JETA DHE MREKULLITE E SHEN JOAN MAKSIMOVICIT TE SHANGAIT DHE SHEN FRANCISKOS — NJE NGA SHENJTORET ME TE MEDHENJ TE SHEKULLIT TE NJEZETE
"Shenjtëria nuk është thjesht një virtyt. Ёshtë një arritje e lartësive të tilla shpirtërore që hiri i bollshëm i Perëndisë që e mbush shenjtorin vërshon te të gjithë që e shoqërojnë atë. E madhe është gjendja e haresë së shenjtorit në të cilën ata banojnë duke soditur Lavdinë e Perëndisë. Të mbushur me dashurinë për Perëndinë dhe njeriun, ata u përgjigjen nevojave të njeriut, duke ndërmjetësuar përpara Perëndisë dhe duke i ndihmuar ata që kthehen tek ata"
Prandaj duke përshkruar shenjtorët e lashtë, Vladika Joani e përmblodhi njëkohësisht qëndrimin e tij shpirtëror që e bëri atë një nga shenjtorët më të mëdhenj të kohës sonë.
Fëmijëria
Mihail Maksimoviç, kryepeshkopi i ardhshëm Joani, lindi më 4 qershor 1896, në fshatin e Adamovkës në provincën e Kharkovit në Rusinë jugore. Ai ishte pjesëtar i familjes së vogël fisnike ruse të Maksimoviçeve, në të cilën kishte qenë edhe Shën Joani i Tobolskit. Ai mori emrin Mihail në pagëzim, me kryengjëllin Mihail mbrojtësin e tij qiellor. Ai ishte një fëmijë i sëmurë dhe hante pak.
Ai e mori arsimimin sekondar në Shkollën Ushtarake të Poltavës, që e ndoqi nga 1907 në 1914. Pasi e mbaroi shkollën ushtarake u fut në universitetin perandorak të Karkovit për jurisprudencë, nga i cili u diplomua në 1918, para se ta kapnin sovjetikët.
Karkova, ku Vladika shpenzoi vitet formuese, ishte një qytet i vërtetë i Rusisë së Shenjtë ku Mihaili i ri, nën mbresat e zbulesave të shenjtërisë fitoi modelin e jetës së tij të ardhshme. Ishin dy ikona të mrekullueshme të Nënës së Perëndisë, Oseryanskajas dhe Eletskajas, të cilat mbarteshin në procesion fetar dy herë në vit nga manastiret ku mbaheshin për në Katedralen e Fjetjes. Në manastirin e Mbrojtjes, në një shpellë me afreske nën altar, qëndronin lipsanet e kryepeshkopit të shenjtë Meleti Leontoviç, i cili pas vdekjes së tij në 1841 u jepte ndihmë mbinatyrore atyre që i shërbenin një panikhida në varrin e tij. Edhe gjatë jetës së tij kryepeshkopi nderohej për asketicizmin e rreptë, sidomos për abstenimin nga gjumi. Ai njihej për shpenzimin e netëve duke qëndruar pa lëvizur, me krahët e ngritura, në lutje të thellë. Ai e njihte ditën dhe orën e vdekjes së tij. Maksimoviçi i ri njihej për nderimin e këtij hierarku të shenjtë.
Sot kryepeshkopi Joan duket se i ngjan të shenjtit të Karkovës në së paku tre aspekte: njihej se kishte dyzetë vjet që nuk flinte në shtrat dhe e dinte orën e vdekjes së tij e para lartësimit të tij në 1994 lipsanet e tij qëndruan nën një katedrale në një kapelë të veçantë pranë varrit ku këndoheshin gati për ditë panikhidat dhe lexohej Psalteri në varrin e tij prej atyre që i kërkonin ndihmë. Ky është një rast unik transplantimi, si të ishte pjesë e Rusisë së Shenjtë në Amerikën bashkëkohore.
Ndërsa ndodhej në Universitetin e Karkovës, Misha Maksimoviç shpenzonte më shumë kohë duke lexuar nga jetët e shenjtorëve sesa të ndiqte leksionet, por megjithatë ishte një student i shkëlqyeshëm. Me sa dukej imitimi i shenjtorëve ishte i dukshëm në atë moshë, meqenëse kryepeshkopi Andoni i Karkovës, një nga figurat e mëdha të Kishës në atë kohë (mitropoliti i mëvonshëm Andon Krapovitski, hierarku i parë dhe themeluesi i Kishës Ruse mbarëbotërore u mundua që të njihej me të dhe e mbajti afër të riun dhe e udhëhoqi atë në vitet e formimit shpirtëror.
Beograd
Në 1921, gjatë Luftës Civile në Rusi, kryepeshkopi i ardhshëm së bashku me prindërit e tij dhe motrën e tij, u evakuua në Beograd, ku ai dhe vëllezërit e tij u futën në Universitetin e Beogradit. Njëri nga vëllezërit u diplomua në fakultetin teknik dhe u bë një inxhinier, ndërsa tjetri u diplomua për juridik, dhe shërbeu në policinë jugosllave. Vetë Mihaili u diplomua në 1925 në fakultetin e teologjisë. Ndërsa ishte student ai punonte për të nxjerrë bukën e gojës duke shitur gazeta.
Në 1924, Mikaeli u emërua lexues në kishën ruse në Beograd nga mitropolit Andoni, i cili vazhdoi të ushtronte ndikim të madh ndaj tij dhe Mihaili nga ana e tij e respektonte eprorin e tij. Në 1926 mitropoliti Andoni e qethi murg dhe e dorëzoi dhjak në manastirin e Milkovit, duke i dhënë emrin Joan, sipas emrit të kushëririt të largët, Shën Joan Maksimoviçit të Tobolskut. Në 21 nëntor të të njëjtit vit Atë Joan (Maksimoviç) i Tobolskut. Më 21 nëntor të të njëjtit vit Atë Joani u hierotonis hieromonak.
Qyteti i Bitolit ndodhej në dioqezën e Okhridës. Në atë kohë episkopi i kësaj dioqeze ishte Nikolai Velimiroviç— një predikues i njohur, poet, shkrimtar dhe frymëzues i lëvizjes popullore fetare. Po aq sa mitropolit Andoni, edhe ai e çmonte dhe e donte hieromonakun e ri Joan dhe ushtronte një ndikim të mirë ndaj tij. Më shumë se një herë ai është dëgjuar të thotë "Nëse dëshironi të shikoni një shenjt të gjallë, shko në Bitol të shohësh Atë Joanin”.
