Liturgjia e fundit Hyjnore në Hagia Sofia ishte në 1919, falë këtij prifti trim

Para një shekulli në Konstandinopojë, ky prift kishte përmbushur dëshirën e fshehtë të një kombi të tërë, edhe sikur të jetë për një çast . . .

MORE:Historia
Originally appeared at: Greek Reporter

Ka qenë vërtet një prift trim grek që ia doli të mbajë një liturgji orthodhokse në Hagia Sofia në 1919, në një kohë kur katedralja ikonike po përdorej si xhami.  

Besohet zakonisht se liturgjia e fundit orthodhokse në Hagia Sofia, në Kostandinopojë ka ndodhur në 28 maj 1453, një ditë para çastit profetik kur fanari i Orthodhokisë ra në duart e otomanëve.  

Por ishte një prift kretas që guxoi të kryejë ritin e shenjtë përsëri në katedralen madhështore dhe e bëri më 19 janar 1919. Lefter Noufrakis (1872-1941) nga Rethymno, Kretë, ishte personi që e kreu këtë akt heroizmi nga dashuria e tij për Perëndinë dhe atdheun e tij.

Nuk mund të shpjegohet që emri i Atë Noufrakisit nuk gjendet as në një shënim anësor në historinë moderne të Greqisë.

Falë një libri të Antonios Stivaktakis të quajtur Archimandri Lefter Noufrakis: Një figurë emblematike e helenizmit, ka dalë në dritë historia mahnitëse e “Papa Lefterit”.

Atë Lefteri, ishte një kapelan në divizionin ushtarak që mori pjesë në fushatën e Azisë së Vogël. Ata kishin arritur në portat e Ankarasë, para disfatës së fundit të tyre në Lumin Sakaria River.

Megjithatë kishte një rreze të vogël shprese dhe shpëtimi, në vitet e egra të fushatës ushtarake. Ishte gjithçka falë kretasit zemërluan nga fshati Alones i Rethimnos.

Atë Lefteri ishte kepelani i Divizionit të Dytë Grek, njëri prej dy divizioneve që ishin pjesë e forcës aleate së dërguar në Ukrainë në fillimin e vitit 1919.

Gjatë rrugës për në Ukrainë, njësia greke ndaloi për pak kohë në Kostandinopojë, që ishte nën kontrollin e Aleatëve në fund të Luftës së Parë Botërore, pas disfatës së turqve dhe gjermanëve.

Një ditë, një grup oficerësh grekë, përbërë nga brigadieri Frantzis, majori Liaromatis, kapiteni Stamatios dhe koloneli Nikolla, udhëhequr nga prifti kurajoz kretas, vështruan nga anija qytetin e Kostandinopojës dhe Hagia Sofia.

Ata kishin një buzëqeshje të mistershme në zemrat e tyre, sepse një natë më parë kishin marrë një vendim të madh: ata do të zbarkonin në qytet dhe do të kremtonin një liturgji të shenjtë orthodhokse në kishën e Hagia Sofias.

Plani i vrullshëm, ose i marrë sipas disave, ishte pjellë e mendjes së Atë Lefterit.

Ky njeri e dinte se misioni i tyre ishte gati i pamundur. Hagia Sofia ishte ende një xhami dhe e ruanin. Po ashtu, myslimanët ishin të lirë që të luteshin kurdo që të dëshironin dhe në çdo kohë kisha mund të mbushej me njerëz.

Por ishin edhe eprorët ushtarakë grekë që ishin kundër këtij veprimi, sepse do të krijonte minimalisht probleme jashtëzakonisht të vështira për diplomacinë.

Por papa Lefteri e kishte marrë vendimin e tij dhe ishte i vendosur. I kërkoi Kostandin Liaromatisin si psaltësin e tij për shërbesën hyjnore. Majori pranoi dhe të gjithë burrat e grupit i pasuan.

