tregoi. Ishte Shën Paisi i Malit të Shenjtë.
Kur dola nga spitali, Dhimitri më çoi në manastir (nuk po e them emrin e manastirit). Jerondi më dëgjoi dhe më pas u rrëfeva për herë të parë në jetën time.
Duhet ta them se sapo u futa në manastir, u tërbova nga inati. Doja t’i zhdëpja në dru të gjithë murgjërit, aq i inatosur isha. Për tre ditë e tre net, etërit dhe vëllezërit e manastirit qëndruan zgjuar në lutje për mua. Ata u treguan shumë të dashur gjatë gjithë kohës që qëndrova me ta dhe i kapërcyem me ndihmën e Perëndisë ato ditë të tmerrshme. Çdo natë vinte djalli tek ata dhe i godiste dyert dhe bërtisnin me ulërima: “Ku ndodhet Argjiri im? Ma jepni Argjirin se është i imi!”
Por jerondi ishte gati për luftë. Ai tha: “Ose do bëhesh më mirë ose do të vdes edhe unë me ty”. Ai ishte një shenjtor i vërtetë, mjaft i virtytshëm dhe unë nuk do të kisha folur për të përpara njerëzve po të mos ishte e vërtetë.
Ditën e tretë, u zgjova dhe vura re se shenja e djegies me gjashtat në dorën time ishte zhdukur. Era e keqe kishte mbetur dhe ende nuk mund ta ngrija dot dorën. Kur erdhi Dhimitri të më vizitonte i kërkova një nder, që të më dërgonte në Suroti, te varri i Shën Pais Athonitit. Atje ndodhi një mrekulli tjetër të cilën nuk jam në gjendje ta shpjegoj.
Dhimitri më çoi në Suroti ku kishte shumë njerëz të cilët qëndronin pranë varrit të Shën Paisit, një turmë e madhe. Aty afër ndodhej një shtëpi e vogël, jashtë së cilës ndodheshin disa murgesha me kryemurgeshën. Kryemurgesha më thërret:
- Eja këtu!
- Me mua e keni?
- Po, - u përgjigj ajo – Ti je Argjiri?
- Si ma di emrin?
Mendova për një çast se mbase Dhimitri i kishte folur asaj për mua, por kur do ta gjente ajo mundësinë për ta bërë këtë? Atëherë kryemurgesha më thotë:
- Jerondi i shenjtë na tha se po vije. Eja me mua.
Ajo më çoi te varri i tij dhe tha: “Falu te varri i atit tënd”. U përkula dhe putha kryqin. Kur isha gati të largohesha nga varri, kryemurgesha më ndaloi përsëri dhe më bëri nderin më të madh të më çonte te qelia e shenjtorit ku ai prehej, në stolin dhe shtratin e tij. “Sikur ta dinit sesa shumë e dua! i thashë kryemurgeshës. Dhe ajo u përgjigj: “Ta dish sa të do ai ty. Do të takohesh me të”.
Që nga ajo kohë, jeta ime u transformua krejtësisht. Braktisa gjithçka. Bëj një jetë të varfër por Krishti banon në shtëpinë time dhe Shën Paisi banon gjithnjë me mua. Ai mund të jetë shenjtor për të gjithë ju po për mua është si babai im. Që kur e ndjeva praninë e tij në jetën time, gjeta një jetë të re. Ai më këshillon dhe më udhëheq.
Pas gjashtë muajsh pësova një infarkt tjetër. Më morën me ambulancë dhe më çuan prapë në spital, në pavionin e kardiologjisë. Mjeku më thotë: “Më duhet të bëj një operacion zemre, ose ndryshe do të të mbeten vetëm disa ditë jetë. Po të mos ta bëjmë atë të pret vdekje e sigurt, por nëse të operoj ke dhjetë për qind shans që t’ia dalësh mbanë. Gjendja jote është shumë serioze”.
I kërkova që të më jepte dhjetë minuta që të mendoja dhe të vendosja se çfarë duhet të bëja. Kur mbeta vetëm, shikova ikonën e shenjtorit që mbaja me vete dhe mora forcë, e u ndjeva sikur më kishte pëshpëritur dikush butësisht në vesh: “Vazhdo pa frikë”. Atëherë thërras mjekun tim:
- Jorgo, eja shkojmë në sallën e operacionit se nuk do jesh vetëm.
- Ҫfarë do të thuash Argjir?
- Bashkë me ty do të operojë edhe dikush tjetër duke të drejtuar duart.
Hyra në sallën e operacionit me një mundësi prej vetëm dhjetë për qind shans. Operacioni zgjati rreth 13 orë. Më pas më çuan në sallën e rianimacionit. Kur u zgjova, nuk mund të merrja frymë. Erdhi mjeku me infermieren dhe më vunë tubin e oksigjenit. Mjeku më tha: “Gjendja jote nuk është e mirë. Operacioni nuk shkoi aq mirë sa ç’e prisnim. Do të të mbajmë këtu edhe për 3 a 4 ditë dhe më pas do të qëndrosh në një pavion tjetër ku do të qëndrosh i lidhur me aparatura për dhjetë ditë”.
Atëherë ndodhi një tjetër mrekulli: pashë për herë të parë në jetën time një shenjtor në vegim. Qëndroja i shtrirë duke vështruar tavanin kur papritmas ndjeva një erë të mirë si e temjanit të mbushte dhomën. Dhe pashë Shën Paisin që më tha: “Ҫohu ore dembel, mjaft ndenje shtrirë! Je për bukuri. Ҫohu dhe liroja vendin një pacienti tjetër”.