Sepse u bë e qartë se ai ishte një njeri i jashtëzakonshëm. Studentët e tij ishin të parët që zbuluan se ishte ndoshta tipari i tij më i dukshëm i asketizmit. Ata vunë re fillimisht se ai qëndronte më vonë se të tjerët dhe shkonte përmes konviktorëve dhe kapte batanijet që u kishin rënë atyre që flinin, duke bërë Shenjën e Kryqit mbi ta. Më në fund u zbulua se ai flinte shumë pak dhe asnjëherë në shtrat, duke i lejuar vetes vetëm një ose dy orë çdo natë në një prehje të parehatshme në pozicion ulur ose i përkulur mbi dysheme duke u lutur para ikonave. Disa vite më pas ai e pranon se që kur kishte bërë betimet murgërore ai nuk kishte fjetur duke u shtrirë në shtrat. Një praktikë e tillë asketike është mjaft e rrallë por prapë nuk është e panjohur për traditën orthodhokse.
Kryepiskopi Averki i manastirit të Trinisë së Shenjtë të Jordanvillit, atëherë një hieromonak i ri në Karpatet Ruse, dëshmuan përshtypjen e thellë që u la hoeromonaku Joan studentëve të seminarit. Kur u kthyen në shtëpi për pushime ata folën për mësuesin e tyre të jashtëzakonshëm që lutej vazhdimisht, shërbente Liturgjinë Hyjnore ose së paku e merrte çdo ditë Kungatën e Shenjtë, kreshmonte rreptësisht, nuk flinte kurrë i shtrirë dhe me dashuri të vërtetë atërore i frymëzonte ata me idealet e larta të krishterimit dhe të Rusisë së Shenjtë.
Në 1934 u vendos që të ngrinte hieromonakun Joan në rangun e episkopit, ndonëse asgjë nuk ishte më larg nga mendja e tij. Një zonjë që e njihte atë tregon sesi u takua me të në këtë kohë në një tramvaj në Beograd. Ai i tha asaj që ndodhej gabimisht në qytet, por ishte dërguar në vendin e një hieromonaku tjetër që do të hierotonisej episkop! Kur ajo e pa atë ditën e nesërme ai i bëri të ditur asaj se situata ishte më keq se kishte menduar: ishte ai që donin të bëhej episkop! Kur ai protestoi se kjo ishte jashtë diskutimit, meqë ai kishte një difekt në të folur dhe nuk mund të shqiptonte qartë fjalët, atij iu tha se edhe profeti Moisi kishte të njëjtin problem.
Hierotonisja u krye në 28 maj 1934. Vladika ishte episkopi i fundit i shumë episkopëve që do të hierotonisej nga mitropolit Andoni dhe vlerësimi jashtëzakonisht i lartë në të cilën mbante hierarku i nderuar për episkopin e ri tregohet në një letër që ia nisi kryepiskopit Dhimitri në lindjen e largët. Duke refuzuar një ftesë për t’u tërhequr në Kinë, ai shkruan: "Mik i dashur! Unë jam mjaft i moshuar dhe nuk jam në gjendje të udhëtoj … por në vend të vetes sime, si shpirtin e zemrën time, unë po të dërgoj episkop Joanin. Ky burrë trupvogël dhe i brishtë, që dukej si një fëmijë, është në fakt një mrekulli rigoroziteti asketik dhe rreptësie në kohën tonë ku mbizotëron ligështia shpirtërore". Vladika u caktua në dioqezën e Shangait, në Kinë.
Vladika arriti në Shangai në fund të nëntorit, në festën e Hyrjes së Nënës së Perëndisë në tempull, dhe gjeti një katedrale të madhe të papërfunduar dhe një konflikt juridiksional të pazgjidhur. Gjëja e parë që ai bëri ishte restaurimi i unitetit të Kishës. Ai vendosi kontaktin me serbët, grekët, e ukrainasit. Ai i kushtoi vëmendje të veçantë edukimit fetar dhe e bëri një rregull që të ishte i pranishëm në provimet me gojë të orëve të katekizmit në të gjitha shkollat orthodhokse në Shangai. He u bë menjëherë mbrojtësi i shoqërive të ndryshme bamirëse dhe filantropike dhe mori pjesë aktivisht në punën e tyre, sidomos pasi pa rrethanat e nevojshme në të cilat ishin vendosur pjesa më e madhe e besimtarëve të grigjës së tij, refugjatëve që vinin nga Bashkimi Sovjetik. Ai nuk shkonte kurrë për çaj te të pasurit por e shikoje kudo që kishte nevoja, pavarësisht nga koha dhe moti. Ai organizonte një shtëpi për jetimët dhe fëmijët e prindërve nevojtarë, duke ia besuar atë mbrojtjes qiellore të një shenjtori që ai e nderonte shumë, Shën Tikhonit të Zandonskit, që i donte fëmijët. Vladika i mblidhte fëmijët e sëmurë dhe të uritur të rrugëve dhe rrugicave të errëta të lagjeve të varfra. Duke filluar me tetë fëmijë, jetimorja mbante deri në njëqind fëmijë dhe deri në 1500. Me ardhjen e komunistëve Vladika e evakuoi tërë jetimoren, së pari në një ishull në Filipine dhe më pas në Amerikë.
Shpejt u bë e qartë për grigjën e tij të re që Vladika ishte një asket i madh. Bërthama e asketizmit të tij ishte lutja dhe agjërimi. Ai hante një herë në ditë në orën 11 të darkës. Gjatë javës së parë dhe të dytë të Kreshmës ai nuk hante fare dhe për pjesën e tjetër të kësaj kreshmës së madhe dhe të kreshmës së Krishtlindjes hante vetëm bukën e altarit. Netët e tij ai i shpenzonte zakonisht në lutje dhe kur më në fund u lodhej, e mbështeste kokën në dysheme dhe merrte ca orë për të fjetur afër agimit. Kur vinte koha për të shërbyer Mëngjesoren, do të trokiste dikush në derë, por më kot, e kur e hapnin derën e gjenin Vladikën të mbledhur kruspull në këndin e ikonave, i mundur nga gjumi. Vetëm me një prekje të lehtë të supit do të brofte në këmbë dhe pas pak minutash do të ishte në kishë për shërbesë — uji i ftohtë zbriste poshtë mjekrës së tij por ishte i zgjuar.
