Duke u përgatitur për Kreshmën në kohë pandemie

Originally appeared at: Remembering Sion

U bë një vit që kur është shfaqur pandemia e kovid-19-ës, duke ndryshuar menjëherë gati çdo aspekt të jetës sonë të përditshme në botën e sotme. Disa prej nesh kanë humbur të dashurit e tyre dhe Kisha u ka dhënë lamtumirën shumë burrave e grave të shenjta të cilat Zoti i thirri pranë vetes këtë vit.

Kufizimet e karantinës që kanë qenë në fuqi pak a shumë në mënyrë të vazhdueshme në mbarë botën i kanë ndarë ata prej nesh që janë ende gjallë nga njëri-tjetri, në një masë që asnjëri prej nesh nuk ka ëndërruar kurrë se mund të jetë e mundur. Shumë prej nesh kanë humbur të ardhurat e tyre jetike dhe përballen me mundësinë reale që mund të mos i rifitojnë më ato kurrë. Por një humbje serioze në mesin e tragjedive të shkaktuara nga kjo pandemi ka qenë humbja e një jete normale të Kishës që kanë pësuar shumë njerëz: e lutjeve dhe adhurimit të rregullt në kishë dhe marrja e rregullt e Mistereve të Shenjta të Krishtit.

Megjithatë ne e dimë se nuk ka absolutisht asgjë në këtë botë  që të mos jetë në përputhje me providencën e Perëndisë sonë të dashur dhe të tërëmëshirshëm. Ndonëse Perëndia nuk na dërgon tundime, siç thotë apostulli: “Askush, kur ngitet, le të mos thotë se ngitem nga Perëndia; sepse Perëndia nuk mund të ngitet nga të ligat, edhe ai asnjë nuk nget” (Jakovi 1:13), tundimet që Ai i lejon të bien mbi ne lejohen pikërisht sepse nëpërmjet tyre kemi mundësinë që të gjejmë shpëtimin tonë.

Dhe megjithëse nuk ka diskutim se pandemia e kovid-19 ka sjellë një tragjedi të madhe, në të njëjtën kohë ka sjellë dhuratën më të çmuar që mund të ofrojë kjo jetë e kotë dhe kalimtare: mundësinë e pendimit.

Sa shumë prej nesh i kanë marrë si të garantuara shërbesat e Kishës, madje edhe Misteret e Shenjta të Krishtit – duke shkapërderdhur mundësi të panumërta për të ardhur dhe për t’u lutur gjatë Shërbesës Hyjnore, për të rrëfyer mëkatet dhe për të marrë Kungatën e Shenjtë? Sa prej nesh e morën si të garantuar njerëzit që i kishte vendosur Perëndia në jetën tonë (ndoshta duke preferuar që të rrijë në shoqërinë e ekraneve të panumërta që tani ndodhen në çdo vend ku shkojmë), dhe të cilët ne do të donim që të kishim përsëri mundësinë për t’i shikuar dhe për të folur ballë për ballë?

Sa prej nesh u mashtruan nga gënjeshtra e stërholluar por reale sipas së cilës kjo jetë do të vazhdojë përgjithnjë dhe se thesaret që mbledhim nuk do të na merren kurrë, e se bota për të cilën ne shpenzojmë aq shumë kohë për ta krijuar nuk do të zhduket kurrë? Por për ata që kanë sy për të parë, pandemia e ka ekspozuar njëherë e mirë këtë gënjeshtër: gjithçka e kësaj bote është kalimtare dhe çdo jetë njerëzore të çon në mënyrë të pashmangshme  në varr.

Por për të krishterin e vërtetë, një zbulesë e tillë nuk është aspak një shkak për dëshpërim: përkundrazi është një mundësi e mrekullueshme dhe e shenjtë për t’i kthyer sytë te Krishti, Mbretëria e Qiellit, e te ngjallja prej së vdekurve dhe te jeta e përjetshme dhe gjërat e mira të pafundme dhe të papërshkrueshme që u ka premtuar Perëndia t’u japë tërë atyre që ua kërkojnë. Dhe të gjitha këto premtime gjenden dhe përmbushen në një gjë të vetme: në një jetë të shenjtë, një jetë të ofruar lirisht nga një zemër që i jepet tërësisht Krishtit Perëndisë sonë.

