Kur Perëndia i paguan borxhet njeriut

Ti vdes sot. Ndodh një aksident i papritur dhe së bashku me mikun tënd plagoseni rëndë dhe që të dy ndërroni jetë.

Të tronditur shikoni trupin tuaj të shtrirë në tokë, rrethuar nga miq dhe të dashurit tuaj që qajnë me dënesë. Përpiqeni të flisni me ta por ata nuk mund t’ju dëgjojnë.

Ti dhe miku yt shikoni njëri-tjetrin dhe e kuptoni se çfarë ka ndodhur. Që të dy keni vdekur dhe do të ndesheni me gjykimin.

Dy engjëj të ndritshëm afrohen me të shpejtë. Njëri është engjëlli yt mbrojtës ndërsa tjetri është engjëlli mbrojtës i mikut tuaj. I pari thotë

"Përgatituni se po vijnë"                                                            

E ti pyet,

"Kush po vjen?"

Engjëlli përgjigjet,

"Ata po vijnë"

Para se të mbarojë së foluri, qielli erret. Ti ngre sytë lart dhe nuk sheh asnjë re. Dielli fshihet para syve tuaj ashtu si një mizëri e ndyrë demonësh të panumërt bëhet gati të sulmojë.

Ata ju rrethojnë nga çdo anë, pa lënë asnjë vend për të shpëtuar. Njëri pas tjetrit fillojnë t’ju padisin, duke ju kujtuar për çdo mëkat që keni kryer.

Fillojnë me mikun tuaj. Së pari një engjëll mbrojtës e mbron mikun tënd nga sulmi. Por më pas vjen demoni i argjenddashjes. Ai thotë,

"Për vite të tëra ti i ke kursyer paratë e tua me kujdes, duke planifikuar për pensionin. Por ti ke neglizhuar të varfërit. Ti ruan një shumë të madhe parash në mënyrë që të jetosh pjesën tjetër të jetës në kotësi. Dhe kur njeriu i varfër të kërkon ndihmë ti e injoron atë, dhe nuk i jep asgjë. Ti e mëshiron veten, por nuk ke mëshirë për të varfrin.”

Miku yt ka mbetur pa fjalë. Engjëlli mbrojtës i mikut tënd mbulon fytyrën me duar, duke njohur humbjen. Toka dridhet dhe hapet, duke treguar një humnerë plot me zjarr, squfur, dhe llava të shkrirë. I tmerruar, miku yt ulëret ndërkohë që kthetrat e demonit e rrëmbejnë prej fyti dhe e tërheqin poshtë në ferr, për t’ia nënshtruar torturave të pafundme. Toka mbyllet dhe të gjitha vështrimet kthehen nga ti.

Njëri pas tjetrit, secili demon të akuzon ty për mëkate, ndërkohë që engjëlli yt mbrojtës të mbron. Sepse ti je penduar rregullisht për mëkatet, ke shkuar në rrëfim, dhe ke marrë kungimin, shumë nga demonët fluturojnë tutje, të mundur plotësisht.

Por pastaj demoni i argjenddashjes rikthehet dhe të akuzon ty. Ai thotë,

"Lexo çfarë kam shkruar në rrotullën e letrës. Këto janë të gjitha rastet që ti ke deshiruar pasuritë, të gjitha rastet kur ke qenë egoist, dhe të gjitha rastet kur i ke shpenzuar paratë pa kujdes. Unë i kam shënuar të gjitha. Shpirti yt më përket mua."

I tmerruar nga kujtimi i mëkateve të tua, ti ul kokën me turp. Toka dridhet dhe hapet, dhe ti strukesh me tmerr ndërsa kthetrat e demonit zgjaten për fytin tënd, gati për të të zvarritur poshtë në ferr.

Papritur, qiejt hapen dhe një rreze drite ndriçon gjithçka. Demonët ulërasin dhe mbulojnë fytyrën, ndërsa engjëlli mbrojtës hedh vështrimin lart i mrekulluar. Një zë bubullin nga qielli,

"Lëre këtë të qetë. Ky person më përket Mua."

Demoni i argjenddashjes përgjigjet,

"Jo! Ky është i imi! Unë kam shënuar gjithçka në këtë letër. Ti e di se ky është fajtor për të gjitha këto gjëra. Ka hyrë në borxh, dhe duhet ta paguajë!"