Vladika shërbente në katedrale çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje, madje edhe kur ishte i sëmurë. Ai e kremtonte çdo ditë Liturgjinë Hyjnore, siç duhet ta bënte për gjithë jetën e tij dhe nëse për ndonjë arsye ai nuk mund të shërbente prapë e merrte Kungatën e Shenjtë. Kudo që të ndodhej ai nuk humbiste asnjë shërbesë. Një herë sipas një dëshmitari, “këmbët e Vladikës ishin ënjtur tmerrësisht dhe mjekët u mblodhën në konsultë dhe duke pasur frikë nga gangrena, propozoi ta shtronin në spital që Vladika e refuzoi kategorikisht. Atëherë mjekët rusë i bënë të ditur këshillit të famullisë se ishin liruar nga çdo përgjegjësi për shëndetin e madje edhe për jetën e pacientit. Pjesëtarët e Këshillit, pas disa lutjesh të gjata dhe kërcënimesh se do ta merrnin me forcë bënë që Vladika të pranonte dhe e dërguan në spital në mëngjesin e ditës para të Kremtes së Lartësimit të Kryqit të Shenjtë. Por në orën gjashtë Vladika erdhi duke çaluar në katedrale dhe meshoi. Brenda një dite e gjithë e ënjtja u zhduk”.
Vëmendja e vazhdueshme e Vladikës ndaj vetëkryqëzimit e kishte rrënjën në frikën e Perëndisë që e zotëronte në traditën e Kishës së lashtë dhe të Rusisë së Shenjtë. Incidenti i mëposhtëm, i treguar nga 0. Skopiçenko dhe i konfirmuar nga shumë persona nga Shangai e ilustron më së miri besimin e tij kurajoz dhe të palëkundur në Krishtin”. “Zonja Menshikova u kafshua nga një qen i tërbuar. Ajo nuk pranonte ta merrte gjilpërën kundër tërbimit ose e merrte pa kujdes ...Dhe pastaj e zuri kjo sëmundje e tmerrshme. Kur Episkop Joani e zbuloi këtë shkoi te gruaja që po vdiste. Ai i dha asaj Kungatën e Shenjtë por pikërisht atëherë atë e kapën spazmat e sëmundjes dhe nisi të shkumëzonte në gojë dhe e pështyu Dhuratën e Shenjtë që sapo kishte marrë. Por Misteri i Shenjtë nuk mund të villet. Atëherë Vladika e mori atë dhe futi në gojë Dhuratat e Shenjta që i kishte vjellë gruaja e sëmurë. Ata që ishin me të thërritën: “Vladika, çfarë po bën! Tërbimi është një sëmundje tmerrësisht ngjitëse!” Por Vladika u përgjigj qetësisht: `Asgjë nuk do ntë ndodhë; këto janë Dhuratat e Shenjta”. Dhe në fakt nuk ndodhi asgjë”.
Tashmë ishte e qartë se Vladika nuk ishte vetëm njeri i drejtë dhe asket, por ishte aq afër Perëndisë saqë ishte i pajisur me dhuntinë e tejshikimit dhe ndodhnin shërime prej lutjeve të tij. Një histori e jashtëzakonshme që tregon një dëshmitare okulare, Lidia Liu, dëshmon për lartësinë shpirtërore të Vladikës. “Vladika erdhi në Hong Kong dy herë. Ёshtë e çuditshme por meqë nuk e njihja Vladikën i shkrova një letër duke i kërkuar që të ndihmonte një grua të ve me fëmijë dhe e pyeta për disa çështje personale shpirtërore, por nuk mora asnjë përgjigje. Pas një viti Vladika erdhi në Hong Kong dhe unë isha në një turmë dhe shkova për ta takuar atë në kishë. Vladika u kthye nga unë dhe tha: “Ti e ke shkruar letrën!”. Unë u habita meqë Vladika nuk më kishte takuar asnjëherë".
"U këndua një moleben e më pas Vladika ndau një predikim përpara një pupitri. Unë isha afër nënës sime dhe që të dy pamë një dritë që e rrethonte Vladikën deri te pupitri – një shkëlqim përreth tij që zgjati një kohë të gjatë. Kur mbaroi predikimi, i prekur nga një dukuri e tillë e pazakontë i tregova mikut tonë atë që kishim parë e ai na tha: `Po, shumë besimtarë e kanë parë atë’. Edhe burri im që qëndronte pak më larg, e pa atë dritë”.
Një ngjarje e ngjashme ndodhi në 1939, kur një besimtare filloi ta humbte besimin për shkak të shumë sprovave që kishin rënë mbi të. Një herë kur hyri në kishë gjatë shërbesës së Vladikas, ajo dëshmoi gjatë shndërrimit të Mistereve të Shenjta një flakëz në formën e një tulipani që zbriti në Kupën e Shenjtë. Pas kësaj mrekullie besimi i saj u kthye dhe ajo nisi të pendohej për ligështinë e zemrës së saj. Vladika vizitonte burgje dhe kremtonte Liturgjinë Hyjnore për të dënuarit. Në një rast në Shangai, Vladika Joanit iu kërkua që t’i jepte kungatën një personi që po jepte shpirt në një spital rus. Këtë herë ai mori me vete një prift tjetër. Kur mbërriti ai shquajti një të ri të shoqërueshëm në të njëzetat, duke i rënë fizarmonikës. Ky djalosh do të dilte nga spitali të nesërmen. Vladika Joani e thirri atë dhe i tha: "Unë dua që t’ju jap tani kungatën". Djaloshi i rrëfeu menjëherë mëkatet e tij dhe mori kungimin. Prifti i habitur pyeti Vladikan pse nuk shkoi te ai që po vdiste, por nxitoi te një person që dukej i shëndetshëm. Vladika u përgjigj: “ai do të vdesë sonte kurse tjetri që është mjaft i sëmurë do të jetojë edhe për shumë vite”. Dhe ndodhi pikërisht ashtu siç ai e parashikoi.
Vladika dëshironte që të vizitonte të sëmurët dhe e bënte këtë çdo ditë, duke dëgjuar rrëfime dhe duke dhënë Kungatën e Shenjtë. Nëse kushtet e një pacienti do të jenë kritike, Vladika shkonte te ai në çdo orë të ditës ose natës për t’u lutur në shtratin e sëmundjes. Ja një nga mrekullitë e padiskutueshme të kryera nga lutjet e Vladikas, që është shënuar e vendosur në arkivat e spitalit provincial të Shangait.
