Çfarë hanin dhe si ushqeheshin të Krishterët e Parë

MORE:Historia
Originally appeared at: The Catalogue of Good Deeds

Darka e Fundit, në të cilën Jisu Krishti themeloi misterin kryesor – Eukaristinë, ishte një festë e veçantë solemne, e ndjekur më pas nga festa kryesore e Judenjve – Pashka. Dhe të krishterët e lashtë, si Krishti dhe apostujt, pëlqenin shumë të mblidheshin së bashku për t’u lutur dhe për një festë shpirtërore që shoqërohej nga një vakt i përbashkët. Çfarë mund të hanin të krishterët gjatë atij vakti? 

Shijet dhe preferencat e popullit në Perandorinë Romake

Zhvillimi i traditës ushqimore të krishterë në shekujt e parë të historisë së Kishës vazhdoi në shumë drejtime në linjë me zakonet e vendeve të afërta me Detin Mesdhe (historiografia tradicionalisht e quan tërë këtë rajon Mesdhe). Pas së gjithash, ishte ky vendi ku komunitetet e para të krishtera u formuan.

Dieta e besimtarëve, edhe pse kishte disa veçori, vendosej megjithatë nga realitetet në të cilat jetonin. Prandaj është e dobishme të thuhen disa fjalë mbi shijet dhe preferencat e njerëzve në Perandorinë Romake.

Në shekullin e parë të epokës së krishterë, i gjithë rajoni mesdhetar u pushtua nga Roma. Themelimi i botës civile të Perandorit August e bëri të mundur bashkimin e jetëve të shumë fiseve që banonin në kufijtë e perandorisë.

Në provincat perëndimore të shtetit romak, ndodhën procese të ngjashme në linjë me perceptimin e vendasve (keltikë, gjermanikë, iberikë, dhe fiset berbere)  mbi traditat politike e kulturore të Romës. Në Lindje, të njëjtat tendenca u shfaqën në formën helenizimit në rritje, që filloi pas pushtimit të Aleksandrit të Madh (334–325 p.K)  e depërtimit të traditave, gjuhës, dhe kulturës greke në popullsinë vendase.

Ndikimi i kulturës greko-romake solli ndryshim në jetën e përditshme, duke përfshirë dietën ditore të banorëve të provincave të perandorisë. Kolonizatorët romakë i mësuan shtresat e sipërme dhe të mesme të popullsisë së provincës me traditat ushqimore të metropolit (pra me vetë traditat e shtetit romak), dhe kontribuuan në përhapjen e të mbjellave të reja dhe racave të reja bagëtish. Në fakt, në shekujt e parë të erës sonë, po formohej tradita e guzhinës, që ne sot e quajmë dieta mesdhetare.

Ishte e bazuar në tri elemente të domosdoshme: bukën, vajin e ullirit, verën si dhe drithëra të ndryshme, peshkun, mishin dhe shpendë, perime (kastravecë, selino, qepë, lakra), fruta (fiq, mollë, dardha, kumbulla, qershi), bishtajore, e bulmet. Nga kombinimet e këtyre produkteve, specialistët e guzhinës romake krijuan pjata për ekspertët e shijes që impresionuan bashkëkohësit (dhe trashëgimtarët) me ekstravagancën dhe elegancën.

Sigurisht, nuk duhet të supozojmë se “moda” për gjithçka romake dhe greke i shtypi plotësisht traditat e gatimit vendas – të varfërit vazhduan të hanin të njëjtin ushqim që hanin të parët e tyre përpara ardhjes së autoritetit romak. Por nuk duhet ta nënvleftësojmë ndikimin romak ndaj gatimit vendas. Për shembull, nga fundi i shekullit të tretë, egjiptianët e varfër gati sa nuk e braktisën pijen e tyre kombëtare – birrën në favor të verës së rrushit.

Më gjatë se në krahinat e tjera, zakonet e gatimit vendas u ruajtën në ato provinca ku ndihmoheshin nga autoriteti i një tradite fetare, që ndonjëherë i kishte tabu disa ushqime  të caktuara. Ka mundësi që më të rënda të kenë qenë rregullat gastronomike të judenjve, që përbënin shumicën e banorëve të provincës së Judesë, pjesë e së cilës ishte. Ligji e ndalonte që besimtarët judenj të konsumonin mish derri, gamiljeje, lepuri,  disa lloje peshku, dhe mish të përzier apo pjata me djathra dhe prodhime qumështi.

