“Të krishterët e rinj normalë”: Efektet e gjata të pandemisë

"Çfarë ndikimi të gjatë do të shkaktojë pandemia në jetët tona? A na ka ndryshuar përgjithmonë viti i kaluar, marrëdhëniet tona me të tjerët, madje edhe mënyrën si e kuptojmë Perëndinë dhe Kishën e Tij?... Po përforcohen zakone ku e Diela nuk është më Dita e Zotit, Dita e Ngjalljes, Dita e Sabatit të cilën me vetëdije ia dedikojmë Perëndisë në mënyrë të veçantë"

Originally appeared at: Pravmir.com

Dashtë Zoti, shpresojmë që të rikthemi sërish në “normalitet” këtë vit. Por, si do të duket  “normaliteti i ri” sapo pandemia të ketë mbaruar? Si na ka ndryshuar kjo jetë e distancimit social, veshja e maskave, dhe shqetësimi se mos marrim virusin ose mos ua ngjisim të tjerëve? Çfarë ndikimi të gjatë do të shkaktojë pandemia në jetët tona? A na ka ndryshuar përgjithmonë viti i kaluar, marrëdhëniet tona me të tjerët, madje edhe mënyrën si e kuptojmë Perëndinë dhe Kishën e Tij?

Këto janë pyetje serioze mbi të cilat duhet të reflektojmë dhe të lutemi. Pandemia na ka sjellë një sfidë serioze për gjithësecilin prej nesh, por shpresojmë që të ketë vepruar si një thirrje zgjimi që do të na ndihmojë të shohim me më shumë qartësi atë që ka më shumë  rëndësi në jetë.

Kur u sëmura me COVID për 15 ditë, duke u ndjerë keq për shkak të temperaturës, dhimbjeve të trupit dhe lodhjes, përvoja më ndihmoi ta pëlqeja jetën, shëndetin, familjen dhe miqtë, dhe madje edhe besimin dhe Kishën në aq shumë mënyra të cilat unë i merrja si të garantuara më parë. Duke mos shërbyer në Liturgjitë Hyjnore për tri të diela rresht ka qenë koha më e gjatë që kisha qëndruar larg nga kisha në jetën time. Disa ditë kur ndihesha shumë i lodhur dhe se duhet të lutesha u kujtova sesa i çmuar është thesari i besimit që ne kemi. Mua sinqerisht më mori malli të shihja njerëz edhe për ato tri javë, dhe kuptova se çfarë dhurate të veçantë gjejmë tek miqtë dhe në familjen e Kishës!

Unë po lutem që kjo pandemi dhe koha që disa njerëz po e kalojnë larg kishës të mund t’i  ndihmojë ata që të kuptojnë se çfarë dhurate kemi ne në komunitetin tonë të besimit. Kemi arritur, shpresoj, të kuptojmë se megjithë sfidat e papritura si pandemia, dhe ngjarjet befasuese që na sjell jeta, Perëndia është gjithmonë me ne. Në fakt, prezenca e Perëndisë ndihet nganjëherë më shumë kur ne përballemi me vështirësi ekstreme dhe sfida të jetës, dhe shpresoj se pandemia na ka bërë t’a kuptojmë këtë.

Për të qenë të ndershëm, unë nuk jam i sigurt se të gjithë do të arrijnë të njëjtat konkluzione me të miat. Unë e pranoj se po lutem për të gjithë që të kenë ripërtëritje të marrëdhënies me Perëndinë dhe një vlerësim të ri për besimin e tyre dhe Familjen tonë të Kishës  gjatë pandemisë, por prapë kam frikë se këto vështirësi të vitit që shkoi mund të kenë ndarë njerëz nga kisha, nga komuniteti i besimit, nga njëri-tjetri, dhe nga marrëdhënia me Perëndinë.

Jam i shqetësuar se shumë njerëz nuk kanë shkuar në kishë për pothuajse një vit. Të tjerët mund të kenë marrë pjesë në adhurim dhe në shoqërinë me në qendër Krishtin në mënyrë shumë të rastësishme. Po përforcohen zakone ku e diela nuk është më Dita e Zotit, Dita e Ngjalljes, Dita e Sabatit të cilën ne ia dedikojmë Perëndisë me vetëdije të plotë në një mënyrë të veçantë. Më herët gjatë pandemisë, disa njerëz e gjenin ngushëllimin në adhurimin dhe në pjesëmarrjen tek shërbesat e transmetuara live në internet që ofronin kishat tona. Por prapëseprapë, ta shikosh Liturgjinë Hyjnore ose ndonjë shërbesë tjetër nga televizori nuk është njëlloj si të marrësh pjesë personalisht, ku marrim Trupin dhe Gjakun jetëdhënës të Jisu Krishtit dhe marrim pjesë në bashkësinë të Familjes sonë të Kishës me në qendër Krishtin. Dikush më komentoi se të shohësh në internet shërbesat e kishës krahasuar me pjesëmarrjen personale është si të shikosh në tv një pamje të bukur të një dite vere në plazh, krahasuar me praninë reale dhe shijimin e ngrohtësisë së diellit, duke nuhatur ajrin e detit dhe duke u zhytur në ujin e freskët. Të shikosh dikë në televizor nuk mund të krahasohet kurrë ose nuk mund të zëvendësojë dot përjetimin aktual të të qenit i pranishëm në adhurimin dhe shoqërinë e Kishës.

Pra, çfarë po ndodh me secilin nga ne? Si po përshtatemi? A jemi në dijeni për ndryshimet që mund të jenë duke ndodhur në jetët tona dhe në zakonet e reja që po formohen? Jeta e krishterë ka qenë gjithnjë e lidhur me disiplinat shpirtërore. Disiplinat nuk vijnë automatikisht dhe nuk janë të thjeshta për t’u zhvilluar. Ato kërkojnë kohë dhe përpjekje. Dhe kërkojnë një zemër të sinqertë dhe dëshirën e mirë.

Jetojmë në një botë sekulare që tenton ta copëzojë besimin tonë duke e kthyer në një  qoshe të vogël të jetës sonë, të minimizojë rëndësinë e marrëdhënies tonë me Perëndinë, ose madje të na bëjë të fokusohemi në botën materiale dhe në të tashmen në vend që të kujtojmë se jemi thjesht shtegtarë në jetë shumë të shkurtër në planetin tonë. Ne zbulojmë përgjigjet e pyetjeve më të thella të jetës, ne gjejmë qëllimin dhe domethënien e ekzistencës sonë, dhe zbulojmë shtegun e paqes, shpresës, dashurisë dhe gëzimit kur e bëjmë prioritet të ndjekurit e Perëndinë. Mos iu dorëzofshim tundimeve të shoqërisë sonë sekulare dhe u bëftë e dukshme përmes pandemisë nevoja jonë që gjithmonë të “kërkojmë mbretërinë e Perëndisë.”

Për ata që nuk i kam parë në Kishë, më mungoni shumë. Më kanë munguar vizitat nëpër shtëpitë tuaja për bekimet e përvitshme. Por ju jeni në lutjet e mia të vazhdueshme dhe  pranë zemrës sime.

Me shumë dashuri dhe shpresë në Krishtin Jisu,

+Llukai

  • Shqip
  • العربية
  • English
  • Français
  • Deutsch
  • Bahasa Indonesia
  • Italiano
  • Português
  • Русский
  • Español