L. D. Sadkovskaya ishte shumë e pasionuar nga sporti i hipizmit. Por një herë ajo u rrëzua nga kali, goditi kokën në një gur dhe humbi vetëdijen. E çuan në spital në atë gjendje pa ndjenja. Një grup mjekësh në konsultë ranë dakord që gjendja e saj ishte e pashpresë dhe nuk kishte të ngjarë që ajo mund të jetonte deri në mëngjes. Pulsi u shua, kafka ishte thyer në disa vende dhe copëzat ushtronin presion mbi trurin. Në një gjendje të tillë ajo do të vdiste në tryezën e operacionit. Edhe sikur zemra e saj do ta lejonte operacionin dhe rezultati do të ishte pozitiv, ajo të mbetej e shurdhër, memece dhe e verbër.
Motra e saj, pasi i dëgjoi këto rendi episkopi Joan në dëshpërim dhe iu lut që t’i shpëtonte motrën. Dhe Vladika pranoi. Ai erdhi në spital dhe i kërkoi secilit që ta linte dhomën dhe u lut atje për rreth dy orë. Pastaj thirri kryemjekun dhe i kërkoi që ta kontrollonte. Sa u befasua mjeku kur zbuloi se pulsi i saj ishte normalizuar! Ai ra dakord që ta bënte menjëherë operacionin por vetëm në praninë e episkop Joanit. Operacioni doli i suksesshëm dhe mjekët ishin të habitur kur pas operacionit pacienti i rifitoi ndjenjat dhe kërkoi të pijë. Shpejt ajo doli nga spitali dhe jetoi për shumë vite një jetë normale.
Vladika vizitonte edhe burgun ku kremtonte Liturgjinë Hyjnore për të dënuarit në një tryezë të vogël primitive. Por detyra më e vështirë për një bari të shpirtrave është të vizitojë të sëmurët nga mendja dhe të demonizuarit — dhe Vladika bënte një dallim të mprehtë midis të dyve. Jashtë Shangait ishte një spital mendor dhe vetëm Vladika e kishte fuqinë shpirtërore për të vizituar të sëmurët rëndë. U dha kungatën e shenjtë dhe ata çuditërisht e morën qetësisht dhe e dëgjuan fjalën e tij. Ata i prisnin gjithnjë me padurim vizitat e tij dhe e takonin me gëzim.
Vladika zotëronte një guxim të madh. Gjatë pushtimit japonez autoritetet u përpoqën me sa mundeshin t’ia nënshtronin vullnetit të tyre koloninë ruse. Presioni u përcoll përmes krerëve të komitetit të emigrantëve rusë. Dy presidentë të këtij komiteti u përpoqën që të ruanin pavarësinë e tij dhe si pasojë të dy ishin të vrarë. Konfuzioni dhe tmerri pushtuan koloninë ruse dhe në atë çast Vladika Joani, pavarësisht nga paralajmërimet e rusëve të cilët bashkëpunonin me japonezët, e deklaroi veten si kreun e përkohshëm të kolonisë ruse.
Gjatë pushtimit japonez ishte jashtëzakonisht e rrezikshme të ecësh rrugëve natën dhe shumë njerëz përpiqeshin që të ndodheshin në shtëpi para se të errej. Por Vladika, pa i kushtuar vëmendje rrezikut, vazhdoi të vizitonte të sëmurët dhe nevojtarët në çdo orë të natës pa u prekur nga asnjë sëmundje.
Në Shangai, një mësues vokalist, Anna Petrovna Lushnikova, i mësoi Vladikas metodën e duhur të frymëmarrjes dhe prononcimin e fjalëve, duke e ndihmuar atë që të përmirësonte diksionin. Në fund të çdo mësimi Vladika e paguante atë me 20 dollarë. Në 1945, gjatë luftës, ajo u plagos rëndë dhe ndodhej e shtruar në një spital francez. Gjatë një natë të stuhishme, me ndjesinë se mund të vdiste, Anna Petrovna nisi t’u kërkonte infermiereve që t’u telefononin Vladika Joanit që ndodhej në Francë, që t’i jepte asaj kungimin. Infermieret refuzuan meqenëse spitali ishte i mbyllur gjatë natës për shkak të gjendjes së luftës. Anna Petrovna e shqetësuar vazhdonte ta thërriste Vladikan. Papritur u shfaq në pavion. Ana nuk u besonte syve dhe e pyeti Vladikan nëse ishte ëndërr apo kishte ardhur me të vërtetë te ajo. Vladika buzëqeshi, u lut dhe i dha kungatën. Pas kësaj ajo u qetësua dhe fjeti. Të nesërmen në mëngjes u ndje e shëruar. Askush nuk besonte që Vladika e kishte vizituar atë atë natë meqë spitali ishte siguruar mirë. Por pacientja që ndodhej afër saj dëshmonte për faktin se edhe ajo kishte parë Vladikan. Por habia më e madhe ishte që nën jastëkun e Anës u gjet një bankënotë prej 20 dollarësh. Në këtë mënyrë Vladika kishte lënë një dëshmi materiale të vizitës së tij.
Një ish ndihmës altari i Vladikas në Shangai, që është tani protopresviteri Gjergj Larini, tregon: "Pavarësisht nga rreptësia e Vladikas, të gjithë djemtë e donin atë shumë. Për mua Vladika ishte një ideal të cilin doja ta imitoja në çdo drejtim. Prandaj gjatë Kreshmës, ndalova së fjeturi në shtrat dhe të shtrihesha në dysheme, ndalova së ngrëni ushqimet e zakonshme me familjen por hëngra bukë e piva ujë i vetmuar … Prindërit e mi u shqetësuan dhe më çuan te Vladika. Ai i dëgjoi dhe i kërkoi rojës që të shkonte te dyqani dhe të blinte një salsiçe. Kleriku i urtë iu përgjigj thirrjeve të mia të përlotura se nuk doja të thyeja Kreshmën, duke më këshilluar që ta haja salsiçen dhe të kujtoja gjithnjë se bindja ndaj prindërve është më e rëndësishme se arritjet personale. “Si do të vazhdoj më tutje, Vladika?'— e pyeta duke dashur që ta lidhja me veten. “Shko në kishë siç ke shkuar deri tani dhe në shtëpi bëj atë që të kërkojnë babai dhe nëna”. Më kujtohet sa u mërzita që Vladika nuk më caktoi ndonjë “detyrë të veçantë”.
Me ardhjen e komunistëve, rusët në Kinë u detyruan që të arratiseshin sërish, shumë prej tyre përmes ishujve të Filipineve. Në 1949 rreth 5,000 refugjatë nga Kina jetonin në një organizatë ndërkombëtare refugjatësh në ishullin e Tubabaos në Filipine. Ky ishull gjendet në rrugën e tajfuneve të stinës që janë aktive në këtë rajon të Paqësorit. Gjatë periudhës 27 mujore të kohëzgjatjes së kampit, ishulli u kërcënua vetëm një herë nga një tajfun dhe ndërroi kurs dhe u largua nga ishulli.