Zëri nga qielli përgjigjet,

"Unë gjithashtu  jam në borxh dhe sot po e paguaj."

Demoni thotë,

"Por ti je Krijuesi! Ti je Perëndia! Si mund t’i detyrohesh kësaj qelbësire? Kur të ka dhënë para hua Ty ky person?"

Zoti thotë,

"Është shkruar 'Ai që ka mëshirë për të varfërit i jep hua Zotit, dhe Ai do ta paguajë atë që i është dhënë.'"

"Çdo rast që ky njeri i dha para lypësarëve, ishte Dora Ime që e mori dhuratën. Çdo herë që ai ka vizituar të burgosurit, dhe ka treguar mëshirë për të sëmurët, ky person po tregonte mëshirë ndaj Meje. Çdo herë që iu dha ndonjë dhuratë të varfërve, ky njeri po më jepte Mua para hua. Borxhi im ndaj këtij është i madh, dhe sot po ia paguaj borxhin tërësisht."

Një rreze drite më e ndritshme se dielli zbret mbi demonin e argjenddashjes, duke e fshirë çdo fjalë nga letra e tij. Për një moment, letra bëhet plotësisht e bardhë. Më pas një flakë e vogël duket që gdhend një shkrim të  ri mbi letër. Me shkronja të mëdha prej qymyr-druri të zi lexohet:

"Dhënia e lëmoshave shpëton nga vdekja dhe të mbron nga të shkuarit në Errësirë."

Demonët bërtasin dhe largohen me tmerr. Drita qiellore shkëlqen mbi fytyrën tënde, dhe zëri nga qiejt thotë,

"Ku janë ata që të akuzojnë?"

Ti thua,

"Ata ikën, O Zot."

Ai thotë,

"Atëherë as Unë nuk të dënoj. Fëmija im, hyr në prehjen tënde."

Në Ungjillin e sotëm, ne lexojmë për të pasurin që mori të korra me bollëk. Ai punoi shumë, dhe Perëndia e bekoi me të mbjella të frytshme. Por ky burrë nuk kishte fare mëshirë për të varfërit. Ai mendonte vetëm për vete. Ai donte t’i ruante të gjitha paratë, që të jetonte pjesën e mbetur të jetës në kotësi. Në vend që të ishte bujar me të varfërit ai ruante para vetëm për pensionin e vet. Prandaj Perëndia i tha, "O i marrë, këtë natë do të kërkojnë shpirtin tënd."

Ungjilli po ashtu flet për një njeri tjetër — një burrë që ishte "i pasur në Zotin" — një burrë që me bujari ofronte për të varfrit dhe nevojtarët. Ky njeri i mençur i jep hua Zotit. Dhe Zoti gjithmonë i paguan borxhet e Tij.

Ashtu si e thotë Shkrimi, "Ai që ka mëshirë për të varfërit i jep hua Zotit, dhe Ai do t’ia paguajë atë që i ka dhënë."

Është shkruar, "Dhënia e lëmoshave shpëton nga vdekja dhe të mbron nga të shkuarit të Errësirë." — Qofshim të gjithe bujarë ndaj të varfërve, që edhe ne gjithashtu të shpëtohemi nga vdekja.

Në emër të Atit, të Birit, dhe Shpirtit të Shenjtë, Amen.

Java e 26 pas Pentakostisë — E Dielë, 6 Dhjetor, 2020

At Joseph Gleason


Referencat biblike

  • Llukai 12:16-21 – Shëmbëlltyra e të pasurit të marrë
  •  Fjalët e Urta 19:17 - " Ai që ka mëshirë për të varfërin i jep hua Zotit, i cili do t'ia kthejë ato që i ka dhënë".
  • Tobiti 4:10 - "Almsgiving delivers from death and keeps you from going into the Darkness."

Apustulli Joan shkroi Ungjillin sipas Joanit, tri letrat, dhe librin e Zbulesës. Dishepulli i Joanit, Polikarpi, shkroi letrën drejtuar Filipianëve. Gjatë kësaj letre Polikarpi citon vazhdimisht nga Shkrimet, si dhe këtë pasazh nga libri i Tobitit. 


Read this homily in Russian: Когда Бог платит свои долги человеку