Kush është kreu i shtëpisë?

Gjëja më e rëndësishme është të mos uzurpojmë autoritetin. Bëhuni të durueshëm . . . 

Admiro gjysmën tjetër! Te çdo burrë mund të gjesh diçka vërtetë unike, të mire dhe të bukur. Nëse një burrë punon shumë, gruaja e zgjuar sigurisht që do ta admirojë forcën e tij . . . .

Kujdesu për pamjen e jashtme. Kur burri yt vjen në shtëpi në mbrëmje, nuk ka gjë më të keqe se sa të të shohë ty të veshur me një rrobdeshamber të zhubrosur, të ashpër dhe me dhëmbë të papastruara . . .

Unë komunikoj me gra të ndryshme, dhe shpesh dëgjoj shpirtin e tyre që qan: "Bashkëshorti im nuk më ndihmon fare, nuk bën asgjë për shtëpinë, perpihet i teri përpara kompjuterit, nuk kalon kohë me fëmijët tanë e  nuk më kushton fare vëmendje" dhe shumë pretendime të tjera të drejta. A është e pamundur për ta inkurajuar një burrë që të përmirësohet në disa mënyra të caktuara? A është i pamundur shërimi?

Të gjithë e dinë që një sëmundje është më e lehtë ta parandalohet se sa të shërohet. Prandaj, inkurajimi i një burri për të përmbushur rolin e tij si kreu i shtëpisë është diçka e rëndësishme, që nga momenti i parë që dy të rinjtë fillon të jetojë së bashku.

Nëse familja është orthodhokse, atëherë çdo gjë është më e thjeshtë: burri e ka të qartë se është kreu i shtëpisë — udhëheqësi i kësaj kishe të vogël — dhe duhet të jetë plotësisht i përgjegjshëm për familjen e tij. Një grua mund t’ia  kujtojë butësisht këtë. Ajo mund të jetojë e kënaqur në nënshtrim ndaj burrit. Dhe pastaj çfarë do të bëjë burri ? Ai thjesht do t’i duhet të zërë vendin e drejtimit.

Nëse ky proces vazhdon ngadalë, ndoshta mund të gjesh një rrugë të butë për ta lënë bashkëshortin tënd të lexojë artikullin që flet për familjen e krishterë orthodhokse, ku detyra e burrit është e përshkruar qartë. Në këtë sferë, martesa vetë luan një rol të rëndësishëm, sidomos nëse çifti po bëhet gati të marrë këtë mister, duke u përpjekur për të kuptuar domethënien shpirtërore, duke mos u dhënë pas modës së kënaqësive meskine të botës.

Megjithatë, po sikur çifti të jetë martuar, dhe burri nuk është përfshirë në kishë? Gjëja më e rëndësishme nuk është për të uzurpuar autoritetin; mos provo të marrësh përgjegjësitë e burrit. Bëhu e durueshme, dhe jepi kohë që të piqet.

Në disa raste burri mund të mos jetë zellshëm nga natyra, dhe mund të mos ta përmbushë natyrshëm rolin udhëheqës ashtu siç duhet. Por ka mënyra të përshtatshme për ta inkurajuar. Është e rëndësishme të tregosh varësi ndaj burrit, edhe kur duhet të duhet t’i thuash hapur gjërat — "Oh, unë nuk bëj dot pa ty "Nuk e bëj dot. Jam një grua e dobët, nuk jam e mirë për këtë punë." — Instinkti i një burri për të qenë mbrojtësi zakonisht fillon të punojë. Është e natyrshme që një burrë t’i vijë në ndihmë një gruaje që ka nevojë për ndihmë.

Mos prit deri sa burri yt të fillojë të të ofrojë ndihmë. Mos kij frikë të kërkosh! Shumë burra nuk e bëjnë diçka thjesht sepse nuk e shohin të nevojshme. Ndjehu e lirë të kërkosh. Por bëji kërkesat me dashuri, dhe mos u bëj kërkuese e bezdisshme. 

Nuk ka problem nëse ai harron ta bëjë diçka — mos u nxito të zemërohesh — bashkëshorti juaj mund të jetë vërtetë i shqetësuar, pa e treguar nga jashtë. Herën tjetër që  e thërret, thjesht kontrollo se si po shkojnë gjërat. Ai do të jetë mirënjohës për mirëkuptimin, dhe do të jetë i kënaqur që ti nuk e qortove.

