Erosi i Martesës

Marrëdhënia seksuale e një çifti është një bashkim mjaft i rëndësishëm shpirtëror dhe nuk është një dëfrim i rëndomtë që mund ta ndajmë lirisht me të tjerët.

Kisha zbulon të fshehtat e një martese kuptimplote, duke lejuar që madje edhe diçka fizike si seksi të trajtohet nga një këndvështrim shpirtëror në kontekstin më të madh të qëllimit të martesës që është misterore dhe shpëtuese...

Originally appeared at: Pravmir

“Mëkati i çdo njeriu është mëkati i askujt dhe krimi i çdo njeriu nuk është aspak krim”. Ky citim që supozohet se i atribuohet Alfred Kinsit, prindit të “seksologjisë”, nëse ekziston një shkencë e tillë, duket se po bëhet gjithnjë e më shumë moto e shoqërisë sonë. Nëse çdo njeri bën diçka, atëherë duhet të pranohet dhe duhet të jetë e mirë. E aplikuar në veçanti ndaj seksualitetit, ky citim mund të lexohet fare mirë “nëse e shikoj në tv, atëherë është e mirë që ta bëj atë”.

Kanalet tona mediatike ushtrojnë një ndikim të tmerrshëm ndaj çdo gjëje që na rrethon, si zakonet tona të ngrënies, dekorimi i shtëpisë, moda, e madje marrëdhëniet intime; gjithçka na shërbehet e mbështjellë bukur në një paketë të gjerë mediatike. Pa e kuptuar, jetët tona transformohen dhe marrin drejtimin e spektaklit më të nxehtë të realitetit ose  filmit më të fundit të Hollivudit. Sjellja seksuale njerëzore ndodhet në majë të listës parësore të industrisë së spektaklit. Pse? Sepse seksi nxjerr fitime të mëdha! Ёshtë kërkuar shumë më parë, kërkohet tani dhe do të vazhdojë të kërkohet shumë edhe në të ardhmen e paparashikueshme. Ёshtë e njëjta histori e vjetër e tregtisë më të vjetër në botë. Por ajo që ka ndryshuar gjatë viteve është qëndrimi i shprehur nga shoqëria ndaj ekspozimit të saj publik.

Qëndrimi tradicional ishte që seksualiteti duhet të kufizohet ndaj intimitetit të çiftit të martuar dhe asnjë shfaqje publike e kësaj marrëdhënieje të shenjtë nuk ishte e përligjur. Pavarësisht nga ky qëndrim i nderuar janë gjetur në çdo kohë mënyra për të shpërndarë informacionin e qartë seksual përmes materialeve më pak apo më shumë të kufizuara në qarkullim. Kjo ka vazhduar për shumë vite në një qoshe të shoqërisë që është dënuar gjithnjë e megjithatë është toleruar gjithnjë.

Por në shekullin e kaluar standardi i vendosur për atë që është e përshtatshme për shfaqje publike është ulur deri në atë masë saqë gjithçka lejohet dhe vetëm një shtresë e sipërfaqshme e censurimit të papërcaktuar moral vazhdon të zbatohet.

Moda, muzika, kinematografia, reklamat librat e revistat janë mbushur plot me seksualitet të hapur që e ka legjimituar për të gjithë me kalimin e kohës. Media ulërit së bashku me Kinsin: “Mëkati i çdo njeriu është mëkati i askujt”.

E udhëhequr nga shkencëtarët e rremë ose të cekët, premisa moderne e seksualitetit të tepruar nuk bazohet në asgjë tjetër përveç të njëjtit këndvështrim ateist të botës. Nëse teoria e evolucionit është e vërtetë njeriu nuk është asgjë më shumë se një kafshë dhe për kafshën seksi është shumë i natyrshëm.  Të gjitha speciet e bëjnë këtë gjatë gjithë kohës dhe nuk shfaqen as në programet kryesore të “Discovery Channel”! Duke filluar me këtë premisë asgjë nuk është ose duhet të jetë “tabu” në sjelljen njerëzore seksuale. Të gjitha shprehjet seksuale janë legjitime dhe nuk janë asgjë më shumë se një shprehje e asaj që ne jemi. Heteroseksualiteti, homoseksualiteti, biseksualiteti dhe një mori e madhe perversionesh pranohen të gjitha si pjesë e spektrit natyror të sjelljes. Nuk ka asnjë kufi ndaj Homo Sexualis!

Po ashtu, me një pikëpamje natyraliste të qenies njerëzore, duke pohuar që gjithçka diktohet nga reagime neuro-kimike, vullneti ynë i lirë gjithashtu zhduket në determinizmin biologjik. Ne jemi gjenetikisht të programuar për t’u sjellë në një apo një tjetër mënyrë me qëllim që të mos kemi përgjegjësi për veprimet tona. Me fjalë të tjera ne skllavërohemi biologjikisht ndaj një bote që na dikton çdo lëvizje.