Kur frika e tajfuneve u përmend nga një rus te filipinët, ata u përgjigjën se nuk kishte arsye për t’u shqetësuar, sepse "i shenjti që gjendet në mes jush e bekon kampin tuaj në çdo anë të tij për çdo natë". Ata i referoheshin Vladika Joanit, sepse asnjë tajfun nuk e goditi ishullin për sa kohë ai ndodhej atje. Pas evakuimit të plotë të kampit dhe shpërnguljes së njerëzve në një vend tjetër (kryesisht në SHBA dhe Australi), u godit nga një tajfun i tmerrshëm që e rrënoi krejtësisht kampin.
Paris
Vetë Vladika shkoi në Uashington, për t’i çuar të tijtë në Amerikë. Me ndryshimin e legjislacionit gati të gjithë pjesëtarët e kampit shkuan në Botën e Re — përsëri falë Vladikas. Pas përfundimit të eksodit të grigjës së tij nga Kina, kryepiskopit Joan iu dha në 1951 një fushë e re për përpjekjet e tij baritore: u dërgua nga Sinodi i episkopëve në arqdioqezën e Evropës perëndimore, me selinë e tij fillimisht në Paris dhe më vonë në Bruksel. Tani ai ishte një nga hierarkët më në zë të Kishës Ruse dhe pjesëmarrja e tij kërkohej shpesh në sesionet e Sinodit të Nju Jorkut.
Në Evropën perëndimore Vladika zuri një interesim të madh jo vetëm ndaj rusëve të diasporës për të cilët mundohej pa u lodhur siç ishte munduar në Shangai, por edhe ndaj banorëve vendas. Ai mori nën juridiksionin e tij kishat lokale holandeze dhe franceze, duke i mbrojtur dhe duke nxitur zhvillimin e tyre orthodhoks. Ai e kremtonte Liturgjinë Hyjnore në holandisht dhe frëngjisht siç kishte shërbyer në greqisht dhe në gjuhën kineze dhe siç do të meshonte më vonë në anglisht.
Interesimi i Vladikas dhe devocioni ndaj Shenjtorëve të Kishës, ndaj të cilëve njohuritë e tij ishin të pakufishme, kaloi tani te shenjtorët evropianoperëndimorë që datonin para skizmës së Kishës Latine, shumë prej të cilëve të nderuar vetëm në mënyrë lokale nuk përfshiheshin në ndonjë kalendar orthodhoks shenjtorësh. Ai mblodhi jetët dhe imazhet e tyre dhe më vonë dorëzoi një listë të gjatë të tyre në sinod.
Nga kjo periudhë e pranisë së Vladikas në Evropë, Zonja E. G. Chertkova kujton: "E vizitoja në raste të ndryshme Vladikan kur jetonte në ndërtesën e kadetëve afër Parisit. Ai kishte një qeli të vogël në katin e sipërm. Në qeli ndodhej një tryezë, një kolltuk dhe disa karrige dhe në qoshe, ca ikona dhe një fener me libra. Nuk kishte shtrat meqë Vladika nuk shtrihej për të fjetur por lutej duke u mbështetur në një shkop të gjatë. Ndonjëherë ai lutej në gjunjë, më së shumti kur bënte metani më pas do të flinte pak në atë pozicion mbi dysheme. Në këtë mënyrë e mundonte veten! Disa herë gjatë bisedës sonë më dukej sikur dremiste, por kur ndaloja së foluri do të më thoshte menjëherë “vazhdo se po të dëgjoj
"Duke qenë se për një kohë të gjatë kisha jonë nuk kishte një prift të përhershëm, një herë një prift nga një famulli tjetër erdhi te ne për të kremtuar Mbrëmësoren. E tërë shërbesa zgjati 45 minuta (zakonisht kërkon 2 orë e gjysmë)! Ne u tmerruam! Aq shumë pjesë e Mbrëmësores ishin hequr saqë vendosëm t’i tregonim Vladikas për këtë. Ne shpresonim se ai do të ndikonte te prifti për të ndjekur rregullin e vendosur të shërbesave orthodhokse. Por Vladika, duke buzëqeshur me kënaqësi na tha: “Sa e vështirë është t’ju pëlqesh ju. Unë e kremtoj shumë të gjatë, kurse ai shumë të shkurtër! Me një mirësi e butësi të tillë ai na mësonte që të mos gjykonim”.
Reputacioni i Vladikas për shenjtërinë përhapej si te jo orthodhoksët ashtu edhe te orthodhoksët. Në një nga kishat katolike të Parisit, një prift u përpoq të frymëzonte të rinjtë me këto fjalë: "Ju kërkoni provë, thoni se tani nuk ka as mrekulli e as shenjtorë. Po pse t’ju jap prova teorike, kur sot ecën nëpër rrugët e Parisit një shenjtor, Shën Joan Këmbëzbathuri)”. Shumë njerëz dëshmojnë ndaj mrekullive të kryera nga lutjet e Kryepeshkopit Joan në Evropën perëndimore.
V. D. tregon: "Shumë ishin të pavetëdijshëm se nuk ishte e nevojshme t’i kërkosh Vladikas të vizitosh dikë. Vetë Zoti e frymëzoi atë ku dhe te kush duhet të shkonte. Vladika ishte i njohur për shumë njerëz në spitale franceze dhe e pranonin atë menjëherë në çdo kohë. Përveç kësaj, Vladika i drejtonte pagabueshmërisht hapat e tij aty ku nevojitej. Vëllain tim e shtruan një herë në spital për një plagë në kokë. Skopia shfaqi një frakturë të kafkës. Sytë ishin të ënjtur dhe të përgjakur. Gjendja e tij ishte kritike. Vladika, i cili nuk e njihte vëllanë tim, e gjeti në spital, u lut për të dhe i dha atij kungimin. Kur vëllai im iu nënshtrua disa skopive të mëtejshme, nuk kishte asnjë frakturë dhe e mori veten shumë shpejt. Mjeku u befasua!”