Pikërisht ndaj kësaj jete na thërret Kreshma e Madhe. Dhe ndaj kësaj jete na thërret edhe pandemia aktuale. Ne shikojmë përreth vetes kotësinë e të vendosjes së shpresës në lumturinë tokësore, të besimit tonë në gjërat kalimtare. Por përkundrazi ne duhet ta shfrytëzojmë mundësinë e kësaj kreshme të madhe dhe të shenjtë për të pranuar thirrjet e Liturgjisë Hyjnore, për të imituar engjëjt e shenjtë dhe të “lëmë mënjanë çdo kujdes të kësaj bote që Mbretin e të gjithave të presim”.  

Dhe ashtu si kreshmojmë me pendim nga gëzimi i pjesëmarrjes në Liturgjinë Hyjnore gjatë ditëve të javës së Kreshmës së Madhe, le ta pranojmë çdo mungesë nga shërbesat hyjnore që na kanë detyruar rrethanat si pendim për mëkatet tona, pra si një mundësi për t’u penduar më thellë dhe të lutemi më thellë, që kur të na thërrasë sërish Perëndia që ta takojmë në Liturgjinë Hyjnore ne ta bëjmë këtë me zemra më të pastra e të përulura, dhe atëherë gëzimi ynë do të jetë vërtet i plotë.

Etërit e Shenjtë na tregojnë se ka shumë raste kur mund të duam të ushtrojmë virtyte të ndryshme por nuk na lejojnë rrethanat, ne mund të duam që të japim lëmoshë por nuk kemi para, ose të vizitojmë të sëmurët por nuk kemi kohë dhe kështu me radhë. Në mesin e kësaj pandemie ne pa dyshim që nuk kemi nevojë që të mendojmë shumë për paraqesim shembuj të kësaj nga jetët tona. Por Etërit e Shenjtë thonë se ka një vepër të virtytshme që asnjë rrethanë nuk mund të na pengojë për ta arritur: që është lutja.  

Kudo që jemi dhe cilado të jetë jeta jonë, deri në frymën e fundit ne e kemi gjithnjë mundësinë për të ofruar lutjen ndaj Zotit Perëndi, si për veten ashtu edhe për të tjerët. Dhe ndërsa i afrohemi më shumë Perëndisë përmes lutjes, ashtu do t’i afrohemi mistikisht njëri-tjetrit në Krishtin, sipas dëshmisë së shenjtorëve. Një bashkim i tillë në Krishtin është e vetmja zgjidhje e mundshme ndaj vetmisë dhe izolimit që shumë prej nesh e ndiehmë tani.

Prandaj gjatë kësaj Kreshme të Madhe, në një kohë paqëndrueshmërie dhe pasigurie, le të vendosim që ta bëjmë lutjen themelin e sigurt të jetës sonë. Le të kreshmojmë sidomos nga zemërimi dhe gjykimi, që kanë fuqinë për ta dëbuar lutjen. Dhe le të japim sa mundemi lëmoshë, duke përfshirë në formën e lutjes në rritje për ata që e kanë lënë këtë jetë (sidomos gjatë vitit të kaluar të kësaj pandemie) dhe nuk janë më në gjendje për të ofruar pendimin për llogari të tyre.

Në mesin e kësaj periudhe sëmundjeje dhe vdekjeje, të vuajtjeve dhe vështirësive të çdo lloji, bota ka më shumë nevojë se kurrë për dëshminë e të krishterëve besnikë ndaj shpresës dhe gëzimit të Ringjalljes së Krishtit. Si të krishterë orthodhoksë, ne na është dhënë shumë: dhe tani sipas fjalës së Zotit, shumë do të na kërkohet. Prandaj le të përpiqemi me gjithë zemrën tonë që të bëjmë një fillim të ri këtë Kreshmë të Madhe në lutje dhe pendim, në mënyrë që zemrat tona të bëhen vegla të Shpirtit të Shenjtë dhe të jenë në gjendje që të shndrisin si fenerë të hirit dhe të të vërtetës ndaj të gjithë atyre që takojmë, duke i tërhequr të gjithë burrat e gratë që të thërrasin së bashku me ne natën e Pashkës: “Krishti u ngjall! Vërtet u ngjall!”.

  • Shqip
  • العربية
  • English
  • Français
  • Deutsch
  • Bahasa Indonesia
  • Italiano
  • Português
  • Русский
  • Español