Unë mund të paraqes si provë letrat e daljes sime nga spitali dhe që brenda dy ditësh m’i hoqën të gjitha aparaturat dhe fillova të ecja. Mjeku im mund t’i vërtetonte këto gjëra. Ditën e dytë kur erdhi të më vizitojë, ndjehesha shumë mirë sikur të mos kisha bërë fare operacion të zemrës. M’u afrua te shtrati, vështroi ikonën në krye të shtratit dhe më tha: “Mos është ky gjyshi për të cilin po më flisje?” Por kijeni parasysh që ai ishte një ateist njëqind karatësh. Ra në gjunjë, bëri kryqin dhe puthi ikonën. Nuk do ta harroj kurrë atë çast. E vështrova atë duke menduar se mbetet për t’u parë se kush prej ne të dyve do të përfitojë më shumë nga mrekullia që sapo kishim dëshmuar ....
Ishte e shtunë. Të nesërmen, të dielën, një murg i moshuar hyri në dhomë për të vizituar pacientin që qëndronte ngjitur me mua. Çdo njeri që hynte aty shërohej dhe dilte shpejt nga spitali sepse brenda banonte shenjtori. Murgu më vështroi dhe më pyeti:
- Ҫfarë problemi ke biri im?
- Bëra një operacion në zemër.
- Të gjithë këtu kanë njerëzit e tyre përveç teje, nuk ke asnjë që të të vizitojë? Mos je jetim?
- Po, nuk kam as baba e as mama.
Dhe më dha këtë përgjigje:
- Biri im, e Tërëshenjta është Nëna jote dhe engjëjt kujdesen për ty mbi kokën tënde.
Më nxorën nga spitali dhe vazhdova jetën. Nuk e di si ju duk historia ime. Më vonë më diagnostikuan me kancer në fyt por deri më sot nuk i kam kërkuar shenjtorit që të më shërojë. Për çdo ditë shpenzoj kohë në lutje për gjithë botën dhe ... nuk e di, ndoshta është diçka shumë e guximshme por i lutem Zotit që kur të vijë koha për ta lënë këtë jetë, të vijë Shën Paisi dhe lutem që të më marrë prej dore dhe të shkojmë së bashku …
Ёshtë e pamundur që t’i përmend të gjitha mrekullitë që më kanë ndodhur që kur e kam gjetur atë në jetën time. Një herë, preka aksidentalisht tela të zhveshura korenti dhe prapë më shpëtoi Shën Paisi. Nuk mund as ta përshkruaj sesa shumë ka ndryshuar jeta ime që nga dita kur në të hyri ky shenjtor.
Sigurisht që e dua Zotin dhe Shpëtimtarin tim Jisu Krishtin më shumë se çdo gjë tjetër në këtë botë. Ati im rrëfyes, Kirili më tha një herë: “Argjir, Zoti të ka ka bekuar shumë! Kam jetuar në këtë manastir që kur kam qenë djalë i vogël por Zoti nuk më ka çmuar të denjë për një përvojë të tillë aq të vyer. Ka shumë mundësi që ai i Riu i cili të shpëtoi nga ferri ka qenë vetë Krishti. Ai të dha një mundësi të dytë dhe i zgjati ditët tuaja në tokë në mënyrë që të pendohesh nga mëkatet e tua dhe të dalësh përpara Zotit me një zemër të pastër”.
E di që historia ime mund t’ju duket si një anekdotë por unë ju kam treguar ndershmërisht të vërtetën përpara Perëndisë. I kam përjetuar me të vërtetë të gjitha këto. Kam kryer lloj-lloj mëkatesh në jetën time dhe vetëm prej Perëndisë që jam sot ende gjallë.
Një herë më ofruan para Dëshmitarët e Jehovait për të zgjidhur problemet e mia financiare por nuk i pranova. Vetëm Krishti do të banojë në shtëpinë time.
E tregova historinë time pa u zgjatur në detaje të tepërta që do t’ju lodhin. Dyert e shtëpisë sime janë gjithnjë të hapura për këdo që dëshiron të flasë. Unë nuk e di sesa do të jetoj ose për sa kohë do të vazhdojë të rrahë zemra ime dhe sigurisht që do të vijë momenti kur do të ndahem nga kjo jetë. Ҫfarë përjetova në ferr më ndjek ende si makth dhe shpeshherë brof nga shtrati nga frika në mes të natës. Ato zëra ende më kumbojnë në veshët e mi. S’kam frikë nga vdekja por kam frikë se mos kthehem në ferr. Mos e dhëntë Perëndia që të përfundoj prapë atje! Mëshirona dhe shpëtona o Zot!
Në përfundim, do të doja të thoja edhe diçka që bashkëshortja ime nuk dëshiron ta dëgjojë. Sigurisht që më duhet të vuaj sa jam akoma në këtë botë, por siç thoshte shenjtori im i preferuar Shën Paisi: “Brenda në dhe do të shërohen të gjitha”. Ju falënderoj që më dëgjuat!
Këtu në Rusi, kjo faqe është momentalisht i vetmi burim të ardhurash për familjen Gleason dhe familjen Silva. Që të dyja familjet jetojnë tani në Rusi dhe e çmojnë shumë mbështetjen tuaj.
Në mënyrë që faqja Russian Faith të funksionojë, një dhuratë periodike qoftë edhe prej $15 ose $25 në muaj do të ishte një bekim i madh.