Të ndreqësh marrëdhënien me lutje

Originally appeared at: The Catalogue of Good Deeds

Le të ndaj me ju disa shembuj sesi mund të transformojë jetën tonë lutja e zjarrtë, të cilët kanë ndikuar drejtpërdrejt te unë dhe më ka mësuar një mësim të rëndësishëm: lutja e përbashkët dhe besimi sjellin paqe dhe rregullojnë marrëdhëniet.

Shembulli i parë është nga jeta ime në botë. Unë po punoja në një kishë dhe një nga gratë e famullisë më besoi mua. Ajo tha se kishte pasur shumë ngrohtësi më parë në familje por tani kishte filluar të shuhej Ajo ishte e martuar me tre fëmijë, të gjitha vajza. Ata ishin një familje e mirë që frekuentonin kishën. Prandaj ata vendosën që të zgjedhin një ditë në javë për të ardhur së bashku si familje dhe të lexonin Akathistin ndaj Ikonës Mbretëruese të Nënës së Perëndisë. Pak nga pak ngrohtësia u rikthye.

Por ky ishte një shembulli i një tjetri që i drejtohet lutjes dhe përjeton fuqinë e saj. Për mua kjo ishte ende teori sepse unë nuk po e praktikoja vetë një lutje të tillë. Por kur erdha në manastir, unë kisha vështirësi të ngjashme me një nga motrat e manastirit tim. Ajo ishte mjaft e re, aq e re sa mund të ishte vajza ime. Nuk kishte armiqësi midis nesh por nuk kishte as ngrohtësi. Kishte raste kur e mërzisja atë e herë të tjera ajo mërzitej me mua. Ne të dyja përpiqeshim që ta shihnim më pak njëra-tjetrën derisa erdhi dita kur na duhej të përballeshim me njëra tjetrën për shumë ditë pa pasur askënd aty afër. Ne thjesht duhet të gjenim një mënyrë për të shkuar mirë me njëra-tjetrën.

Ditën e parë ne bëmë një shëtitje të gjatë dhe më tha: “le të lutemi”. Prandaj ne filluam të thoshim Akathistin ndaj Ikonës së Nënës së Perëndisë “Zbutëses së Zemrave të liga”. Ajo mund ta thoshte gati të gjithën nga kujtesa. Ne e bëmë me radhë, unë bëra gjysmën ndërsa ajo tjetrën. Ne po ecnim në mesin e pyllit krejt të vetëm. Ҫdo fjalë e lutjes jehonte në zemrën time në njëfarë mënyrë të veçantë.

Kur mbaruam ajo tha: “Le ta lexojmë sërish”. “A do që të bëjmë një akathist tjetër?” e pyeta unë. “Jo, le ta lexojmë këtë”. Prandaj e thamë përsëri në të njëjtën mënyrë. Kur arritëm në fund, e përsëritëm edhe një herë tjetër. Papritmas, unë nisa ta ngroh motrën time. Zemra ime m’u mbush me butësi dhe simpati për të. Unë vura re bukurinë e syve dhe buzëqeshjen e saj. Unë e kuptova sesa e dhembshur dhe e disponueshme ishte ajo si person. Unë u ndjeva se ajo ishte vajza ime dhe i dhashë tërë ngrohtësinë dhe mirësinë time.

Lutja e përbashkët mund të bëjë mrekulli, sidomos kur i lutemi Nënës së Perëndisë. Ajo e derdh ngrohtësinë dhe dashurinë e saj bujarisht mbi të gjithë ne. Ato ditë që kalova së bashku me motrën time më mësuan shumë gjëra. Për herë të parë në jetën time, unë pashë sesi ftohtësia dhe ndarja mund t’i lënë vendin vetëm brenda pak orëve ngrohtësisë e butësisë.

Ёshtë sigurisht e rëndësishme që më vonë të mos ta lejosh të të kthehet ftohtësia por ta ruash ngrohtësinë. Lutja është shumë e dobishme në këtë drejtim. Një a dy orë në gjunjë përpara një ikone mund të shkrijë edhe akullin më të trashë dhe të rrëzojë edhe muret më të larta.

Një tjetër motër murgeshë më tha se edhe të gjunjëzuarit dhe metanitë në lutje për një person tjetër ishte një ide e mirë. Unë i jam shumë mirënjohëse për këtë këshillë. Dhe e falënderoj Perëndinë për të gjitha mësimet që kam marrë në manastir. Unë lutem që ta kem dëshirën për të vazhduar t’i përdor mësimet në jetën time të përditshme.

Perkthyer nga Katalogu i Veprave te Mira