Kur i dashuri yt i përgjigjet kërkesës tënde dhe të ndihmon, dhe akoma më shumë nëse vullnetarisht të ndihmon, ti duhet të jesh e lumtur për ta pranuar ndihmën, dhe duhet ta lavdërosh atë! Kjo është e domosdoshme për faktin se në të ardhmen ti nuk do të mbetesh pa ndihmë. Më thuaj se sa e bukur është të bëni diçka së bashku, sa kohë do të të merrte po ta bëje vetëm, sa e kënaqshme është që ta ndihmosh atë, dhe mos harro ta përgëzosh para të tjerëve. Mos i bëj komplimentet shkel e shko! 

Admiro gjysmën tënde! Te çdo burrë ti mund të gjesh diçka vërtetë unike, të mirë, të bukur. Nëse një burrë punon shumë, gruaja e zgjuar sigurisht që do ta admirojë forcën e tij. Nëse ai ka gjetur zgjidhjen e ndonjë problemi shtëpiak, atëherë admiro mendjen e tij mashkullore dhe idetë origjinale. Gjërat e mira duhet të inkurajohen.

Ndihma në shtëpi duhet t’i kujtojë atij marrëdhënien e mire me gruan. Nuk duhet të sjellë në mend kujtime të gjuhës së mprehtë të gruas: “Ti nuk bën asgjë, ti nuk më ndihmon fare, ti nuk ngre asnjë gisht . . .” Komente të tilla lënduese mund të rrënjosen në mendjen e tij përgjithmonë. Sugjerimi më i mirë për një grua të mençur është që të mbajë mend: “Je në shtëpinë e PRONARIT!”

Bashkëshorti kthehet në baba

Dhe tani një fëmijë lind në familje. E kam provuar këtë gëzim katër herë, kështu që dua të jap këshilla për nënat e reja rreth problemeve që sulmojnë një familje të re me bebe.

Fëmija i pare është gjithmonë i vështirë, dhe nëse fëmija është aktiv, nuk fle natën, dhe gjithmonë do që të mbahet në krahë, mund të jetë tunduese që të harrosh të kujdesesh për veten. Por jo! Nuk është e mirë ta bësh këtë! Të krehësh flokët, të vishesh — kjo të merr vetëm pesë minuta. Një fëmijë mund të qajë në rrethore për disa minuta pa e dëmtuar shëndetin. Kur burri yt vjen në shtëpi në mbrëmje, nuk ka asgjë më të keqe se të të shohë ty të veshur në një rrobdeshamber të rrudhosur, të ashpër  dhe me dhëmbë të papastra. Dhe fundja, kur gruaja ka gjetur kohë për të rregulluar veten, gjendja emocionale e saj është gjithmonë më e mire sesa ajo e një mamaje që shpejton vazhdimisht.

Një burrë duhet të presë me padurim të vijë në shtëpi. Që të ndodhë kjo, është e nevojshme që të mos ia zbrazësh atij të gjitha problemet e ditës në korridor  në momentin që vjen në shtëpi. Nuk ka rëndësi sa e vështirë është, buzëqeshi atij, sepse ti je e lumtur që e sheh të dashurin tënd të kthehet në shtëpi. Kjo vjen para së gjithash. Masa e gëzimit tënd, megjithëse ndonjëherë e mprehtë dhe kërkuese – vjen e dyta.

Shumë shpesh, pas lindjes së një fëmije, babai dhe nëna e keqkuptojnë njëri-tjetrin. Gruaja ka sensin e mëmësisë praktike dhe duke e ushqyer, duke e veshur, dhe  duke e larë foshnjën, ajo ndjen një dashuri të papërshkrueshme ndaj tij. Dhe sigurisht, ajo pret që edhe babai të bëjë të njëjtën gjë! Mungesa e gjuhës së foshnjës tek babai, dhe nganjëherë edhe frika e foshnjës nga babai, shpesh merret nga gruaja si një fatkeqësi: “Ai nuk e do atë! Ai është indiferent ndaj fëmijës!” Por kjo është thjesht një çështje në lidhje me psikologjinë e veçantë të burrave. Për shumicën e miqve të mi, me disa përjashtime të rralla, babai filloi të bashkëvepronte me fëmijën që nga momenti kur fëmija filloi të tregonte shenja serioze të arsyes — afërsisht midis moshës 8 ose 12 muajsh. Baballarët dhe nënat janë të ndryshëm në këtë mënyrë! Kryesorja është që ne nuk duhet të alarmohemi, e të mos e largojmë babain nga foshnja duke bërë kërkesa pafund.

