Si të çlirohesh nga lakmia?

Nëse do të hapim Shkrimin e Shenjtë, nuk do ta gjejmë fjalën “lakmi” aty, edhe pse nuk do të thotë që Libri i Zbulesës nuk e shfaq këtë ves. Etërit e shenjtë gjithashtu nuk i kushtuan shumë vëmendje këtij termi. Por fjalorët shpesh e shpjegojnë konceptin e “lakmisë” me ndihmën e disa sinonimeve si koprracia dhe zilia.

E gjitha kjo na tregon se vesi i lakmisë është i përzier dhe përmban një numër kategorish shtesë. Ja pse lufta ndaj lakmisë duhet të jetë edhe luftë ndaj manifestimit të lakmisë, që është karakteristikë e çdo personi. Le të komentojmë paksa mbi secilën prej tyre.

Zilia dhe Kopracia
Këto dy vese janë shumë të ngjashme dhe përfshijnë lakminë, ndjekjen e përfitimit personal. Le të kthehemi tek Shkrimi i Shenjtë. Esenca dhe aspiratat e njerëzve lakmitarë përshkruhen mirë nga profeti Amos: “Dëgjoni këtë, o ju që gllabëroni nevojtarin dhe shfarosni të varfrit e vendit, dhe thoni: "Kur do të kalojë hëna e re që të mund të shesim grurin, dhe e shtuna që të fillojmë shitjen e grurit, duke e zvogëluar efan dhe duke rritur siklin, duke falsifikuar peshoret për të mashtruar, duke i blerë të varfrit me para, nevojtarin për një palë sandale dhe duke shitur edhe skarcitetet e grurit?” (Amos 8: 4-6). 

Urdhërimi i dhjetë u drejtohet po ashtu njerezve lakmitarë, quhet gjithashtu kufiri mes Dhiatës së Vjetër dhe Dhiatës së Re. Nëntë urdhërimet e para flasin për ato çka nuk duhen bërë, dhe urdhërimi i dhjetë – përsërit disa herë, “Mos lakmo shtëpinë e fqinjit tënd; mos lakmo gruan e fqinjit tënd”(Ex. 20:17), - pra, i referohet jo vetëm mëkatit në sferën e veprimeve, por edhe në sferën e dëshirave të brendshme. Egoisti, ashtu siç thotë Psalmisti, “kënaq veten”. (Psa. 9:24)

Këto vese nuk hyjnë vetëm në jetën personale, por shkaktojnë dëm të caktuar te fqinji, prandaj ne shohim se Zoti është i zemëruar me ta, godet (Isaia 57:17) dhe merr hak (1 Thes. 4: 6). Del që zilia dhe koprracia janë mëkate aq të shpifura dhe shkatërruese sa ndëshkimi për to është thënë në mënyrë të drejtpërdrejtë në të dyja Dhiatat. Vetëm ky fakt duhet t’i bëjë ata që i kanë këto vese më të theksuara t’i shmangen bërjes së këtyre krimeve.

Në përballjen me pasionet, është e rëndësishme që të kujtojmë një parim asketik kishtar: çdo ves çrrënjoset nga e kundërta e vet, virtyti. Por siç e dimë mëkati nis me një mendim, dhe prandaj Shën Isak Siriani, dhe pas tij bashkatdhetari ynë Shën Nil Sorski thanë se ky parim transferohet në sferën mendore. Ata thonë se nëse dallojmë një mendim të mbushur me lakmi, lakmi për sa më shumë nga objekti që kemi zili, atëherë menjëherë duhet të zëvendësohet nga një mendim i mirë.

Ёshtë interesante se shenjtorët nuk marrin për mendim të mirë mendimin e mëshirës apo të lëmoshës, por zgjimin në vetvete të kujtimit të inatit dhe ligësisë, që do të na mbushë ne menjëherë pas kënaqjes me pasionin. Duhet bërë një qartësim këtu. Nëse dikush shquan vesin në vetvete dhe mendon për luftën me të, do të thotë se ai ka një përvojë mëkatare që peshon mbi të dhe të cilën ai do ta largojë. Le të kujtojë çdokush veten.

Deri sa pasioni të jetë kënaqur, duket tërheqës dhe i ëmbël, por sapo e lëmë prapa, atëherë mbulohemi me një ndjenjë ndyrësie shpirtërore dhe keqardhjeje për atë që kemi bërë. Në momente të tilla, ndërgjegjja na vret, por pas pak kohe mprehtësia e “ shpimit ” dobësohet, dhe pasioni merr forcë prapë. Jemi të sëmurë me mëkat, dhe prandaj nuk jemi të aftë që menjëherë, me vullnet, ta ndalojmë veprimin e pasioneve, por ne kemi akoma kujtimet – kujtimin se sa keq ishte herën e fundit që ndoqëm vesin tonë. Ky është ai kujtim që propozojnë  Etërit e Nderuar si zëvendësim për të nxjerrë nga mendja jonë mendime pasionesh. Pra, me një fjalë, përvojat mëkatare mund të përdoren për të mirën.

