Tri ide mbi asketizmin

Ёshtë më mirë të mos ta perceptosh Perëndinë si një mbikëqyrës të rreptë por si Hirdhënës. Në atë mëyrë do të jesh në gjendje ta ndryshosh qëndrimin ndaj pasojave të veprave tuaja mëkatare: nëse mëkatoni, ju humbni mbulesën e hirit, dhuratat e hirit; nëse nuk shkon në kishë ose nuk lutesh privatisht ti je ai që ke refuzuar mbështetje të hirit; nëse lexon Shkrimin e Shenjtë me nderim dhe e ndihmon të afërmin tënd, do të tërheqësh hirin e Perëndisë.

Asketicizmi është vetëm një mjet i arritjes së përsosmërisë së krishterë, ndërsa burimi kryesor i shpëtimit është hiri i Perëndisë, fuqia e Perëndisë. Një shembull është një marinar që shfrytëzon fuqinë e erës, ose një person që bën sërf i cili përdor fuqinë e dallgëve. Synimi i asketicizmit është që të ncisë forcën tonë dhe të shtojë aftësinë tonë për të perceptuar hirin hyjnor dhe të na bëjë marrës të përpjekjeve shpëtuese të Perëndisë. Ne nuk  e ndryshojmë veten tonë (nga procesi i njohur si vetë-përmirësimi) ndërsa hapemi ndaj Perëndisë për t’u transformuar prej fuqisë së Tij. Po si e hapim veten? Ne e detyrojmë veten që të zbatojmë urdhërimet e Perëndisë, kthehemi te Perëndia në lutje, marrim pjesë në misteret e Tij, etj.

I tërë suksesi në jetën shpirtërore nuk duhet të shihet si një fitore personale por si një dhuratë nga Perëndia që na ka dhënë hir dhe fuqi për ta arritur atë.  E tërë jeta shpirtërore e krishterë mund të arrihet nëpërmjet hirit, nëse e humbim ose e fitojmë atë.

***

Nuk është gjithnjë e mundur që ta mposhtim menjëherë (mëkatin e ngulitur brenda nesh). Nëse nuk ia dilni menjëherë, mos u dëshpëroni, pasi asketicizmi kërkon një qëndrim të plotë, prandaj përpiquni të kuptoni me hollësi shfaqjet specifike të pasionit dhe përcaktoni fazat apo hapat e përpjekjeve tuaja kundër tij. Hartoni një plan të shkruar për të luftuar pasionin, mendoni që përpara për mënyrën sesi do të silleni në situata që provokojnë pasionet. Mos kini thjesht synimin që të mposhtni pasionin por fitoni virtytin e kundërt, sepse pasioni është një tumor i keq i virtytit.

***

Njerëzit priren të krahasohen me persona që kanë mëkate të dukshme vetëm në sferën shpirtërore: unë nuk  jam as vrasës, as dhunues e as pijanec i madh, nuk kam mëkate të rënda  … A mund të thotë një muzikant: unë luaj mirë, më mirë se ai i moshuari? Prandaj urdhërohemi që ta vlerësojmë veten sipas urdhërimeve të Perëndisë dhe shenjtorëve. Në një rast të tillë ne nuk do të jemi në gjendje që të mashtrojmë vetveten me normalitetin tonë të pretenduar dhe do të kemi gjithnjë diçka për të cilën të përpiqemi.

Një person normal i krijuar nga Perëndia është një person i shenjtë; virtyti është akti natyror i një qenieje njerëzore dhe çdo gjë që nuk është e tillë është një gjendje jo normale. Fakti që mëkati mbretëron në botën tonë nuk do të thotë se është normal. Norma është çështje cilësie e jo sasie.