A ka shpëtim për të krishterët jashtë Kishës Orthodhokse ? – Shpjegim nga At Serafim Roz Rose

"Unë vetë mund ta pranoj përvojën e protestantëve që janë të “rilindur” në Krishtin; unë kam takuar njerëz që jetët e të cilëve kanë ndryshuar krejtësisht nga takimi i tyre me Krishtin dhe nuk mund t’ua mohoj përvojën vetëm sepse nuk janë orthodhoksë”.

Ai kishte qenë një protestant në Kaliforni, një ateist gjenial në Berkli, një budist praktikonjës dhe në fund, një murg rus orthodhoks në shkretëtirë.

Në mes të të krishterëve rusë, Atë Serafim Roz është një nga amerikanët më të dashur. Dhe në Kishën e Fjetjes në Moskë, ai nderohet në mes të shenjtorëve më të dashur. Në murin e kishës, ndodhet një ikonë e tij afër atit të tij shpirtëror, Shën Joan Maksimovicit.

Në fragmentin e mëposhtëm At Serafimi i përgjigjet pyetjes: Ҫfarë duhet të besojmë rreth të krishterëve që janë jashtë Kishës Orthodhokse?


Atë Serafim Roz

Disa vite para se të vdiste, Atë Serafimi mori një letër nga një grua afrikanoamerikane që si katekumene që mësonte rreth Orthodhoksisë, po mundohej që të kuptonte qëndrimin jo të dashur ndaj atyre që janë jashtë Kishës, një qëndrim që i kujtonte saj sesi ishin trajtuar njerëzit e saj. Ajo ka shkruar këtë letër:

Unë jam mjaft i shqetësuar për mënyrën sesi e shikon Orthodhoksia atë që bota i quan të krishterët perëndimorë, protestantët dhe katolikoromanët. Unë kam lexuar shumë artikuj prej shumë autorëve dhe disa përdorin fjalë të tilla si “papikë”, etj, që i shoh si shqetësuese dhe fyese. I shoh si fyese sepse si një person i një race që i është nënshtruar shumë etiketimeve unë i përbuz dhe nuk dëshiroj të përdor zakonin e etiketimeve. Edhe fjala ‘heretike” më trazon mua . . .

Cila është marrëdhënia ime me miqtë e të afërmit e mi? Ata nuk dinë gjë për orthodhoksinë ose nuk e kuptojnë atë. Por megjithatë  ata i besojnë dhe e adhurojnë Krishtin ... A duhet t’i trajtoj miqtë e të afërmit e mi sikur nuk e kanë Perëndinë ose Krishtin? ... Apo mund t’i quaj ata të krishterë por që nuk e njohin Kishën e vërtetë?

“Kur e bëj këtë pyetje, unë nuk mund të mos mendoj për Shën Inocentin e Alaskës ndërsa vizitonte manastiret françeskane në Kaliforni. Ai e mbajti të pastër orthodhoksinë por i trajtonte priftërinjtë atje me dashuri e përzemërsi e nuk bëri asnjë etiketim. Kjo shpresoj është çfarë thotë Orthodhoksia mbi atë sesi duhet t’i trajtojmë të krishterët e tjerë.

Vështirësia e kësaj gruaje është mëse e zakonshme për ata që vijnë në Besën Orthodhokse. Tani në fund të jetës së tij të shkurtër dhe pasi kishte flakur hidhërimin e tij rinor, Atë Serafimi iu përgjigj në këtë mënyrë:

Unë e mora letrën tuaj me kënaqësi, jo sepse ishit konfuze për pyetjen që ju shqetësonte, por sepse qëndrimi juaj zbulon që në të vërtetën e Orthodhoksisë ndaj së cilës jeni tërhequr ju doni që të gjeni hapësirë edhe për një qëndrim të dashur e të dhembshur ndaj atyre që ndodhen jashtë Besimit Orthodhoks. Unë besoj fuqimisht se kjo është në fakt çfarë mëson Orthodhoksia . . .

Do të rendis shkurt çfarë besoj se është qëndrimi orthodhoks ndaj të krishterëve jo-orthodhoksë.

Orthodhoksia është Kisha e themeluar prej Krishtit për shpëtimin e njerëzimit dhe prandaj ne duhet ta ruajmë me jetën tonë pastërtinë e mësimeve të saj dhe besnikërinë tonë ndaj saj. Vetëm në Kishën Orthodhokse gjendet hiri që jepet nëpërmjet mistereve (shumë kisha të tjera as nuk pretendojnë se i kanë ato në kuptimin serioz). Dhe vetëm ajo është Trupi i Krishtit dhe nëse shpëtimi është i vështirë brenda Kishës Orthodhokse sa më e vështirë që është të jesh jashtë Kishës!