Ushqimi i krishterëve në shekujt e parë

Shumë të krishterë në shekullin e parë m. K vazhduan ta konsideronin veten judenj dhe prandaj mbështeteshin te traditat e përditshme e etërve të tyre. Suksesi i predikimit të Ungjillit shpejt ngriti pyetjen e mprehtë: a është ndjekja e Kashrutit (tradita judaike që rregullonte lejueshmërinë e konsumimit të një ushqimi të caktuar – nga vjen termi i njohur “i drejtë”, “kosher”)  e nevojshme për paganët e konvertuar dhe përgjithësisht për të krishterët. Problemi ishte zgjidhur që në kohët apostolike. Pothuajse të gjitha komunitetet e para kristiane e njihnin ndjekjen e ndalimeve gastronomike judaike.  Shpjegimi i arsyeshëm për ndarjen me traditën e mëparshme të gatimit ishte momenti  me vizionin e apostull Petros. Ai pa një enë me ushqime të ndryshme të ndaluara për judenjtë. Pastaj një zë misterioz e urdhëroi apostullin t’i hante ato ushqime, por Petro refuzoi, duke cituar papranueshmërinë fetare për ta ngrënë këtë lloj ushqimi. “Çfarë ka Perëndia ka quajtur të pastër mos e quaj të papastër” u përgjigj një zë. Kjo pjesë nga libri i Veprave u interpretua si një lejim për të krishterët që të hanin çfarëdolloj ushqimi, qoftë edhe atë të papastra, që ishte i ndaluar nga ligji judaik. Megjithëse disa apologjetë të krishterë vazhdonin të debatonin se refuzimi i produkteve të ndaluara nga ligji për një besimtar të krishterë, nuk ishte i kërkuar, por i dëshiruar. Prandaj edhe në shekullin e tretë, Klementi i Aleksandrisë i nxiste lexuesit e tij të mos e hanin mishin e derrit dhe disa lloje peshqish sepse i shihnin si ushqime të papastra.

Ndalimi i ngrënies së atyre gjërave që ofroheshin si flijime për idhujt

Ndalesa e vetme ushqimore në shumicën e komuniteteve kristiane të hershme ishte të mos haheshin ato gjëra që ofroheshin si flijim për idhujt. Praktika e ofrimit të flijimeve të gjakshme ishte e zakonshme mes të gjithë popujve mesdhetarë. Pas therjes, një pjesë e kërmës zakonisht digjej, ndërkohë që tjetra u jepej të varfërve ose shitej në favor të priftërinjve romakë në dorëzimet së bashku me mishin e zakonshëm. 

Apostull  Pavli ka folur në Letrën e Parë drejtuar rreth faktit se të krishterët nuk duhet as të marrin pjesë në ritualet fetare të kombeve, ku ato gjëra ofrohen si flijime për idhujt konsumoheshin, dhe as të blinin mish të tillë. Është e rëndësishme të shënojmë se Pavli e nxiste grigjën e tij të refuzonte ushqime të tilla sepse mund të lëndonte ndërgjegjen dhe vetëdijen e të krishterëve që ishin të dobët në besim. Megjithatë, ky ndalim ishte i vlefshëm vetëm atëherë kur origjina e mishit tregohej qëllimisht. Mishi për flijime i blerë në thertore ishte shumë i mirë për t’u ngrënë, nëse i krishteri nuk e dinte se ishte dedikuar për perënditë pagane: Çfarëdo që të shitet në thertore, atë haje, duke mos bërë asnjë pyetje për hir të ndërgjegjes (1 Korintianëve 10:25). Megjithatë, me sa duket, shumë të krishterë preferonin të mos e tundonin fatin, dhe prapë përpiqeshin të gjenin origjinën e mishit që do të blinin. Këtë na e tregon veçanërisht Plini i Ri (politikan i Romës së Lashtë; c. 61–113). Në letrën e tij për Perandor Trajanin, shënoi i pakënaqur se, për shkak të shpërndarjes së të krishterëve në provincën e Bitinias, mishi i flijimeve thuajse mbetej pa u blerë nga askush.