Koprracia
Ndryshon nga egoizmi dhe lakmia në faktin se nuk ka si qëllim përfitimin, por ruajtjen skrupuloze të asaj që është e jona. Shpesh koprracia është e bazuar tek mungesa e besimit. Ne harrojmë që të gjithë fijet e flokëve mbi kokën tonë janë të numëruara (Mateu 10:30), dhe prandaj ne përpiqemi që të mbrojmë veten, të luajmë në mënyrë të sigurt, sidomos kur në mos kriza të vazhdueshme dhe luftëra rreth nesh, ka karantinë. Le të dëgjojmë atë çfarë na thotë apostull  Pavli: “Edhe këtë e them, se ai që mbjell me kursim, edhe do të korrë me kursim; edhe ai që mbjell me dorë të hapët, edhe do të korrë me dorë të hapët. Gjithësecili le të japë si t’i dojë zemra, jo me hidhërim, ose nga nevoja, sepse Perëndia do atë që jep me zemër të gëzuar” (2 Kor. 9: 6-7).

Koprracia lufton me të kundërtën, bujarinë. Edhe nëse ne nuk mund të japim gjëra materiale me sinqeritet, edhe pse ne duhet ta detyrojmë veten për të dhënë qoftë edhe vetëm një dollar — humbja e së cilës nuk do të na ndryshojë jetën në asnjë mënyrë — edhe pse në fillim është kështu, ne akoma duhet të ndajmë , të ndihmojmë të varfrit, sepse nëse bëjmë të kundërtën është mëkat.

Nëse ne vazhdimisht kursejmë për "një ditë me shi" dhe nuk përzihemi në këtë grumbullim në asnjë mënyrë, atëherë do të na gllabërojë. Në mes të të krishterëve, koprracia në këtë këndvështrim duket në mënyrë të veçantë. Unë e pashë vetë se si, për shkak të bisedës për fundin e botës dhe të kohërave të fundit, disa të krishterë Orthodhoksë filluan të siguronin ushqime që nuk prishen dhe produkte të tjera ushqimore. Pastaj më erdhi një pyetje në mend: “Pse e gjithë kjo? Sipas kësaj, në rast se vjen uria, kur njerëzit rreth nesh do të vuajnë, ne, të fshehur do të hamë hikrra të përgatitura qysh më parë ?" Fakti se kjo nuk është sjellje e krishterë, mendoj se nuk ia vlen ta diskutosh.

Dashuria për Paranë

Në një diskutim mbi lakminë, është e pamundur të mos e përmendim, meqenëse apostull Pavli e quan dashurinë e parasë “ rrënjën e gjithë të këqijave ” (1 Tim. 6:10) – prandaj   “personi ziliqar, që është idhujtar, nuk ka trashëgimi në Mbretërinë e Krishtit dhe Perëndisë ” (Ef. 5: 5).

Këtu kthehemi përsëri tek biseda rreth zëvendësimit të mendimit të lig me atë të mirë. Vetëm tani, fjalët kërcënuese të apostujve po luajnë rolin e tyre. Në përgjithësi, të kthehesh te Shkrimi i Shenjtë ndihmon në luftën kundra çfarëdo lloj pasioni. Jo vetëm që i jep ushqim mendimit, e heq mendjen nga prirjet mëkatare, por gjithashtu, në një mënyrë të veçantë misterioze, jep efekt përmirësues për shpirtin.

Shën Joan Gojarti dikur tha: “Unë habitem me ata që nuk e neglizhojnë paranë. Kjo është shenjë e një shpirti të mbushur me dembelizëm ekstrem, një shpirt ... duke mos imagjinuar asgjë të madhe" — dalim në faktin se dhënia e tepruar e rëndësisë ndaj parave lidhet drejtpërdrejtë me atë çfarë ne i mbushim mendjet tona, që tregon pse leximi i Biblës në vetvete mund të ndryshojë një person, siç e thashë më parë. Nevojitet të kujtoni udhëzimin e Shën Maksim Pohuesit, që në tekstet e shenjta është e nevojshme ta dallojmë qartësisht ndryshimin mes fjalëve dhe frymës, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të bëhet përfitim.

Kësaj duhet t’i shtojmë se askush nuk duhet të neglizhojë leximin e letërsisë kishtare dhe shpirtërore, që është e aftë të na bëjë të mendojmë për tema të thella të rëndësishme. Nëse ti e argëton mendjen gjithë kohën duke parë filma, duke dëgjuar kaseta dhe në rrjete sociale, duke luajtur lojëra në kompjuter, atëherë rezultati në luftën kundër pasioneve do të jetë zero.

Dhe nëse mendja jonë po mendon për përmirësim, atëherë hap pas hapi do të fillojmë të dallojmë ndryshimet që kanë filluar në shpirtin tonë. Zoti po pret për vepra aktive. Ai do t’i vijë në ndihmë atij që po përpiqet. Ai do të ndihmojë, do të nxisë dhe do të drejtojë. Por Ai nuk i ndihmon në asnjë mënyrë atë që as nuk do t’ia dijë, që është gati të humbë lumturinë e përjetësisë vetëm për të fluturuar nëpër kënaqësitë e përkohshme.

Lakmia lind nga boshllëku shpirtëror, mungesë kuptimi, dhe mungesë synimesh që zgjaten përtej horizontit të vdekjes. Metodat për tu marrë me lakminë që janë përmendur këtu nuk janë të vështira në teori, as në praktikën e zbatimit. Vështirësia është gjithmonë e shoqëruar me përpjekjen e vullnetit, dhe edhe pse një pasion mund të gërryejë gradualisht, me kalimin e kohës mund të fitojmë mbi të.