Por si të Krishterë Orthodhoksë tradicionalë ne nuk mund të pajtohemi me këtë pikëmaje të fotë mekanicistike të botës‚ sepse ne besojmë në një Krijim të botës nga dashuria, prej gatishmërisë për të ndarë një marrëdhënie të përjetshme me një Perëndi personal. Krijimi i njeriut është një akt i veçantë në të cilin marrim jo vetëm një trup që i ngjan atij të kafshëve por edhe imazhin e Perëndisë. Nëpërmjet shfaqjes së tij biologjike njeriu mund të konsiderohet vërtet një kafshë por një kafshë “që mund të hyjnizohet përmes prirjes së tij ndaj Perëndisë”, sipas Shën Grigor Teologut.

Shën Athanasi i Madh ka thënë një herë: “Perëndia u bë njeri që njeriu të bëhet Perëndi”. Njeriu nuk u krijua i përsosur por me potencialin e hyrjes në një progres dinamik drejt përbashkësisë me Perëndinë. Me fjalë të tjera njeriu është i thirrur për t’u hyjnizuar, për të arritur stadin më të lartë të të qenit i ngjashëm me Perëndinë, të jetë plotësisht i ngjashëm me Të. Por ai duhet ta bëjë këtë me dëshirë, i padetyruar, jo diçka e vendosur kimikisht dhe e paparacaktuar. Ai duhet ta dëshirojë vetë këtë “ashtu si suta ka një dëshirë të madhe për rrëketë e ujit” (Psa. 42:1).

Njeriu është krijuar sipas shëmbëllimit të Perëndisë, por siç afirmojnë Etërit e Kishës, vetëm ai e ka potencialin për të arritur përngjasimin e Tij. Ky ndryshim i mprehtë midis imazhit dhe përngjasimit është vetë esenca e perceptimit të luftës së ekzistencës njerëzore. Imazhi është diçka që të gjithë njerëzit e marrin lirisht, është dhurata e Perëndisë për ne dhe çdo njeri e trashëgon atë. Ky imazh qëndron në të gjithë njerëzit pavarësisht nga zgjedhjet e tyre, mëkatet e dështimet e tyre shpirtërore. Imazhi i Perëndisë vazhdon të ekzistojë nën shtresat e indiferencës, duke pritur që të zbulohet dhe të vlerësohet si duhet në dritën e Shpirtit të Shenjtë. Përngjasimi sidoqoftë është i nënshtruar ndaj vullnetit të lirë të njeriut. Nuk është diçka që është dhënë, por diçka për të cilën njeriu duhet të punojë nëpërmjet përshtatjes së përhershme dhe me gjithë zemër të vullnetit të dikujt ndaj vullnetit të Perëndisë, derisa të arrijë fazën që përshkruan Apostulli Shën Pavli: “Bashkë me Krishtin u kryqëzova; edhe s’rroj më unë, po Krishti rron tek unë” (Gal 2:19-20). Ёshtë ky vullnet i lirë që e lejon njeriun të pranojë ose mohojë vendin e tij të përgatitur për të në univers, që përpara krijimit të botës.

Ky perceptim themelor mund të aplikohet në të gjitha aspektet e ekzistencës së njeriut dhe seksualitetit nuk bën përjashtim ndaj kësaj. Nga një perspektivë eskatologjike misteri i martesës nuk është thjesht një bekim i marrëdhënieve seksuale midis dy partnerëve por është aktualisht një ngjarje jetë-shndërruese që transformon erosin sekular‚ dashurinë fizike në eros të vërtetë, misterin në lidhje me Krishtin dhe Kishën e Tij [1] Plotësia e unitetit personal dhe fizik të arritur nëpërmjet Misterit të Martesës korrespondon me marrjen e natyrës njerëzore nga Krishti [2]. Nëpërmjet kësaj bashkimi i bashkëshortëve e kalon vdekjen në përjetësi, e kalon trupin në frymë ndërsa çifti kalon në një nivel të ri të jetës në Krishtin.

Bekimet e këtij bashkimi janë fëmijët që vijnë në këtë botë si frytet e hirit, si një shenjë materiale që të dy personat u bënë një trup i vetëm. Por kjo nuk aludon se një çift që nuk është në gjendje të ketë fëmijë nuk bekohet; bekimet e frytet e tyre materializohet në një formë tjetër nëpërmjet shprehjes shpirtërore të dashurisë së tyre, duke sjellë fryte në Mbretërinë e Perëndisë.

Nëpërmjet Misterit të Martesës dhe konsumimit të akteve të tyre martesore marrëdhënia midis burrit e gruas bëhet e plotë: trup e shpirt të dy bashkohen dhe do të jenë një mish i vetëm (Zanafilla 2:24) në një të vetëm brenda Trupit të Krishtit. Marrëdhënia e tyre e re e dashurisë, e shfaqur tani si shpirtërisht ashtu edhe fizikisht, e gjen vendin e vet brenda intimitetit të shtëpisë së tyre, kishës së vogël siç e quan Shën Joan Gojëarti [3]. Prandaj bëhet e qartë pse, nga perspektiva e Krishterë Orthodhokse‚ seksualiteti ka vendin e drejtë në limanin e sigurt të martesës misterore, si një mjet për të lidhur edhe më shumë unitetin e çiftit të martuar, trup e shpirt, në perspektivën e jetës së përjetshme. Marrëdhënia seksuale e një çifti është një bashkim që ka një rëndësi të madhe shpirtërore dhe nuk është një argëtim i rëndomtë që ne mund ta ndajmë lirisht me të tjerët, siç përpiqet vazhdimisht media ta përcjellë.

