Edhe ateistët i duan familjet e tyre – Në çfarë mënyre janë më të mirë të krishterët?

Parabola e Samaritanit të Mirë është një frymëzim i bukur, dhe ka një mesazh të qartë: Duhet t’i ndihmojmë ata që janë në nevojë.

Por ka një rrezik që duhet të shmangim. Ne mund të tundohemi për ta lavdëruar veten shumë shpejt, duke menduar se i jemi bindur urdhërimit të Krishtit, kur në të vërtetë as nuk kemi filluar t’i bindemi.

Ne e shikojmë dashurinë, paratë dhe kujdesin që Samaritani i Mirë jep për të shëruar udhëtarin e plagosur. Dhe ne themi : “Unë gjithashtu kam sakrifikuar, kam treguar dashuri për nënën time, për fëmijët e mi dhe për miqtë e mi. Kam punuar shumë për t’i ndihmuar kur ishin në telashe. Prandaj edhe unë jam si Samaritani i Mirë!"

Por kur ne mendojmë kështu, ne po harrojmë një gjë të rëndësishme: Samaritani i Mirë nuk po ndihmonte familjen ose miqtë. Ai po ndihmonte një të panjohur! (Lexo historinë Lluka 10:25-37.)

Në kapitullin e 6-të të Ungjillit sipas Llukait, Jisui thotë, 

“Por po t’i doni ata që ju duan, çfarë merite do të keni ju? Sepse edhe mëkatarët i duan ata që i duan. Dhe nëse u bëni mirë atyre që ju bëjnë mirë çfarë merite do të keni nga kjo? Të njëjtën gjë bëjnë edhe mëkatarët. Dhe nëse ju u jepni hua atyre që shpresoni t’jua kthejnë çfarë merite do të keni nga kjo? Edhe mëkatarët u japin hua mëkatarëve që tu kthehet aq sa dhanë. Por ju t’i doni armiqtë tuaj, bëni të mirë dhe jepni hua pa pasur shpresë për asgjë; dhe shpërblimi juaj do të jetë i madh dhe ju do të jeni bijtë e Shumë të Lartit sepse Ai është mirëdashës me mosmirënjohësit dhe të mbrapshtët. Pra jini të mëshirshëm, sikurse edhe Ati juaj është i mëshirshëm." (Llukai 6:32-36)

Sigurisht, është mirë të duash familjen tënde. Ёshtë mirë të duash prindërit e tu, nusen tënde, fëmijët. Krishti na urdhëron t’a bëjmë edhe këtë. 

Kryesorja është se të duash vetëm familjen nuk  është e mjaftueshme. Nëse ti bën të mira vetëm për familjen tënde dhe miqtë e tu — nëse ti do vetëm  ata  që të duan — atëherë nuk je më i mirë se ateistët dhe paganët. Edhe një ateist bën të mira për prindërit dhe fëmijët e vet.

Ajo çfarë e bën një të krishterë të ndryshëm është se ne duam edhe të panjohurit. Ne duam mëkatarët. Ne duam edhe armiqtë tanë. Kjo është ajo që na bën të dallueshëm nga të tjerët.

Kur shkon në kishë, dhe lypsarët rrinë jashtë për të lypur para, a i jep ndonjë gjë? Apo nuk i jep asgjë, duke imagjinuar që ata thjesht do ta harxhojnë me alkool?

Kur sheh një makinë të prishur në anë të rrugës, a ndalon ndonjëherë të ndihmosh njerëzit? Apo i lë pas duke imagjinuar se ata kanë tashmë para dhe celular?

Kur dikush të trajton keq dhe më vonë ti merr vesh se ai është në telash, a ia jep ndihmën për të cilën ka nevojë? Apo gëzohesh me vuajtjen e tij sepse mendon se “ dihej që ai do ta pësonte” ?

  • Nëse ti tregon mëshirë ndaj prindërve, kjo është urdhëruar. 
  • Nëse ti e do nusen tënde, është e mrekullueshme. 
  • Nëse ti ndihmon fëmijët e tu, kjo është e mirë. 
  • Por nëse ti do të jesh si Samaritani i Mirë — nëse vërtet do të ndjekësh Krishtin — atëherë duhet të shkosh më larg se kaq.

Edhe paganët dhe ateistët i duan familjet dhe miqtë e tyre. — Ndërkohë, Jisui na thërret të duam të huajt dhe armiqtë tanë.

Nëse duam të jemi të krishterë atëherë duhet të tregojmë dashuri për çdo person — përfshi ateistët, armiqtë, dhe të huajt. Nëse duam të jemi si Ati ynë qiellor, atëherë ne duhe të bekojmë ata që na mallkojnë, tu bëjmë mirë atyre që na urrejnë, dhe të lutemi për ata që na përdorin me përbuzje dhe na përndjekin. Duhet të tregojmë mëshirë ndaj çdo personi — edhe atyre që nuk tregojnë aspak mëshirë ndaj nesh.

Samaritani i Mirë nuk pyeti për besimin fetar të të plagosurit. Nuk pyeti nëse ky i panjohur ishte i perëndishëm apo i lig. Ai nuk u mundua të zbulonte nëse ai ishte mik apo armik. Samaritani i Mirë pa vetëm një gjë: Ai pa dikë që vuante. Kështu që e ndihmoi.

Pasi na dha këtë shembull të Samaritanit të Mirë, Jisui na jep këtë urdhër të gjithëve ne:

"Shkoni dhe bëni edhe ju kështu."

Në emër të Atit, të Birit, dhe Shpirtit të Shenjtë, Amin.

Java e 25te pas Pentekostise  — E Diel, 29 nentor 2020

Ate Josif Gleison 


Lexojeni kete omeli ne rusisht : Даже атеисты любят свои семьи - чем христиане лучше?