Në fakt, gjellët në tryezën e anëtarëve të komuniteteve të hershme të krishtera ishin të ngjashme me ato të fqinjëve paganë. Autori anonim i “Letrës së Diognetit” – një nga tekstet e para të krishtera që ka arritur deri te ne, thoshte: “Sa për lehtësitë e tepërta të ushqimit të judenjve … – e gjitha kjo është kaq qesharake dhe nuk ia vlen të flasësh... (të krishterët) që jetonin të qytetet Helene dhe barbare ndjekin zakonet e banorëve të tyre ... në ushqim dhe në çdo gjë tjetër.” Tertuliani (një apologjet i hershëm kristian) e përsërit atë: “… (të krishterët) jetojnë me ju, … përdorin po atë ushqim si ju, të njëjtat rroba, kanë të njëjtën ekonomi të shtëpisë dhe të njëjtat nevoja të përditshme.”

Agapeja

Një pjesë e veçantë dhe e rëndësishme e jetës së komuniteteve të hershme të krishtera   ishte e ashtuquajtura agape – mbledhje besimtarësh gjatë natës apo mbrëmjes të cilat shoqëroheshin nga lutje, misteri i Falënderimit Hyjnor dhe një darkë e përbashkët. Në shekujt I – II komunitetet e krishtera zakonisht organizonin darka një herë në javë. Shpesh herë takime të tilla organizoheshin me paratë e komunitetit ose të anëtarëve më të pasur në mënyrë që të ndihmoheshin të krishterët më të varfër, vejushat e vetmuara, të moshuarit dhe jetimët.  Siç shkruan Justin filozofi në shekullin e 2-të: “të pasurit në mesin tonë ndihmojnë gjithë të varfërit, dhe ne gjithmonë jetojmë së bashku në harmoni”. Tertuliani përmend në të tjera se  “pavarësisht sa mund të kushtojë darka jonë, është mirë të shpenzosh në emër të dashurisë sepse ne i ndihmojmë të gjithë të varfrit në këto darka … sepse Zoti kujdeset veçanërisht për të varfërit.”

Agape. Afresk nga katakombet e Domitiles 

Gjatë këtyre agapeve shijoheshin gjellë të thjeshta por të kënaqshme me zarzavate, fruta, dhe mish (megjithëse shumë prej të krishterëve gjatë këtyre dy shekujve e refuzonin mishin). Shumë shpesh peshku shfaqej në tavolinë, që konsiderohej ushqimi më i përshtatshëm për të krishterët meqenëse ky ushqim përmendet shumë herë në Ungjill.  Nga pijet, vera dhe uji konsumoheshin më shumë. Në disa raste anëtarët e komunitetit e  merrnin me vete në shtëpi një pjesë të ushqimit.

Natyra e fshehur e ngrënies së të krishterëve, dyshimi i tyre për emrat paganë, çuan në përhapjen e thashethemeve të rreme për këto takime të krishtera  (madje edhe me akuzat se ata bënin gjoja kryenin flijime njerëzish me gjak). Por shumica e shkrimeve të autorëve të shekujve të parë e të tretë, si paganë ashtu dhe të krishterë, na tregojnë se këto lloj supozimesh ishin të rreme. I lartpërmenduri Plini i Ri, i cili shqyrtoi rastin e përhapjes së krishtërimit në  Bithini, në fillim të shekullit të dytë e informoi perandor Trajanin  se “… faji i tyre … konsistonte në faktin se në ditë të caktuara, herët në mëngjes, ata mblidheshin së bashku dhe i këndonin një këngë Krishtit Perëndi, se në emër të besimit ata zotoheshin se nuk do të kryenin asnjë krim, nuk do të vidhnin, nuk do të shkelnin kurorën, por do ta mbanin fjalën me ndershmëri dhe do të paguanin borxhin, dhe pas kësaj ata shkonin në shtëpi dhe më pas mblidheshin sërish të hanin ushqime të zakonshme dhe të pastra ...”

MORE:Historia
  • Shqip
  • العربية
  • English
  • Français
  • Deutsch
  • Bahasa Indonesia
  • Italiano
  • Português
  • Русский
  • Español