Aspekti tjetër që duhet të mbulojmë është natyra sakrifikuese e martesës që është harruar plotësisht brenda riteve moderne të martesës. Në Traditën Orthodhokse burri e gruaja mbajnë kurorat në kokë. Domethënia e vërtetë e këtyre kurorave zbulohet kur çifti merren në një vallëzim të gëzueshëm përreth tryezës në të cilën është ulur Ungjilli i Shenjtë, që përfaqëson Krishtin si qendra e jetëve tona. Në këtë çast prifti këndon: “O dëshmorë të shenjtë, që bëtë luftën e mirë dhe morët kurorat tuaja: lutjuni Zotit që të ketë mëshirë për shpirtrat tanë”. Bëhet e qartë tani se kurorat janë simbolet e dashurisë vetëmohuese, të marra si shpërblimi suprem për flijimin e gjakut të paguar nga brezat e martirëve përgjatë shekujve. Gjaku i tyre i derdhur rrjedh në dejet e Kishës duke e bërë të mundur jetën e saj në kohët më të vështira. Në sakrificën e tyre qëndron shembulli që duhet ndjekur nga të sapomartuarit ndërsa nisin jetën e tyre të re. Ata nuk janë të thirrur për përmbushjen personale të nevojave të tyre hedoniste por përkundrazi, janë thirrur në mohimin e dëshirave të tyre për hir të tjetrit dhe jetës së përbashkët të çiftit.

Në këtë kontekst dikush nuk mund të futet thjesht me një mendje sekulare në këtë kontekst të shenjtë por është i thirrur që të veprojë me pastërti, vetëpërmbajtje, dashuri sakrifikuese dhe respekt për urdhërimet e Perëndisë. Vullneti ynë i lirë nuk është shprehja e zgjedhjeve tona seksuale por është zgjedhja jonë e lirë dhe e paparacaktuar për të ndjekur Krishtin në ngjasimin e tij, në dashurinë e Tij sakrifikuese ndaj Kishës.

Duke promovuar këtë kuptim të martesës, Kisha nuk përpiqet të kufizojë ose censurojë marrëdhëniet martesore midis bashkëshortëve (1 Kor. 7:6)‚ por është duke vepruar su bhë dritë udhërrëfyese drejt një jete më shpërblyese shpirtërore‚ duke e ditur se lakmia e pasioneve të shfrenuara të mishit çon në mëkat dhe e prish kungimin tonë me Perëndinë. Thjesht fakti që ne nuk mund të bëjmë diçka s’do të thotë që duhet ta bëjmë. “Të gjitha më lejohen, por jo të gjitha sjellin dobi; të gjitha më lejohen, po jo të gjitha ndërtojnë” (1 Kor.10:23).

Mund ta gëzosh bashkimin e mishit, por duhet të mësosh edhe të frenosh veten në disa raste për hir të rritjes shpirtërore (1 Kor. 7:5). Kalendari ekleziastik i Kishës me periudhat e përcaktuara të kreshmës përpiqet të arrijë pikërisht këtë gjë duke lejuar kohë të mjaftueshme për të marrë kënaqësitë e jetës dhe fryteve të saj trupore, por në të njëjtën kojë po ofron një mundësi të barabartë për t’u fokusuar në udhën e shpëtimit, duke sjellë prandaj harmoni midis trupit e shpirtit.

Nevojat natyrore të mishit kanë një rol të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve por nëse bëhen mbizotëruese qëllimi i vërtetë shpirtëror do të humbë, duke u bërë idhuj që na largojnë nga adhurimi i të vetmit Perëndi të vërtetë. Në balancën e qëndrimit të tërësishëm të Kishës sonë ndaj trupit e shpirtit gjendet e fshehta e një martese kuptimplote sepse e lejon edhe diçka fizike si seksin të qaset nga një këndvështrim shpirtëror në kontekstin e gjerë të qëllimit të martesës që është misterore dhe shpëtuese.


[1]
Yannaras Christos‚ Freedom of morality

[2]
William basil Zion‚ Eros and transformation-sexuality and marriage‚ an Eastern Orthodox perspective‚ University press of America‚ 199’ p. 132

[3]
St. John Chrysostom‚ Homily 20:6’“On the Letter to the Ephesians”

  • Shqip
  • العربية
  • English
  • Français
  • Deutsch
  • Bahasa Indonesia
  • Italiano
  • Português
  • Русский
  • Español