Në Shën Françisko, ku katedralja e famullisë është më e madhja në Kishën Ruse jashtë vendit, miku i vjetër i Vladikas, kryepiskopi Tikhoni, u tërhoq për shkak të shëndetit të dobët, në mungesën e tij ndërtimi i një katedraleje madhështore të re u pezullua meqë një debat i hidhur e paralizoi komunitetin rus. Në përgjigje të kërkesës urgjente të rusëve në Shën Françisko që e kishin njohur atë në Shangai, Sinodi e dërgoi Kryepiskopin Joan në 1962 si i vetmi hierarki që mund ta restauronte paqen në komunitetin e ndarë. Ai arriti në detyrën e tij të fundit si episkop njëzetë e tetë ditë pas ditës kur arriti për herë të parë në Shangai, në festën e Hyrjes së Nënës së Perëndisë në tempull, 21 nëntor 1962.
Nën udhëheqjen e Vladikas u restaurua njëfarë paqeje, mori fund paraliza e komunitetit dhe mbaroi ndërtimi i katedrales. Megjithatë edhe në rolin e paçebërësit, Vladika sulmohej dhe akuzat e shpifjet binin mbi kokën e tij. Ai u detyrua që të dilte në gjyq publik, në shkelje flagrante të kanoneve të kishës për t’iu përgjigjur akuzave absurde të fshehjes së pandershmërisë për financat nga ana e sinodit të famullisë. Të gjithë të përfshirët u shfajësuan plotësisht por kjo i mbushi vitet e fundit të Vladikas me hidhërimin e shpifjeve dhe përndjekjeve, të cilave ai u përgjigj gjithnjë pa asnjë ankesë, pa gjykuar askënd, me një qetësi të patrazuar.
Vladika i mbeti besnik deri në fund të rrugës së tij shërbesës besnike ndaj Kishës. Dy aspekte të karakterit të tij spikatnin më shumë te ata që e njohën atë në vitet e tij të fundit. Rreptësia e tij në lidhje me Kishën dhe Ligjin e Perëndisë.
Në fund të tetorit, Kisha Katolike Romane kremton festën e Të gjithë shenjtorëve. Sipas një tradite një natë më parë frymërat e errëta kremtonin festivalin e tyre të rrëmujshëm. Në Amerikë ky “kremtim” i quajtur Halouin është bërë një rast në të cilin fëmijët bëjnë shejtanllëqe të veshur me kostume shtriganësh, demonësh, fantazmash, sikur të thërrasin fuqitë e errësirës — një tallje djallëzore e krishterimit. Një grup rusësh po organizonin këtë natë një ballo për halouinin. Në katedralen e Shën Françiskos në këtë kohë po kremtohej një agripni dhe disa besimtarë nuk ishin të pranishëm, gjë që e shqetësonte Vladikan. Pas shërbesës Vladika shkoi në vendin ku vazhdonte ende ballo. Ai iu ngjit shkallëve dhe u fut në sallon, për habinë e madhe të pjesëmarrësve. Muzika ndaloi dhe një heshtje të plotë Vladika vështroi njerëzit e veshur me maska dhe me ngadalë i erdhi rrotull sallonit me shkopin në dorë. Nuk foli asnjë fjalë sepse asnjë fjalë nuk nevojitej, thjesht pamja e Vladikas mjaftonte të sëmbonte ndërgjegjen e secilit, siç ishte e qartë nga të shtangurit e tyre. Vladika u largua në heshtje dhe të nesërmen në kishë, me zellin e tij flakërues u bëri thirrje të gjithëve për një jetë të devotshme të krishterë.
Megjithatë Vladika nuk mbahet më shumë mend nga grigja e tij për rreptësinë e tij por për butësinë e gëzimin e tij, madje edhe për atë që njihet si "marrëzia për hir të Krishtit". Fotografia e tij më popullore mbart diçka nga ky aspekt i karakterit të tij që vihej re sidomos në sjelljen e tij me fëmijët. Pas shërbesave ai buzëqeshte dhe bënte shaka me djemtë që e ndihmonin, duke i prekur me shaka në kokë fëmijët çapkënë me shkopin e tij. Herë pas here klerikët e katedrales do të turbulloheshin kur shikonin Vladikan në mes të një shërbese (ndonëse asnjëherë në altar), duke u përkulur për të luajtur me një fëmijë të vogël! Dhe në ditët festive kur kryhej bekimi me ujë të shenjtë, ai spërkaste besimtarët jo në majë të kokës si zakonisht por në fytyrë (që bëri që një herë një vajzë e vogël të thotë “ai të bën qull”), me një vezullim të dukshëm në sytë e tij dhe një mospërfillje të plotë ndaj hutimit të disa personave më seriozë. Fëmijët e nderonin shumë atë, pavarësisht nga rreptësia e tij e zakonshme me ta.
Anna Hodiriva: "Motra ime Ksenia Jarovoj, që jetonte në Los Anxhelos, vuajti për një kohë të gjatë me dorën që i dhimbte. Ajo kërkoi ndihmën e mjekëve, u përpoq me mjete shtëpiake por pa dobi. Më në fund ajo vendosi që t’i drejtohej Vladika Joanit dhe i shkroi atij në Shën Françisko. Pas njëfarë kohe dora u shërua. Ksenia nisi ta harrojë dhimbjen që kishte pasur në dorë. Në një rast, kur vizitoi Shën Françiskon, ajo shkoi në shkoi në katedrale për shërbesat. Në fund të shërbesës Vladika Joan mbante kryqin për t’u puthur. Kur pa motrën time ai e pyeti: “Si e ke dorën?”. Vladika e pa pladika e pa për herë të parë motrën time! Po si atëherë e dalloi ai atë dhe ta dinte se ishte pikërisht ajo që kishte një dorë që i dhimbte?”
Anna S. kujton: "Motra ime Musia dhe unë pësuam një aksident. Një pijanec po ecte drejt nesh dhe e goditi derën me forcë të madhe në anën nga motra ime ishte ulur. Ambulanca u thirr dhe e çuan në spital. Gjendja e saj ishte shumë serioze: me një mushkëri të shpuar dhe një brinjë të thyer që i shkaktonin dhimbje të madhe. Sytë nuk i dukeshin nga fytyra e saj e fryrë. Kur e vizitoi Vladika, ajo e ngriti kapakun e syve dhe kur e pa atë i mori dorën dhe e puthi. Ajo nuk mund të fliste sepse kishte trakeotomi, por i rrodhën lotë gëzimi. Pas kësaj Vladika Vladika e vizitoi atë disa herë dhe ajo filloi të bëhej më mirë. Një herë Vladika hyri në pavion dhe tha: “Musia nuk ndihet mirë tani”. Pastaj shkoi te ajo dhe dhe pasi e mbylli perden pranë shtratit të saj, u lut për një kohë të gjatë. Gjatë lutjes së tij na u afruan dy mjekë dhe unë i pyeta ata sesa serioze ishte gjendja e motrës sime dhe nëse duhet të njoftoja të bijën në Kanada? (Ne nuk e kishim lajmëruar ende të bijën për aksidentin e nënës së saj). Mjekët u përgjigjën: “Të njoftosh apo jo familjen është problemi yt, ne nuk mund ta garantojmë se ajo do të mbijetojë deri në mëngjes”. Falë Perëndisë ajo jo vetëm mbijetoi atë natë, por u shërua plotësisht dhe u kthye në Kanada. Unë dhe familja ime besojmë se Musia u shpëtua nga lutjet e Vladika Joanit”.