Anija që mbante divizionin u ankorua në liman, e burrat i hipën një barke të vogël, drejtuar nga një varkëtar grek dhe u futën në qytet. Kozmai, varkëtari vendas, e lidhi barkën dhe i drejtoi priftin dhe oficerët në rrugën më të shkurtër për në Hagia Sofia, sipas providencës hyjnore.

Dera e katedrales madhështore, që më parë ka qenë ndërtesa më e madhe në krishterim, ishte e hapur por një roje u përpoq t’i pyeste ata në turqisht se çfarë po bënin. Brigadier Frantzis thjesht i hodhi një vështrim që e bëri rojën të ndalonte gjurmimin.  

Grekët hynë në Hagia Sofia me nderim të madh dhe bënë shenjën e kryqit. Papa Lefteri thuhet se të ketë pëshpëritur plot emocion: “Unë do të hyj në shtëpinë Tende dhe do të adhuroj drejt Tempullit tënd të Shenjtë me frikë …” (nga Psalmi 5, vargu 7 në Dhiatën e Vjetër).

Atë Lefteri lëvizi me të shpejtë, e gjeti vendndodhjen e hierores dhe Altarit të Shenjtë. Vuri në vend një tryezë të vogël që gjeti, pastaj hapi çantën dhe mori gjithçka që duhej për Liturgjinë Hyjnore. Pastaj veshi petrahilin dhe filloi të thoshte:

“E bekuar është Mbretëria e Atit, e Birit dhe e Shpirtit të Shenjtë, tani e përherë e në jetë të jetëve”.

“Amin,” u përgjigj majori Liaromatis, dhe kështu nisi Liturgjia Hyjnore në Hagia Sofia, e para që ka ndodhur në rreth 500 vjet.

Grupi i grekëve bënë shenjën e kryqit me devocion, ende të paaftë për të besuar se ndodheshin brenda Kishës së Hagia Sofisë, shekuj pasi kishte rënë në duart e myslimanëve. Dhe më e rëndësishme akoma, ata po merrnin pjesë në një liturgji hyjnore në vendin më të shenjtë të Orthodhoksisë.

Liturgjia vijoi normalisht. Pas 466 vitesh, Hagia Sofia shërbente përsëri si tempull i krishterimit, teksa tingujt e psalmeve greke jehonin në muret e shenjta të saj.

Papa Lefteri lexoi Ungjillin për atë ditë, ndërsa Apostulli u lexua nga brigadieri Frantzis. Detyrat e sakristanit u kryen nga kolonel Nikolla.

Ndërkohë, turqit kishin filluar të futeshin në Kishë. Ata thjesht nuk e kuptonin se çfarë po ndodhte përpara syve të tyre. Atë Lefteri vazhdoi liturgjinë krejtësisht i patrazuar.

Turqit shikonin në heshtje, ende të paaftë për të kuptuar se çfarë po ndodhte realisht brenda Kishës.

Papa Lefteri e vuri andimisin në tavolinë për të bërë Proskomidhin. Pastaj mori një Kupë të vogël të Shenjtë nga çanta, gjithashtu dhe një pjatë, një thikë, dhe një prosforë me një shishe të vogël vere.

Me emocione të shenjta dhe devocion, prifti kreu Proskomidhin. Pasi mbaroi ai u kthye nga Kolonel Nikolla dhe i tha  të ndizte një qiri në mënyrë që ta ndiqte në Hyrjen e Madhe. Koloneli i ri shkoi dhe ndezi qiriun, ndërkohë që nga prapa prifti psali lutjen: “Na kujtoftë të gjithëve Zoti….”

Turq të tjerë kishin hyrë në Hagia Sofia gjatë Proskomidhit, dhe atmosfera filloi të ndryshonte. Në të njëjtën kohë, grekët nga Kostandinopoja filluan të mbushnin kishën.  Ata ndoqën pjesën e mbetur të liturgjisë me devocion, por të përmbajtur, nga frika e turqve.