Por nuk na takon ne që të përcaktojmë gjendjen e atyre që gjenden jashtë Kishës Orthodhokse. Nëse Perëndia dëshiron t’u japë shpëtimin disave që janë të krishterë në mënyrën më të mirë që njohin, por pa e njohur Kishën Orthodhokse, kjo gjë varet prej Tij e jo prej nesh. Por kur Ai e bën këtë, kjo është jashtë mënyrës normale që Ai ka vendosur për shpëtimin, që është në Kishën, si Trupi i Krishtit. Unë vetë mund ta pranoj përvojën e protestantëve si “të rilindur” në Krishtin; jam takuar me njerëz jetët e të cilëve janë transformuar rrënjësisht pas takimit me Krishtin dhe nuk mund t’ua mohoj dot përvojën e tyre vetëm sepse nuk janë orthodhoksë. Unë i quaj këta persona “subjektivë” ose të krishterë “fillestarë”. Por pa iu bashkuar Kishës Orthodhokse ata nuk mund ta kenë plotësinë e krishterimit, e nuk mund të quhen objektivisht të krishterë si pjesë e Trupit të Krishtit dhe të marrin hirin e mistereve.

Mendoj se prandaj ka aq shumë sekte në mesin e tyre – ata e nisin jetën e krishterë me një kthim të vërtetë në Krishtin por nuk mund të vazhdojnë ta jetojnë jetën e krishterë ashtu si duhet pa iu bashkuar Kishës Orthodhokse dhe prandaj i zëvendësojnë mendimet e tyre dhe përvojat e tyre subjektive me mësimet e misteret e Kishës. Prandaj unë do të them për ata të krishterë që ndodhen jashtë Kishës Orthodhokse: ata nuk e kanë ende të vërtetën e plotë, sepse ndoshta nuk u është zbuluar ende atyre, ose është faji ynë që nuk i jetojmë në një mënyrë që ata mund ta kuptojnë Besën Orthodhokse. Ne nuk mund të jemi një në Besim me këta njerëz por nuk ka arsye pse duhet t’i konsiderojmë si krejt të huaj ose si të pafe (ndonëse edhe me të pafetë nuk duhet të jemi armiqësorë, se ata nuk e kanë parë akoma të vërtetën!) Ёshtë e vërtetë se shumë prej himneve jo orthodhokse përmbajnë një mësim ose së paku një theksim të gabuar, sidomos ideja që kur dikush është i “shpëtuar” ai nuk duhet të bëjë më asnjë gjë sepse Krishti ka bërë gjithçka. Kjo ide i pengon njerëzit që ta shohin të vërtetën e Orthodhoksisë që thekson idenë e të përpjekurit për shpëtimin tonë edhe pasi na e ka dhënë Krishti, siç thotë Shën Pavli : "Punoni për shpëtimin tuaj me dridhje e frikë” ( [Fil. 2:12]. Por thuajse të gjitha koralet e krishtlindjes janë të sakta dhe këndohen nga të gjithë të krishterët orthodhoksë (disa prej tyre edhe në manastiret më strikte!).

Fjala “heretik” përdoret në fakt shumë shpesh në ditët tona. Ajo ka një kuptim e funksion të caktuar për të dalluar mësimet e reja nga mësimet orthodhokse, por pak prej jo-orthodhoksëve sot janë “heretikë” në mënyrë të vetëdijshme dhe realisht nuk ka kuptim që të cilësohen të tillë.

Në fund, mendoj se qëndrimi i Atë Dimitri Dudkos është i sakti: ne duhet t’i shohim jo-orthodhoksët si njerëz ndaj të cilëve Orthodhoksia nuk është zbuluar ende, ndërsa njerëzit që janë potencialisht orthodhoksë (nëse vetëm do t’u jepnim atyre një shembull më të mirë!). Nuk ka asnjë arsye pse nuk mund t’i quajmë ata të krishterë dhe të kemi marrëdhënie të mira me ta, duke pranuar se kemi së paku besimin tonë në Krishtin dhe të jetojmë në paqe sidomos me familjet tona. Qëndrimi i Shën Inocentit ndaj katolikoromanëve në Kaliforni është një shembull i mirë për ne. Një qëndrim i ashpër e polemik kërkohet vetëm kur jo orthodhoksët përpiqen të na marrin besimtarët ose të ndryshojnë mësimin tonë . . . .

  • Shqip
  • English
  • Français
  • Deutsch
  • Portuguese, International
  • Русский
  • Español