Jeta e Vladikas drejtohej nga standardet e jetës shpirtërore dhe nëse e trazonte rutinën e bënte që t’i shkundte njerëzit nga inercia e tyre shpirtërore dhe t’u kujtonte atyre se ka një gjykim më të lartë se ai i botës. Një incident mbresëlënës nga vitet që Vladika kaloi në San Françisko (1963) ilustron disa aspekte të shenjtërisë së tij: guximin e tij shpirtëror të bazuar në besimin absolut; aftësinë e tij për të parë të ardhmen dhe për të kapërcyer me njohurinë e tij shpirtërore lidhjet e paqes dhe fuqinë e lutjes së tij, që përtej çdo dyshimi kryenin mrekulli. Ky incident tregohet nga gruaja që e dëshmoi atë, zonja L.Liu; fjalët e Vladikas u vërtetuan nga zoti T. i cili përmendet.
"Në San Francisco burri im u përfshi në një aksident automobilistik dhe u lëndua rëndë. Ai vuajti tmerrësisht Në atë periudhë Vladika po kalonte një kohë të vështirë. Duke e njohur fuqinë e lutjeve të Vladikas, unë mendova: "Nëse do t’i kërkoja Vladikas që të vinte te burri im, ai do të shërohet”. Por unë kisha frikë që ta bëja këtë sepse Vladika ishte mjaft i zënë në atë kohë. Kaluan dy ditë dhe papritmas Vladika erdhi te ne i shoqëruar nga zoti B. T., që e kishte sjellë me makinë. Vladika qëndroi me ne për rreth pesë minuta, por unë besoja se burri im do të shërohej. Gjendja e tij shëndetësore ishte rënduar shumë por pas vizitës së Vladikas ai kaloi një krizë të mprehtë dhe më pas nisi të bëhej më mirë e jetoi edhe katër vite të tjera. Ai ishte i moshuar. Më pas takova zotin T. në një takim kishe dhe më tregoi se kishte çuar Vladikan në aeroport. Papritur Vladika i kishte thënë atij: "Le të shkojmë tani te Liu". Ai protestoi se ata do të ishin me vonesë për avionin dhe se ai nuk mund të ndihmonte në atë çast. Pastaj Vladika kishte thënë: "A mund ta marrësh jetën e një njeriu në dorën tënde?" Ai nuk mund të bënte asgjë tjetër përveçse të na e sillte Vladikan. Doli se Vladika nuk ishte vonë për avionin”.
Vdekja e një shenjtori
Ndër ata që e njihnin dhe e donin Vladikan, reagimi i parë ndaj lajmeve të vdekjes së tij të papritur ishte pabesueshmëria se diçka e tillë kishte ndodhur. Dhe kjo ishte më shumë se një reagim ndaj befasisë së ngjarjes; pasi ndër ata që i ndodheshin pranë kishin krijuar në mënyrë të pashpjegueshme idenë se kjo shtyllë e Kishës, ky njeri i shenjtë që ishte i gatshëm për grigjën e tij, do të ishte gjithnjë i disponueshëm! Nuk do të ekzistonte asnjëherë një kohë kur dikush nuk do të ishte në gjendje t’i drejtohej atij për ngushëllim! Në njëfarë kuptimi, nga ana shpirtërore kjo ka rezultuar e vërtetë. Por është gjithashtu një nga realitetet e kësaj bote se çdo njeri që jeton duhet të vdesë. Vladika ishte i përgatitur për këtë realitet.
Menaxherit të jetimores ku jetonte, i cili kishte folur në pranverën e 1966 për një takim që do të zhvillohej pas tri vitesh, ai i tha: Nuk do të jem këtu atëherë”. Në maj 1966, një grua që e kishte njohur Vladika për dymbëdhjetë vjet dhe dëshmia e të cilit, sipas mitropolitit Filaret, është i "denjë për një besim të plotë” u mahnit kur e dëgjoi atë të thoshte "unë do të vdes shpejt, në fund të qershorit — jo në Shën Françisko por në Seatëll".
Përsëri, në mbrëmjen para nisjes së tij në Seatëll, katër ditë para vdekjes së tij, Vladika e habiti një burrë të cilit sapo i kishte shërbyer një moleben me fjalët, "nuk ke për të ma puthur më dorën". Dhe ditën e vdekjes së tij, në përfundimin e Liturgjisë Hyjnore që ai kremtonte, ai shpenzoi tre orë në altar duke u lutur, duke dalë nga lutja jo shumë kohë para vdekjes së tij që ndodhi më 2 korrik 1966. Ai vdiq në dhomën e tij në ndërtesën e famullisë ngjitur me kishën. Ai u dëgjua tek u rrëzua dhe pasi e vendosën në një karrige ata që rendën për ta ndihmuar, mori frymë për herë të fundit paqësisht dhe me pak dhimbje të dukshme, në praninë e Ikonës mrekullibërëse të Shenjës.
Para kanonizimit të kryepiskopit Joan lipsanet e tij u prehën në një kapelë në bodrumin e katedrales së Shën Françiskos (pas kanonizimit në korrik të 1994 lipsanet e kryepiskopit Joan u shpërngulën në katin e parë të katedrales). Pak pas fjetjes së tij, një kapitull i ri nisi në historinë e këtij njeriu të shenjtë. Ashtu si i tha Shën Serafimi i Sarovit bijve të tij shpirtërorë që ta llogarisnin të gjallë pas vdekjes së tij dhe të vinin në varrin e tij dhe t’i thonin atë që kishin në zemrat e tyre, prandaj Vladika ka provuar gjithashtu se do t’i dëgjojë ata që e nderojnë kujtesën e tij. Menjëherë pas vdekjes së tij një ish student i tij, Atë Amvrosi P., pa një natë një ëndërr ose një vizion: Vladika, i veshur me rrobat e Pashkës, plot dritë e shkëlqim, duke temjanisur katedralen. Ai i tha vetëm një fjalë me gëzim një fjalë ndërsa e bekoi atë: "i lumtur".