Atëherë, çfarë duhet të bëjmë — të presim edhe një vit të plotë për zgjimin e instinktit atëror? Nuk mendoj se është e nevojshme pritja. Transformimi i një burri në baba mund të fillojë menjëherë sapo foshnja të sillet në shtëpi. Menjëherë, është e nevojshme të bihet dakord për gjërat që do të jenë përgjegjësia e drejtpërdrejtë e babait. Për shembull, në shtëpitë e shumë miqve të mi, kishin krijuar një rutinë të tillë të përditshme: burri do të lexonte lutjet e mëngjesit, ndërsa gruaja do të ulej pranë tij duke ushqyer foshnjën. Në një rast tjetër, babai gjithmonë e lante beben — nëna dinake thoshte se kishte frikë ta mbante fëmijën në ujë, dhe se fëmija do të ishte më rehat në duart e gjera të babait — kjo e afroi shumë babain me fëmijën. Më kujtohet një rast tjetër kur nëna përgëzoi babain, duke thënë se zëri i tij ishte shumë qetësues për foshnjën, dhe në këtë mënyrë burri ishte i kënaqur që fliste shumë me djalin e vogël, ndërkohë që nëna merrej me punët e shtëpisë.

Për nëntë muaj mamaja e kishte mbajtur një njeri të ri brenda saj, e kishte ndier të lëvizte brenda saj, e lindi, dhe tani po e ushqen me gji — ajo e ndjen qartë se foshnja është pjesë e saj. Po babai që nuk e mbajti në veten e tij këtë jetë, që ndoshta nuk e pa të lindë ? Është jashtëzakonisht e rëndësishme për ta ndihmuar burrin e saj të kuptojë se  edhe ai gjithashtu, është i përfshirë në këtë krijesë të vogël! Sigurohu të gjesh diçka të përbashkët mes tyre dhe tregoja burrit:

  • “Shiko, ti ke të njëjtat sy, dhe të njëjtat buzë kurajoze, dhe ai shfryn si ti!”
  • “Shiko i  dashur, shiko — është për të qeshur se si ju të dy flini me duart të vendosura njësoj! ”
  • “Vajza jonë ngjan tamam si ti në fotot kur ke qenë i vogël!”
  • “Çfarë grushti ka biri yt —duket që do të ketë duar të mëdha e të forta kur të rritet tamam si ti! ”

Gjithmonë ka diçka të ngjashme për t’u komplimentuar. Edhe nëse fëmija ndodh që është kopje e nënës, prapë mund të gjesh ndonjë aspekt të sjelljeve dhe karakterit të babait.

"Një festë për çdo ditë!"

Unë kam qëndruar me fëmijët në shtëpi për një kohë të gjatë, dhe tri fëmijët e fundit lindën njëri menjëherë pas tjetrit. Monotonia e ditëve të zakonshme ndonjëherë duket se e prish humorin, pret krahët e çdo ndjenje të bukur. Do t’iu them se si e zgjidhëm këtë problem në familjen tonë.

Meqenëse kemi një makinë, ne shpesh kërkojmë për mundësi për të udhëtuar gjatë fundjavëve. Dhe nuk ka rëndësi ku jemi, familja jonë gjithmonë shkon në kishë të Dielën në mëngjes. Kjo në vetvete të jep forca të reja dhe një gjendje të mirë shpirtërore. humorit të mire. Pastaj i drejtohemi fshatit, pyllit, parkut, ose lumit në pranverë ose verë, ose shkojmë në shtëpi në vjeshtë dhe dimër. Ne nuk presim deri sa fëmija të jetë një muajsh — ne shkojmë në udhëtime familjare edhe kur fëmija është vetëm një ose dy javësh. Për shembull, kur Jashenka i vogël ishte tre javësh, ne shkuam në një udhëtim në vendet e shenjta të Zadonskut.