Kur Liturgjia arriti në pjesën më të shenjtë – Anaforën – At Noufrakisi tha me një zë të emocionuar: “Të tuat nga të tuat, Ty të blatojmë nga të gjitha dhe për të gjitha”. Oficerët u gjunjëzuan dhe zëri i major Liaromatisit mund të dëgjohej duke psalur: “Të himnojmë, të bekojmë, të falënderojmë o Zot, dhe të lutemi o Perëndia ynë”.

Pas një kohe të shkurtër, sakrifica e pagjaktë e Krishtit u përmbush në Hagia Sofia, pas  466 vitesh të gjata.

U pasua nga “Axion Estin,” “ Ati Ynë,” dhe fjalët “Me frikë Perëndia, besë e dashuri afrohuni”, kur të gjithë oficerët u afruan të kungoheshin me Misteret e Kulluara.

Papa Lefteri recitoi me të shpejtë lutjet e Kungimit ndërkohë që Liaromatisi psalte: “I bekuar qoftë Emri i Zotit…,” ndërkohë që oficerët e tjerë merrnin Kungimin e Shenjtë. Prifti pastaj i tha Kolonel Nikollës, “Mblidh gjithçka me shpejtësi dhe vëre në çantë,” përpara se të thoshte lutjet e Përlëshores.

 Liturgjia e Hagia Sofisë tani mbaroi. Ishte një akt kurajoje të pamasë që shumë nga grekët as nuk do të fillonin ta ëndërronin.

Por kur grekët trima ishin gati të largoheshin, Kisha ishte e mbushur me turq të zemëruar të cilët e kishin kuptuar se çfarë ishte duke ndodhur. Grekët ndodheshin në rrezik. Ata ecnin afër njëri-tjetrit si një trup i vetëm dhe vazhduan drejt daljes.

Ndërsa turqit ishin gati të sulmonin pesë burrat grekë, një nëpunës turk doli papritur, me të tjerë që e ndiqnin nga pas. Fjalët e tij befasuese ishin: “Lërini të kalojnë”.

Ai i tha fjalët me urrejtje por nuk ishte në interesin e vendit të tij në atë moment që t’i vriste ose të arrestonin grekët. Në fund të fundit, dy divizione greke ndodheshin në atë kohë në Kostandinopojë dhe qyteti ishte kryesisht në duart e fitimtarëve të Luftës së Parë Botërore.  

Papa Nufrakis dhe oficerët e tjerë arritën të dilnin nga Hagia Sofia dhe u drejtuan më pas nga skela, ku Kozmai dhe varka e tij po prisnin për ta. Jashtë Kishës një turk trupmadh rendi përpara për ta goditur priftin grek me shkop.

Ndonëse Papa-Lefteris u përpoq ta shmangte goditjen, shkopi e kapi në sup. Dhimbja ishte e padurueshme dhe e uli në gjunjë, por i mblodhi forcat, u ngrit dhe vazhdoi të cte drejt molit.

Ndërkohë, majori Liaromatis dhe kapiteni Stamatios ishin në gjendje që ta çarmatosnin turkun, që po bëhej gati ta godiste përsëri priftin.

Pesë burrat arritën në skelë dhe hipën në varkën e Kozmait dhe ai filloi të voziste me sa shpejtësi që mundte. Shpejt ata ia dolën të hipnin shëndoshë e mirë e madje fitimtarë në anijen luftarake greke.  

Por ky akt i tyre heroik nuk shkaktoi një incident të pashmangshëm diplomatik. Aleatët u mblodhën së bashku si grup dhe e dënuan fort aktin në një protestë drejtuar kryeministrit grek Elefterios Venizelos, që u detyrua ta qortonte Papa Lefterin.

Por më vonë Venizelos e kontaktoi priftin kurajoz dhe e përgëzoi për kurajën e pashoq dhe patriotizmin që kishte terguar. Atë Lefter Noufrakis e kishte përmbushur dëshirën e fshehtë të një kombi të tërë, edhe sikur të ishte vetëm për një çast.

MORE:Historia