Më vonë, para fundit të periudhës dyzetë ditore, Atë Konstandin Z., dhjaku prej shumë kohësh i Vladikas dhe që është tani një prift, i cili ishte zemëruar me Vladikan dhe kishte filluar të dyshonte drejtësinë e tij, e pa Vladikan në një ëndërr, i ndriçuar i tëri, me rreze drite që shkëlqenin rreth kokës së tij aq fort sa ishte e pamundur që t’i shikoje. Në këtë mënyrë u zhdukën dyshimet e Konstandinit rreth shenjtërisë së Vladikas.
Administratorja e Shtëpisë së Shën Tikhonit të Zadonskit dhe një shërbëtore e devotshme prej shumë kohësh, M. A. Shakmatova, pa një ëndërr të jashtëzakonshme, sikur një turmë njerëzish e çoi Vladikan në një arkivol në Kishën e Tikhonit dhe Vladika erdhi në jetë dhe qëndroi te dyert mbretërore duke i vajosur njerëzit dhe duke i thënë asaj "Thuaju njerëzve se ndonëse kam vdekur jam prapë i gjallë!"
Ashtu si gjatë jetës së tij, Vladika vazhdon të jetë shumë aktiv për t’i ndihmuar ata që kanë nevojë për të. Këtu janë dy prej mijëra rasteve të mrekullive të Vladikas. Viktor Boiton, i cili dëshmoi shërimin e mikut të tij nga Vladika Joan, tregon: “mrekullia ndodhi pasi kisha marrë të drejtën e autorit për botimin angleze të jetës orthodhokse nga Jeta Orthodhokse nga Jordanville, N.J., që përfshinte fotot e Vladika Joanit. Unë kisha një mik, një mysliman nga Rusia, që vuante nga leuçemia dhe po humbte shikimin. Doktorët ishin të një mendje se pas tri muajsh ai do të verbohej. Duke e vendosur foton e Vladika Joanit pranë kandilit tim, unë fillova të lutem çdo ditë për mikun tim. Pas një kohe të shkurtër miku im u shërua nga leucemia dhe nisi të shikojë normalisht. Okulistët u habitën nga kjo ndodhi. Që atëherë e tutje, miku im ka bërë një jetë normale dhe lexon pa asnjë pengesë”.
Kryeprifti Stefan Pavlenko kujton: "Vëllai im Pavli, ndonëse jo në ushtri, jetoi disa vite në Vietnam. Atje ai kërkonte fëmijë të plagosur ose të mbetur jetimë për shkak të luftës së vazhdueshme në atë kohë. Ai i vendoste ata ose në jetimore ose spitale. Prandaj ai u lidh intimisht me gruan e tij të ardhshme, njëfarë Kim En , një vietnameze e cila ndihmonte fëmijët fatkeqë. Vëllai im e prezantoi Kimin me besimin e krishterë dhe me jetët e shenjtorëve të Perëndisë. Ajo i tha vëllait tim se gjatë kohëve të saj të vështira iu shfaq asaj në ëndërr një murg që e ngushëlloi atë dhe i tregoi se çfarë duhet të bënte. Një herë afër kohës së Pashkës, i dërgova vëllait tim disa kaseta me këngë murgërore ashtu si edhe disa libra dhe revista me tema shpirtërore. Pasi mora pakon dhe pasi i tregova disa materiale të krishtera Kimit ajo u befasua, kur pasi pa kapakun e një reviste thirri: `Ky është murgu që më shfaqet në gjumë!' Ajo tregoi me gisht nga një foto e mirënjohur e Vladika Joanit, e marrë në mes të varreve të manastirit të Divejovos së Re në Sring-Valley, Nju Jork. Kimi u pagëzua në Kishën Orthodhokse në me emrin Kira".
Epilog
I lumi kryepiskopi Joani i Shangait dhe Shën Françiskos u kanonizua si shenjtor nga Kisha Ruse në 2 korrik 1994. Ishte një ngjarje e mrekullueshme dhe e paharrueshme në të cilën erdhën qindra klerikë dhe me mijëra laikë nga e mbarë bota!
Rëndësia e Shën Joanit për njerëzit e shekullit të njëzetë nuk mund të çmohet si duhet. Ata që e njihnin atë personalisht ose kanë lexuar për jetën dhe mrekullitë e tij kanë mësuar për fuqinë e jashtëzakonshme shpirtërore që trupëzohej në këtë burrë të vogël të krishterë. Perëndia tërhiqej në zemrën e përvëluar dhe të dashur të Vladika Joanit që u bë një mjet i hirit të Tij. Ai i besoi shenjtorit të fshehtat qiellore dhe aftësinë për të tejkaluar ligjet fizike, duke e bërë atë një pikëlidhje midis Vetes, Krijuesit dhe ne, krijesave të Tij.
Nuk mund të ketë asnjë dyshim se Vladika Joani është dërguar nga Perëndia si një dhuratë shenjtërie për popullin e tij të ditëve të fundit. Në një kohë kur imitimi është bërë norma në çdo drejtim të jetës kur fryma autentike e Besës së Krishterë është fshehur aq shumë saqë një pjesë e mirë e ekzistencës së saj është harruar, ai mund të shihet si model i vërtetësisë.
Vladika Joani ka vendosur "tonin” e apostullimit të vërtetë në botën moderne. Ndërsa më shumë njerëz po tërhiqen në Kishën Orthodhokse të Krishtit para lëshimit përfundimtar të ligësisë, le ta vështrojnë atë si udhërrëfyesin dhe bariun e dashur që nuk njeh vdekje. Ai është njëfarë "standardi” që tregon se kush dhe ç’është e vërtetë në kohët tona konfuze. Njësia matëse nuk është asgjë tjetër përveç dashurisë së pastër të krishterë që ai e zotëronte dhe e shpërndante me bollëk. Me këtë dashuri, ia vlen beteja intensive e jetës shpirtërore.
Me ndërmjetimet e Shën Joanit Perëndia na bekoftë e na shpëtoftë. Amin!
Këtu në Rusi, kjo faqe është momentalisht i vetmi burim të ardhurash për familjen Gleason dhe familjen Silva. Që të dyja familjet jetojnë tani në Rusi dhe e çmojnë shumë mbështetjen tuaj.
Në mënyrë që faqja Russian Faith të funksionojë, një dhuratë periodike qoftë edhe prej $15 ose $25 në muaj do të ishte një bekim i madh.