Kur jemi në shtëpi, duhet të ketë një mundësi për të pushuar së bashku. I vendosim tri fëmijët më të vegjël në shtrat në 9 të darkës dhe më të madhin një orë më vonë. Dhe tani më në fund, mbrëmja vjen në një pikë kur gruaja mund të pushojë, të jetë vetëm me burrin, të ulet me të në kuzhinë për të pirë një gotë çaj, të ndajnë të rejat, dhe të pyesë si i shkoi dita në punë. Unë vërtetë pëlqej të lexojmë së bashku libra në mbrëmje — marrim libra të ndryshëm, por here pas here i lexojmë njëri-tjetrit pasazhe interesante dhe i diskutojmë. Gjithashtu na sjell së bashku koha kur lexojmë lutjet përgatitore për Kungatën Hyjnore, si dhe kur jemi bashkë për lutjet e Mbrëmësores.

Mos u pikëllo! Nëse fal një person të dashur, edhe ndonjë që ka shumë faj, ai gjithmonë do ta vlerësojë. Në një familje orthodhokse, marrëdhënia midis të martuarve që përpiqen të mbajnë urdhërimet e Krishtit është më e lehtë thjeshtë se sa marrëdhëniet në familjet  e pakishëruara. Mua më duket se një psikolog familjeje nuk ka nevojë t’i japë këshilla një çifti që po kalon probleme — vetëm t’i drejtojë tek Bibla, ku do të gjejë këshilla për çdo situatë jetësore.

Njëherë, para shumë kohësh, unë dëgjova një shprehje interesante:  nëse nuk ke tradita familjare, nuk ke familje. Dhe kjo nuk është një pemë Krishtlindjesh, ose një kek Pashke, por tradita të veçanta familjare. Për shembull, për çdo vit të ri ne vizatojmë  kartolina për Vitin e Ri me vajzat. Pastaj, së bashku me kartolinat e vitit të kaluar, i fshehim në një kuti me zbukurime Krishtlindjesh. Pasi ka kaluar një vit, ne shohim kutinë dhe kënaqemi me fotot e harruara, duke qeshur me ngathtësinë e vizatimeve tona. Gjithashtu fshehim edhe një koleksion me figurina si plak dëbore, dhe e plotësojmë atë çdo vit për të organizuar një shfaqje në shtëpi. Për Pashkë, unë mbledh lëvozhga vezësh boshe, duke ua hequr me kujdes përmbajtjen, dhe vendos degë mështekne në ujë — pastaj fëmijët i ngjyrosin dhe varin vezë të lehta Pashke në degët e gjelbra që lulëzojnë. Dhe për ditëlindjen e secilit nga fëmijët unë sajoj dhe shkruaj një skenar festiv me konkurse dhe lojëra. E gjitha kjo e fuqizon familjen, duke e bërë jetën më të lumtur dhe me më shumë kënaqësi.

Është po aq e mire të bësh surpriza të bukura — një kek të shijshëm, një disk me muzikë të bukur në makinë, një vakt të ri interesant, një zinxhir të lezetshëm çelësash, një foto familjare në kornizë në tryezën e zyrës së bashkëshortit — vetëm ti mund ta dish çfarë e kënaq të dashurin tënd. Gjithashtu  lutu për të dhe për familjen tënde. Në familjen tonë, shenjtorët mbrojtës janë Adriani and Natalia. Kur ka përçarje në familje, unë shpesh u kërkoj të luten për ne, dhe gjithmonë situata përmirësohet. Ka edhe një lutje të caktuar drejtuar Zotit, për rastet kur ka probleme në familje. Unë shpesh e lexoj, sepse shpreh plotësisht atë që unë dua për familjen time.

Zoti i ruajt familjet tona, dhe ju sjelltë gëzim!


Burimi: Mandati i patriarkut per familjen ne Kishen Orthodhokse Ruse 

  • Shqip
  • العربية
  • English
  • Français
  • Deutsch
  • Bahasa Indonesia
  • Italiano
  • Português
  • Русский
  • Español