Rëndësia e bekimit prindëror, sipas Shën Paisit të Malit të Shenjtë

Originally appeared at: The Catalogue of Good Deeds

Thesari më i madh për njerëzit që jetojnë në botë është bekimi prindëror. Në të njëjtën mënyrë, bekimi më i madh në jetën e një murgu është ai i atit të tij, ndaj themi “mos e neglizho bekimin e prindërve tuaj”. Më kujtohet një nënë me katër fëmijë. Asnjëri prej tyre nuk ishte martuar.

Nëna qante dhe thoshte se do të vdiste nga pikëllimi sepse asnjë prej fëmijëve të saj nuk ishte martuar. Ajo më kërkoi që të lutesha për ta. Ajo ishte një grua e ve dhe fëmijët e saj ishin jetimë. Unë vuaja për ta. U luta pa pushim por më kot.

“Ka diçka në këtë mes” mendova...”mos ju mallkonte gjë nëna juaj?pyeta. “Po, atë” m’u përgjigjën. Nëna jonë, kur ishim të vegjël, meqë qemë shumë të lëvizshëm e të mbrapshtë na thoshte vazhdimisht, nga mëngjesi në darkë “kërcunj mbetshi, kërcunj!”. “Shkoni shkundeni nënën tuaj, - u them, - dhe i thoni të pendohet, të rrëfehet e të mos mallkojë më njeri, po t’ju japë vetëm bekime. Brenda një viti e gjysmë u martuan që të katër. Ajo e shkreta ishte grua e ve dhe siç duket dëshpërohej dhe nxehej, e ata të mbrapshtë e pëlcisnin dhe ajo i mallkonte <…>

Foto nga Amy Tripple

  • Jerond, edhe mua më mallkuan prindërit kur u largova për në manastir...

Bekimi që del nga zemra është bekim hyjnor.

Në qoftë se ndjen dhimbje për  një njeri të përulur, i cili të kërkon të lutesh me gjithë zemër, për një person të tijin që torturohet, ti i thua: “mos ki frikë, do të bëhesh më mirë”. I jep një uratë të tillë, që është uratë hyjnore. Atje ka shumë dhimbje e dashuri e për këtë arsye urata kap. Kjo është një gjë e pëlqyeshme për Perëndinë dhe kështu ai e përmbush lutjen. Domethënë, edhe dhembja që ndjen një njeri për dikë  është si lutja.

Një herë, kur isha ushtar, më dërgoi komandanti në një paraklis të Shën Joan Pagëzorit, për të përmbushur një premtim, sepse shenjtori na kishte ndihmuar shumë në luftë. Do të shkoja të merrja dy mbajtëse qirinjsh për Kishën dhe njëkohësisht do të shoqëroja një njeri, i cili do të kalonte nga gjykata ushtarake në Naupaktos. Të tjerët i thanë komandantit: “Gjete njeri për ta shoqëruar”. Burri i shkretë ishte nga Epiri, muzikant i varfër, i martuar, me fëmijë, dhe ishte akuzuar se ishte vetëplagosur që t’i shpëtonte luftës. Ai mendoi me vete: “Më mirë me një këmbë sesa të vritem”. Zbritëm në Agrinio. Ai kishte disa të njohur aty; “Shkojmë t’i takojmë” më thotë. Shkojmë, - iu përgjigja. “Të shkojmë aty, të shkojmë andej”, çfarë të bëja, shkoja edhe unë ku shkonte edhe ai. Dhe nuk donte që të shkoja ta dorëzoja. Më vinte keq për të shkretin. Më dhimbsej shumë dhe i thashë: “do ta shohësh që do t’ia kalosh më mirë nga të gjithë. Dhe komandanti do të dërgojë ndonjë letër, që të të caktojnë në ndonjë shërbim. Do të përkujdesesh edhe për fëmijët e tu dhe do ta kesh të siguruar jetën”. Në fund, kur shkuam në Naupaktos, mësuam se kishte dërguar komandanti letër dhe e kishte lehtësuar nga dënimi, përndryshe do ta pushkatonin. Në kohë lufte gjërat janë ndryshe. Komandanti pati mëshirë për të, sepse ishte familjar dhe e vunë kuzhinier në qendrën e rekrutëve. Mori edhe familjen e tij me vete dhe ia kaloi më mirë nga të gjithë. Meqë ushtarët nuk shkonin gjithnjë për të ngrënë, ushqimi tepronte dhe ai ua jepte fëmijëve. Të gjithë pastaj i thoshin: “ti ia kalove më mirë nga të gjithë, sepse ne të tjerët qemë në male, në dëborë”. Për Perëndinë ishte e pëlqyeshme ajo që kishte uruar, sepse e thashë me dhembje e me gjithë zemër.  

Kujtoj një tjetër rast në Konicë, ku ndodhesha në manastirin e hirshëm të Stomiut. Pas festës së Hyjëlindëses më 8 shtator, pelegrinët i kishin lënë gjithë gjërat rrëmujë. Kur po rregulloja diçka, pashë motrën time dhe një vajzë të ulur duke mbledhur disa gjëra. Vajza e gjorë kishte edhe dy motra, - njëra më e vogël, - të cilat qenë martuar dhe vetëm ajo kishte mbetur pamartuar. Sa shumë sedër që kishte. I rregulluan të gjitha gjërat e në fund më tha: “Në qoftë se duhet, atë, të rrimë të bëjmë edhe punë të tjera”. “Kaq shumë sedër”, thashë me vete. Shkova në kishë dhe u luta me gjithë zemrën time. “E Tërëshenjtë përkujdesu ti për të. Unë nuk kam çfarë t’i jap, dhe po të kisha ajo nuk do të pranonte”. Dhe sapo shkoi në shtëpinë e saj, po e priste një djalë me të cilin kishim qenë bashkë ushtarë, njeri shumë i mirë, dhe nga një familje e fisme. U martuan për bukuri. Ja si i plotësoi të gjitha e Tërëshenjta.

Burimi: “Fjalët”. Volumi I. “Me dhimbje dhe dashuri për njeriun bashkëkohor”. https://obitel-minsk.ru/chitat/den-za-dnyom/2020/besedy-s-gerondoj-2
Përkthyer nga Katalogu i veprave të mira