Virgjëresha Mari nuk ndoqi shkollë publike

"Zoti nuk do t’ju pyesë a u keni mësuar fëmijëve frëngjisht, gjermanisht apo italisht, ose politikat e jetës shoqërore – por ju nuk do t’i shpëtoni qortimit të shenjtë nëse nuk u mësoni mirësinë atyre. Unë flas qartë por tregoj të vërtetën: nëse fëmijët tuaj janë të këqij, nipërit dhe mbesat tuaja do të jenë më keq dhe ligësia kështu do të rritet dhe rrënja e gjithë kësaj do të jetë edukimi ynë i keq."

— Shën. Tikhon i Zadonskut

Shumë njerëz më kanë akuzuar se i kam mbajtur fëmijët brenda së tepërmi. Fëmijët e mi nuk kanë telefona celularë, ata shikojnë shumë pak televizor, dhe gjithmonë janë shkolluar në shtëpi.

Ҫdo mëngjes e gjithë familja jonë bën lutjet e mëngjesit, lexon Shkrimin, dhe jetë shenjtorësh. Ҫdo mbrëmje ne lutemi së bashku para gjumit. Marrim pjesë në liturgji çdo të diel, në tërësinë e saj. Fëmijët nuk lejohen të vijnë me vonesë.

"Kjo është shumë strikte," thonë njerëzit. "Nuk po i përgatitni fëmijët për të jetuar në botën reale!"

Sigurisht, një dhomë mban aq mendime sa mban edhe njerëz. Pra për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje le të shkojmë te Krishti dhe shenjtorët. Nëse vetë Krishti do të rriste një fëmijë, si do ta bënte Ai këtë?

Sot ne festojmë Hyrjen e të Hyjlindëses në Tempull. Ne e kujtojmë kohën kur Shën Joakimi dhe Ana sollën bijën e tyre tri vjeçe- Marinë- në tempull, në mënyrë që ajo të rritej atje. Kjo ngjan me atë çfarë ndodhi njëmijë vjet më herët, kur Shën Ana solli profetin e vogël Samuel- gjithashtu tri vjeç- për ta rritur në tempull.

Maria do të bëhej Nëna e Zotit dhe do të lindte Zotin Jisu Krisht. Për ta përgatitur për këtë detyrë të madhe, Perëndia siguroi një mjedis të bekuar për Marinë që ajo të rritej për t’u bërë një grua e shenjtë.

Ishte e nevojshme për Marinë që të rritej në botën reale. Por nuk ishte e nevojshme që ajo të korruptohej nga bota.

  • Zoti e përgatiti Marinë që të duronte fyerjet, kur njerëzit shpifën se ajo ishte një kurorëshkelëse.
  • Zoti e përgatiti Marinë që të duronte persekutimin kur Mbreti Herod kërkoi të vriste Birin e saj, dhe u duhej të arratiseshin në Egjipt.
  • Zoti e përgatiti Marinë për të duruar vuajtjen kur ajo pa ekzekutimin brutal të Birit të saj në kryq.

Zoti nuk e përgatiti Marinë që të përshtatej me botën, por e përgatiti që ajo të jetonte aty në virtyt.

Dhe si e përgatiti Marinë Zoti për një jetë të tillë? Jo me lojëra, argëtime apo nje jete te rehatshme. Dhe jo me shkolla laike pa Perëndinë.

Maria nuk kishte nevojë për lojërat më të fundit, as pranimin në një universitet, dhe nuk kishte nevojë të ishte e njohur mes bashkëmoshatarëve.

Ajo çfarë Maria kishte nevojë ishte të mësonte të ishte e drejtë, te kishte dashuri për punën, dhe mundësi për t’u lutur dhe për të adhuruar Perëndinë ditë për ditë – çdo mëngjes dhe mbrëmje. Kjo është përgatitja që ka nevojë një fëmijë, që të jetojë një jetë të krishterë në botën reale.

Sipas një tradite të hershme kishtare, ajo lutej herët në mëngjes, deri në orën 9:00. Nga ora 9:00 deri në 3:00 pasdite ajo punonte me zell në endje. Në orën tre ajo do të hante diçka. Pas kësaj do t’ia kushtonte veten lutjes. Ajo studionte me zell Shkrimin e Shenjtë, dhe gjithmonë kërkonte të kënaqte Zotin.

Ky nuk është edukim pa Zotin që merret nga disa shkolla laike. Ky është shembulli më i mirë i edukimit të krishterë, sepse është një edukim i shenjtë që është marrë në shtëpinë e Perëndisë.

Për shkak të këtij edukimi fantastik, Maria mbante mend pjesë të mëdha nga Shkrimi i Shenjtë. Në Ungjillin sipas Llukait, kur Maria bën lutjen e saj të famshme, Madherimi ajo imiton rregullisht lutjen e Anës nga Dhiata e Vjetër. Ajo ishte e aftë ta bënte këtë sepse ishte e familjarizuar me Shkrimin e Shenjtë.

Jisui tha, "Pema njihet nga fruti." Kështu që nëse do të krahasosh forma të ndryshme edukimi, thjesht shiko frutin.

Nëse merr një brez fëmijësh dhe i rrit me muzikë e paperëndishme, me programe televizive të paperëndishme, pa lutje të përditëshme, pa studimin e Shkrimit, duke e kaluar gjysmën e ditës në shkollat laike ku Jisui nuk nderohet, atëherë cilat janë frytet? Frytet mund të shikohen në botën e paperëndishme që të rrethon sot, sepse pjesa më e madhe e saj drejtohet nga njerëz që e kanë marrë po këtë edukim të paperëndishëm.

Çfarë do ti për fëmijët e tu? Vendose vete. A do ti që fëmijët e tu të marrin edukim të paperëndishëm, të përcaktuar nga ata që nuk e duan Zotin? Apo do të ndjekësh shembullin që Zoti na ka dhënë ne, të sigurosh për fëmijët një edukim si ai që mori Maria?

A duhet t’i mbushim jetët e fëmijëve tanë me argëtim? A duhet t’i bëjmë me zor që të kalojnë tërë kohën duke u përgatitur për karriera që fitojnë shumë para? Apo do t’ua mbushim jetën me lutje, me Shkrimin e Shenjtë dhe me adhurimin ditor të Perëndisë së gjallë.

— Sa për mua dhe shtëpinë time, ne do t’i shërbejmë Zotit. —

Në emër të Atit, të Birit, dhe të Shpirtit të Shenjtë, Amin.

E Kremtja e Hyrjes se Hyjelindeses — E Premte 4 dhjetor 2020

Ate Joseph Gleason